VIDEO/ Genc Kastrati në ‘Odeon’: Duhet ta çonim në fund misionin e Lili Cingut, amaneti i saj ishte...

21:29, 25/05/2024
A+ Aa A-

Mjeshtri i valles popullore Genc Kastrati i ftuar në emisionin ‘Odeon’ rrëfeu veprimtarinë e gjatë artistike, misionin e tij për traditën dhe sfidat e Ansamblit të Valleve sot. Kastrati tregoi për ngjarjen e fundit kulturore, koncertin në nder të figurës së ndritur të mbretëreshës shqiptare të valles popullore Liljana Cingu, për të cilën u kujdes deri në detajet më të vogla.

Trupa e Ansamblit performoi 10 valle, duke i dhënë një harmoi të jashtëzakonshme mbrëmjes së paharruar. Në ‘Odeon’ koreografi tregoi për misionin e papërfunduar të valltares së shumëdashur nga publiku, dhe për amanetin e saj. Për herë të parë përgjatë karrierës, Kastrati nuk u ngjit në skenë mes valltarëve të tjerë, ndërsa arsyen e zbuloi në ‘Syri Tv’. 

‘Largimi nga jeta i të nderuarës, jo vetëm thjeshtë një Mjeshtre e madhe apo Nder i Kombit, por vërtet një Mbretëreshë e Valles Popullore Lili Cingu, ishte pikërisht ajo që na e la në gjysmë këtë koncert. Ishte tashmë detyra jonë, detyra e drejtorit artistik e Sokol Marsit dhe e gjithë drejtorisë së Teatrit të Operas që ta çonin në fund misionin e saj të fundit. Lili Cingu kurrë nuk kishte bërë një koncert për veten e saj. Nëse ishte bërë një koncert, ka qenë pjesë e tij, fjala që bie për Rexhep Çelikun ishte gjithmonë ajo me dikë tjetër, ishte Lili që ndihmonte të tjerët. Në koncertin e fundit që ka qenë me Teatrin e Operas ishte ai dedikuar të madhit profesorit tonë të nderuar Panajot Kanaçit.

Po mundohemi që të bëjmë atë, të cilën ai të gjithëve na ka mësuar. Po mundohemi t'i përçojmë brezave të rinj pasionin për vallen popullore dhe jo vetëm pasionin, por dhe të mos humbasin detajet të cilat i madhi profesor Panajot Kanaçi i kishte me aq përzemër. Lili Cingu që nuk rreshte së theksuari çdo motiv dhe çdo detaj të lëvizjes femërore sidomos. Ajo kishte një informacion të jashtëzakonshëm për gjithçka sa i përket valles popullore. Lili ishte një libër i hapur i valles popullore. Ishte i pari koncert që nuk isha vet në skenë, për arsye që konceptimi kishte shumë komponentë. Për mua kishte shumë më rëndësi koncerti se sa performanca ime në skenë. Doja që patjetër të përçoja atë idenë që Lili Cingu është me ne, do të përçohet tek ne. Pra, realizuam një koncert shumë të larmishëm për sa i përket elementëve të rinj, kishte shumë solistë, kishte të rinj, por edhe vallëtarë me eksperiencë. U munduam që Lilin ta prezantojmë në çdo brez’, tha Kastrati në ‘Odeon’.

Kujtojmë se Genc Kastrati është cilësuar nga legjenda e valles Lili Cingu, si biri i saj shpirtëror e si valltar i denjë për të trashëguar brez pas brezi traditën e bukur të valles. 

EMISIONI I PLOTE: 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco