VIDEO/ Genc Kastrati në ‘Odeon’: Kam mësuar vallen popullore në të katërt anët e globit, ja sfida e Ansamblit sot

21:35, 25/05/2024
A+ Aa A-

Koreografi dhe valltari Genc Kastrati i ka dhënë jehonë valles popullore shqiptare anekënd botës. Gjithçka nisi si dëshirë e një vizitori holandez, prë t’u kthyer pastaj në mision. Në ‘Odeon’ Kastrati tregoi edhe për sfidat që u mbeten të rinjve të Ansamblit të Valleve, ndërsa u zotua se do të jetë pranë tyre si model për t’i motivuar në udhën e bukur për të mësuar për traditën e për ta dashur pambarimisht atë.

Pjesë nga biseda:

Egla Xhemalaj: Dua t'ju bëj një pyetje për mësimdhënien. Ju keni 15 vite që mësoni qytetarë të ndryshëm të huaj, ata që kanë dëshirë të kërcejnë vallen e bukur shqipe dhe u jepni atyre leksione prej shumë vitesh. Një sfidë, po dhe një kënaqësi e jashtëzakonshme që edhe ata ta njohin traditën tonë. Si ka qenë gjithë kjo periudhë për ju, për të qenë në krahë të tyre, për të mësuar ata edhe për të kuptuar më shumë për Shqipërinë përmes traditës? Kam dëshirë t'ju bëj dhe një pyetje tjetër. Cila mbetet sfida kryesore e Ansamblit të Valles sot?

Genc Kastrati: Sa i përket mësimdhënies unë kam qenë pedagog në Akademinë e Arteve për vallen popullore shqiptare dhe në Universitetin e Arteve kam hapur degën e dansit në atë kohë. Tani vijon të jetë. Kjo më ka bërë që jo vetëm të krijoj një eksperiencë për vete, por të mendoj që këtë traditë vallen popullore t'ua mësoj edhe të tjerëve.

Sigurisht, këtu e 15 vite më parë për herë të parë jam takuar me një të huaj i cili ishte shumë i interesuar për vallen popullore shqiptare. Ai është shtysa kryesore e misionit të prezantimit të valles popullore nëpër botë. Bëhet fjalë për një holandez, i cili vjen pa më njohur fare, pa njohur askënd. Kontakton nëpërmjet internetit dhe më thotë që dua të shoh një koncert të Ansamblit ose një Festival Folklorik. Sigurisht takohemi e thotë Genc pse nuk na e mëson dhe ne të huajve, ne e duam vallen popullore shqiptare.

Kjo ishte shtysa. Nga ajo kohë, kam mësuar vallen popullore çdo vit në të katërt anët e globit, në të gjithë botën, në Amerikë, Kanada, Japoni, në të gjithë Europën dhe e veçanta është që vallja popullore shqiptare është prezantuar në Brazil. Çdo vit këtu vijnë turistë të valleve. Aktualisht kemi turistë që po mësojnë vallen popullore shqiptare, të cilët i kam prezantuar edhe me koreografë të tjerë. Kjo është kthyer në një mision të përhapjes së kulturës shqiptare nëpër botë. Sa i përket përçimit të valles popullore te brezat e rinj dhe e vazhdimit të traditës së Ansamblit te brezi i ri mendoj që jemi në rrugën e duhur.

Mund të them që kam qenë skeptik në një farë periudhe, por duke parë djem e vajza të reja të cilët kanë pasion vallen popullore tashmë unë jam i sigurt që ata do ta çojnë në një nivel më të lartë. Ata nuk kanë shumë për ta çuar, por ta paktën ta mbajnë në nivelin që e madhja Lili Cingu e çoi, po ashtu edhe Rexhep Çeliku, Besim Zekthi apo dhe profesori ynë i nderuar Panajot Kanaçi na e la trashëgimi.

Unë do të jap maksimumin tim meqënëse jam një ndermjetës midis dy brezave, do të bëj të pamundurën që ata ta mbajnë gjallë këtë traditë dhe ky Ansambël të rikthehet në ato maja, në të cilat ka qenë dikur’, tha Kastrati në ‘Syri Tv’.

EMISIONI I PLOTE:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco