Blerja e bujshme/ Si e pushtoi ‘ushtria shqiptare’ botën

Blerja e bujshme/ Si e pushtoi ‘ushtria shqiptare’ botën

19:23, 05/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Georg Szalai, THE HOLLYWOOD REPORTER

Kurrë mos thuaj kurrë.

Në dhjetor 2010, Jeff Bewkes, atëherë CEO i Time Warner, kompania mëmë e Warner Bros., e krahasoi në mënyrë të famshme kompaninë e re të transmetimit dhe qirave të DVD-ve me postë, Netflix-in, me ushtrinë e një vendi të vogël në Evropën Juglindore. “Është pak a shumë si të thuash: a do ta pushtojë botën ushtria shqiptare?” tha Bewkes, kur u pyet nëse Netflix përbënte kërcënim për gjigantët e Hollywood-it. “Nuk e besoj”.

Themeluesi i Netflix-it, Reed Hastings, e mori me sportivitet, madje më vonë e quajti Bewkes një komedian dhe tha se nuk ishte lënduar nga komenti. Në prillin pasues, Bewkes shtriu një farë dege paqeje: “Kam një simpati për televizionin me abonim, dhe Netflix është televizion me abonim”, shtoi ai. “Kështu që, mirë se vjen, vëlla!”

Të premten, pronari i Warner Bros., Warner Bros. Discovery, i shtriu tapetin e kuq për të mirëpritur Netflix-in — të drejtuar nga presidenti Reed Hastings dhe bashkëdrejtuesit Ted Sarandos dhe Greg Peters — brenda portave të studios së famshme, duke zbuluar një marrëveshje gjigante me vlerë 82.7 miliardë dollarë për t’i shitur Netflix-it studiot dhe operacionet e saj të transmetimit.

Në kontrast me komentet e dikurshme të Bewkes, presidenti dhe CEO aktual i WBD, David Zaslav, pati vetëm lavdërime për Netflix-in. “Njoftimi i sotëm bashkon dy nga kompanitë më të mëdha të tregimit të historive në botë, për t’u sjellë njerëzve  edhe më shumë argëtimin që ata preferojnë të shikojnë,” tha ai në deklaratën që shoqëroi marrëveshjen, e cila të jepte ndjesinë sikur ai në mendjen e vet po luante melodinë e Game of Thrones, e ndjekur nga “Tudum”-i i famshëm i Netflix-it.

Në një memo, Zaslav shtoi: “Ky vendim pasqyron realitetet e një industrie që po përjeton ndryshime brezash – për mënyrën se si historitë financohen, prodhohen, shpërndahen dhe zbulohen”.

Sarandos ua ktheu dashurinë gjatë një konferencë të premten, duke falënderuar Zaslav & Co. “që na besuan” trashëgiminë e Hollywood-it, të cilën Netflix po synon ta marrë në dorë.

Si arriti Netflix deri këtu?

Gjithçka nisi në fund të viteve ’90 si një shërbim qiraje DVD-sh përmes postës, përpara se kompania të dilte në bursë në maj 2002. Ky autor kujton një intervistë me Hastings, në të cilën ai shprehu optimizëm se kompania mund të arrinte një pikë ku depërtimi i saj në zonën e Bay Area-s do të shkonte në mbi 7 përqind dhe pastaj të përpiqej ta riprodhonte atë sukses në pjesën tjetër të SHBA-së.

Hollywood-i fillimisht e përqafoi Netflix-in si një dyqan të ri qiraje DVD-sh, pa parashikuar se kompania një ditë do të dëmtonte shitjet fitimprurëse të DVD-ve, të cilat atë kohë ishin burim i rëndësishëm i të ardhurave.

Më vonë, Netflix nisi të shfaqej si kërcënim edhe për televizionin kabllor — burimi kryesor i fitimeve të Hollywood-it dikur. I pyetur nga ky gazetar i ‘The Hollywood Reporter’ vite para se kompania të hynte në streaming, nëse Netflix mund të shkonte përtej shpërndarjes së DVD-ve me postë, Hastings u shpreh entuziast për mundësinë e formave të reja të shpërndarjes që do t’i çonin filmat dhe serialet drejtpërdrejt në ekranet e konsumatorëve.

Ai kishte të drejtë. Netflix nisi funksionin e tij “Watch Now” në janar 2007 dhe vazhdoi të rritej në bazën e përdoruesve. Por njerëzit pyesnin: a do të arrinte ndonjëherë kjo teknologji e re të kapërcente biznesin e DVD-ve me postë? Epo, po — dhe e bëri shumë shpejt. Në fund të 2010-ës, Netflix deklaroi se streaming ishte bërë aktiviteti i tij kryesor dhe burimi kryesor i të ardhurave.

