VIDEO/ ’U dashuruan nga vallja’, Kastrati tregon historinë e prindërve, valltari: Më ndiqte një paragjykim...

21:31, 25/05/2024
A+ Aa A-

 

Një histori e bukur dashurie që u ngjiz nga një ceremoni martesore. Kështu u lidh jeta e të atit Zeki Kastrati, valltarit e koreografit të njohur me të ëmën, që e adhuroj teksa performonte. Genc Kastrati pohoi në ‘Odeon’ se i ati ishte profesori më i ashpër që kishte, ngase ai dëshironte që i biri të kishte një përgatitje perfekte për të qenë pjesë e valles.

Zeki Kastrati i kujtonte shpesh të birit, Gencit që këtë të fundit do ta ndiqte një paragjykim, ai i birit që identifikohet me prindin artistë, nëse nuk do të ishte në lartësinë e duhur. Lëvizjet e para në valle i kreu që në moshën 5 vjeçare për t’i hapur dyert sukseseve të njëpsnjëshme që do të vinin më pas.

‘Im atë ka qenë valltar profesionist dhe koreograf. Sigurisht, unë jam lindur në Teatrin e Operas pasi nëna ime është dashuruar me babain tim pikërisht prej valles. Nëna me babain janë dashuruar në një dasmë, pra babai ishte shok me dhëndrin kurse nëna ishte me nusen. Babi im kërcen në dasmë, mamaja ime u dashurua me babain. Vallja është lidhja e familjes sime. Nëna e ndiqte në çdo koncert. Ajo nuk e ka lënë ndjekjen e çdo koncerti timin edhe sot e kësaj dite, edhe pse babai nuk është më gjallë që të na ndjeki. Edhe vëllai im ka qenë këngëtar në Opera, kështu që nëna ime gjatë gjithë kohës është prezente në këtë Teatër. Unë si karrierë e kam filluar herët. Pedagogu më i rreptë dhe më i dashur për mua ka qenë babai im. Nga njëra anë ishte i rreptë sepse ai kishte një parim. Nëse ti do ta marrësh ta bësh një gjë, duhet ta bësh e të jesh më i miri, në të kundërt të mos e bësh fare.

Më thoshte shpesh për ty ka gjithmonë një paragjykim sepse nëse ti do t'i hysh kësaj karriere sa  i përket valles të gjithë do të thonë ky është djali i Zeki Kastratit dhe gjithmonë do kesh emrin tim nga mbrapa. Duhet patjetër që të më thonë mua që jam babai i Gencit. Në momentin që unë do të marrë nga spektatorët ju jeni babai i Gencit, atëherë fillon karriera jote.

Në atë kohë, si babai im ishte edhe shumë valltarë të tjerë të jashtëzakonshëm ishte një sfidë e paparë.

Filloi testet e para që në moshën pesë vjeçare. Nisa me koncertet e para të Majit në Teatër të Operas, dal asokohe me një valle dyshe dibrane bashkë me një djalë tjetër që për koeçidencë edhe ai djali e ka emrin Genc. Të dy së bashku bëjmë një valle dyshe dibrane si fëmijë të vegjël. Pas kësaj babai im shikon që unë kisha të dhëna për vallen popullore dhe më përfshin në një projekt tjetër ku në fakt ishte për Teatrin Kombëtar, ku ishte një teatër, që në mes të tij do të kishte valle brezash. Unë filloj dhe bëj një turne me teatrin kur në atë turne isha rreth gjashtë vjeç.

Pas kësaj sigurisht karriera ime merr drejtim. Unë dashurohem dhe vet me vallen popullore. Një nga shtysat kryesore ka qenë nëna ime, pasi kishte tre artistë në shtëpi. Babai ishte valltar dhe koreograf, unë po ashtu valltar, vëllai ishte këngëtar, solist në Opera, pra tre artistë në shtëpi. E gjithë ngarkesa ishte te nëna dhe të gjithë ata që kanë artistë në familje e dinë se çfarë sakrifice është dhe absolutisht është sakrificë për të gjithë familjen. Artisti në një farë mënyre harron familjen, harron çdo gjë e ngarkon shumë më tepër familjen për t'ju përkushtuar artit’, tregoi Kastrati në ‘Odeon’.

EMISIONI I PLOTE:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco