Shfaqja ‘Lule Sajza’ ka qenë pjesë e Festivalit Teatror ‘PrizrenFEST’. Me në qendër përjetimet e të dënuarve të Kampit të Tepelenës, shfaqja tronditi spektatorët, ndërsa regjisori Endri Çela në një komunikim për Syri Tv u shpreh se pjesë e festivalit ndërkombëtar ishin dhe trupa të huaja, të cilët njohën historinë e vuajtjet e shqiptarëve. Çela tha se pjesëmarrja e ‘LULE SAJZA’ në PrizrenFest nuk ishte thjesht një shfaqje teatri, por një thirrje për kujtesë dhe reflektim mbi të kaluarën tonë.
Nga SYRI TV
Vogëlushja 8-vjeçare Sajza, që ndërroi jetë në kampin famëkeq të Tepelenës, është marrë nga regjisori Endri Çela nga një prej tregimeve drithëruese të Agron Tufës, për të treguar terrorin e makabritetet, parë nga sytë e një fëmije. Shfaqja u mirëprit në ‘PrizrenFest’ me ovacione. Ky i fundit është festival ndërkombëtar i teatrit. Në edicionin e tretë të organizimit ‘Lule Sajza’ mbërriti në Kosovë me kërkesë nga vetë festivali për të qenë pjesë. Në një komunikim për Syri Tv, regjisori Endri Çela tregoi për rrugëtimin e shfaqjes në festival, ndërsa u ndal te rëndësia e përçimit të mesazhit që këtë herë i kalon kufijtë.
‘Ishte kënaqësi pjesëmarrja. Përveç faktit që ne shkojmë përtej kufijve, gjëja më e bukur është se ne përfaqësohemi në një festival ndërkombëtar, ku na shohin edhe të trupa të huaja, jo vetëm shqiptare, aq më tepër për një shfaqje të tillë, ku ne tregojmë histori të vetë kombit tonë.
Emocionet u rritën në kulm kur në fund të shfaqjes, në skenë doli Simon Mirakaj, i cili vetë kishte përjetuar tmerrin e kampit të Tepelenës. Ai solli përjetimet personale dhe emocionet e vërteta që buruan nga shpirti i tij, duke ofruar një dëshmi të gjallë dhe të ndjerë që preku thellë zemrat e publikut. Pjesëmarrja e ‘LULE SAJZA’ në PrizrenFest nuk ishte thjesht një shfaqje teatri, por një thirrje për kujtesë dhe reflektim mbi të kaluarën tonë të përbashkët, për të mos harruar kurrë vuajtjet dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë’.
Kasti i aktoreve Raimonda Bulku, Adriana Tolka dhe Valentina Myteveli sollën me zërin e tyre historitë prekëse të fëmijëve, grave dhe të moshuarve që jetuan nën lëkurë torturat e kampit të Tepelenës. Shfaqja ‘Lule Sajza’ e konceptuar deri në detajet më të vogla, si një copëz e qenësishme e Kampit të Tepelenës, me telat e ndalimit, me shkurret therrëse që pengojnë rrugën drejtë lirisë, nga ana tjetër syrgjynosja e njerëzve të rreckosur, që numëronin piklat e ujit për të shuar etjen, nga një ditë e ashpër torure. Në Tiranë premierën e pati në Mars, por u rikthye sërish në muajin Qershor si pasojë e kërkesave të shumta. Mendohet kthimi i shfaqjes nëpër festivale apo në turne të tjerë. Festivali tjetër i afërt është ai i Gostivarit në muajin Tetor.
© SYRI.net