Deri atëherë, Netflix kishte tërhequr sërish vëmendjen e studiove dhe rrjeteve të Hollywood-it, të cilët kësaj here po kërkonin të përfitonin nga suksesi i tij duke i licencuar përmbajtjen, me shpresën për të krijuar një burim të ri të ardhurash.

Por së shpejti, entuziazmi u kthye në shqetësim teksa po kuptohej se Netflix mund të kafshonte duart që e ushqenin. Hollywood-i kishte nënvlerësuar magjinë e streaming-ut dhe çmimet që Netflix mund të kërkonte për përmbajtje të njohur. Shumë ia atribuuan rritjen e hershme të Netflix-it marrëveshjes me Starz — drejtuar atëherë nga Chris Albrecht — e cila i dha Netflix-it të drejtat për të transmetuar filmat e Sony-t dhe Disney-t, duke dëmtuar biznesin e Starz-it në TV me pagesë. Netflix raportohet se paguante vetëm 25 milionë dollarë në vit për këtë marrëveshje. Analisti Michael Nathanson e quajti atë “ndoshta një nga marrëveshjet më të çmendura ndonjëherë”, duke thënë: “Starz dha përmbajtje shumë të vlefshme për vetëm dhjetëra miliona dollarë”.

Bewkes gjithashtu u zemërua, duke thënë se marrëveshja minonte tarifat fitimprurëse të abonimit të rrjeteve kabllore. “Pse duhet të abonohet dikush te Starz kur mund të marrë gjithçka pothuajse falas në Netflix?” tha ai. “Kjo s’ka shumë kuptim.”

Pas kësaj, Hollywood-i filloi të tërhiqte përmbajtjen e tij nga Netflix, duke rrezikuar platformën. Ishte koha për një kthesë të madhe — dhe ajo ishte hyrja e Netflix-it në prodhimin e përmbajtjes origjinale.

A i mbani mend ditët pionere të vitit 2013 kur House of Cards, ajo që sot konsiderohet si seria e parë origjinale e Netflix-it, pati premierën? Disa menduan se kjo ishte vetëm një fazë. Të tjerë dyshonin se Netflix mund të prodhonte mjaftueshëm hite për të përmbushur kërkesën. Por shumë shpejt, origjinalet e Netflix-it u bënë pjesë thelbësore, teksa kompania zgjerohej globalisht.

Shumica e kishin harruar komentin “ushtria shqiptare” kur Netflix bëri nisjen e saj të madhe të fundit në 130 territore të reja në janar 2016, duke u bërë vërtet global. Por edhe atëherë pati skeptikë që mendonin se njerëzit nuk do të shikonin përmbajtje me titra. Ato ishin kohët e vjetra — dhe përfunduan shpejt.

Netflix kishte eksperimentuar me përmbajtje ndërkombëtare edhe para House of Cards, me Lilyhammer në 2012, një serial norvegjez me Steven Van Zandt në rolin e një mafiozi njujorkez në mbrojtje dëshmitarësh. Dhjetë vjet më vonë, ishte Hollywood-i që luftonte të bindte Wall Street-in se mund të krijonte platforma streaming me fitim të qëndrueshëm.

Ndërkohë, Netflix kishte kaluar 300 milionë abonentë deri në fund të vitit 2024 dhe kishte shtuar një nivel abonimi me reklama.

Por pak kush besonte se Netflix do të blinte ndonjëherë një studio të madhe Hollywood-i. Epo, tani e ka bërë edhe këtë.

Dhe e bëri të premten, në një kohë kur retorika e luftës është zëvendësuar me një atmosferë dashurie dhe respekti, sikur bota po shihet përmes syzeve rozë të Barbie-t. Por mos prit ujëra të qeta. Konkurrentët, të udhëhequr nga Paramount Skydance, kanë filluar të protestojnë dhe duken gati të gjejnë pengesa të denja për The Sopranos.

Edhe rregullatorët pritet të jenë shumë të ashpër. “Si kompania më e madhe e streaming-ut në botë, besojmë se Netflix do të përballet me pengesa rregullatore,” shkroi analisti i Morgan Stanley, Benjamin Swinburne. “Edhe pse nuk mendojmë se kërkohen miratime nga FCC, Departamenti i Drejtësisë mund ta shqyrtojë këtë kombinim sipas ligjeve antitrust. Shqetësimet nga operatorët e kinemave, sindikatat dhe konkurrentët e streaming-ut” me shumë gjasë do të ndikojnë gjithashtu,” paralajmëroi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco