Kryevepra e Gerhart Hauptmann në shqip

Kryevepra e Gerhart Hauptmann në shqip

16:40, 17/04/2024
A+ Aa A-

Nga Shpëtim Doda

Shërbimi në shqip (siç e vështroj përkthimin) nga Edvin Cami ‘Para perëndimit’, veprës së fundit të Gerhart Hauptmann-it, e vënë përpara pak ditësh në skenën e teatrit Metropol, më përballi me disa interesa dhe grishje, që impenjimet, prioritetet dhe rrethanat e ditës më patën shtyrë t’i ndryja në sirtar, si të thuash.

Si një ‘dramaturgu race’, falë dhe përmes vënies në lëvizje dhe shfrytëzimit të një regjimi skopik qelizor, me ‘Para perëndimit’ Gerhart Hauptmann sjell një dramë, e cila mbart një tanishmëri që i kapërcen kufijtë e ngushtë kohë-hapësinor.

Ndonëse natyralizmi, e më pas realizmi radikal dhe simbolizmi, përfaqësues i spikatur i të cilëve ishte, shpërfaqen rryma qartazi të kapërcyera e fort pak joshëse për kulturën e kohëve tona (nëse vërtet ka ende një të tillë), vepra e Hauptmann vijon të ngastojnë, të ngacmojë, të skandalizojë dhe të sfidojë, jo vetëm shqisat dhe sistemin perceptiv e ndjesimor të njeriut të kohës në të cilën u shkrua, por dhe të njeriut të kohës tonë, i dorëzuar pa kushte përpara telematikës dhe inteligjencës artificiale, të cilat janë mediume dhe, si të tilla, janë të paafta qoftë për të menduar, qoftë për ta shtyrë njeriun të mendojë.

Ky tipar i veprës është rrjedhojë e prirjes dhe e aftësisë së Hauptmann-it për ta nxitur spektatorin që ta vështrojë e përjetojë gjithë sa ndodh në skenë, jo si paraqitje e një të shkuare muzeale, mbase edhe të fosilizuar, por si gjerdan ngjarjesh, që jo thjesht ndikojnë, por edhe formësojnë në një shkallë aspak të vogël të tashmen. E parë sipas kësaj perspektive, ‘Para perëndimit’ na shpalos thelbin dhe atë sekret dramaturgjik që Hauptmann- ia fsheh me mjeshtëri syrit sipërfaqësor-shprehimisht, të qenit e kësaj drame një paraqitje e përditësuar dhe e modernizuar e ‘Mbreti Lear’ të Shakespeare, e traumës së shpërbërjes së një marrëdhënieje familjare të menduar dhe vështruar si të pazhbëshme, por që përballë shtysave dhe natyrës egoiste të njeriut shpërfaqet një realitet i brishtë.

Jemi në ato raste, kur arti merr trajtën e bisturisë. Njëlloj si Mbreti Lear, Mathias Clausen vëren në perëndim të jetës se si dashurinë dhe përkujdesin që u pati treguar gjatë tërë jetës, fëmijët po ia shpërblenin me zemërim e urrejtje patologjike. E parë nën dritën e dramës si një e tërë, kjo shpërbërje e marrëdhënieve familjare për hir të, dhe në shtysën e frymës materialiste që po hidhte rrënjë në kohën e tij, është pikërisht edhe dielli i vërtetë, perëndimin e të cilit synon të paraqesë që në titullin e dramës Hauptmann (Sonnenuntergang), por që në shqip është e pamundur të përcillet.

E shtratëzuar në suazat e kritikës radikale ndaj shoqërisë dhe njeriut të kohës së tij, duke u përpjekur të ndriçojë skutat më të errëta të natyrës dhe psikës njerëzore, Hauptmann na sjell një dramë, që besoj se do të gjejë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar mes spektatorëve të vendit tonë, njëlloj siç ka gjetur mes spektatorëve të mbarë botës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco