Njohës shumë i mirë i më shumë se dhjetë gjuhëve, profesori dhe përkthyesi Edvin Cami pohoi në “Odeon” se vëllimet poetike dhe vetë poezia nuk ecin te lexuesi. Sipas tij, ka një prirje të lexuesve drejt prozës. Cami ndau dhe parapëlqimin e tij për poetët dhe poezinë.
Edvin Cami:
“Poezia në treg nuk ecën. Edhe kur kam sugjeruar të përkthehen poezi, më kanë thënë me të drejtë: tregu nuk e mban. Për arsye nga më të ndryshmet, mesa duket, nuk bën më pjesë në shijet e lexuesve tanë – që janë gjithmonë e më tepër prozaikë, dhe ndoshta edhe më pragmatikë.
Gjithsesi, poezia që më ka lënë mbresë dhe që në një farë mënyre më hapi një rrugë më tepër në punën time ka qenë poezia e Gotfrid Benit – tërësisht moderne, në arealin e asaj që mund t’i themi “e pakuptueshmja e modernes”, që mua më duhej ta ndërtoja në një të pakuptueshme tjetër.
Mbaj mend që përkthimet e poezive të Gotfrid Benit i kam bërë jo vetëm me pasion, por edhe me një dëshirë për t’iu larguar më shumë origjinalit – për të bërë diçka vetë që të binte në sy. Sepse ishim në kuadrin e një konkursi dhe unë synoja të fitoja çmimin. Dhe në sajë të asaj manovre që bëra, po themi, që të riprodhoja tekstin nga e para – edhe ia dola që t’i bëj ato tekste që të bien në sy dhe ta merrja atë çmim.
A e bëj gjithmonë ashtu në punën time? Në një farë mënyre gjykoj që ashtu duhet, por ndonjëherë më duket edhe guxim i tepruar.”
© SYRI.net