VIDEO/ Justina Aliaj në ‘Odeon’: Nuk dola 18 vite në skenë, u paralizova nga emocionet kur u ktheva

21:34, 24/02/2024
A+ Aa A-

I përfolur shumë për zhurmën që krijoi ‘Festivali i 11-të i Këngës’ qe ëndërrprerës për këngëtarë e artistë, të cilët performuan. Një pjesë e mirë e tyre u internuan larg qytetit, në të cilin jetonin. Të njëjtin fat pati edhe këngëtarja e aktorja Justina Aliaj. Akuza ishte e qartë sipas udhëheqësve, artistja e shumë të tjerë i hodhën helm spektatorit.

Justina Aliaj: Nuk ishte rastësi që të nesërmen e festivalit, Egla, ne kalonim rrugës dhe dëgjuesit e shikuesit që na kishin ndjekur këndonin këngët tona, të kapshme, të ëmbla, me melodi. Tri netë kishin që e dëgjonin.

Egla Xhemalaj: Ishte bërë refreni i ditëve.

Justina Aliaj: I shihje në biçikletë duke fishkëllyer.

Xhemalaj: Dhe për të kulmuar pastaj në Festivalin e shumëzhurmshëm, ‘Festivalin e 11 - të Këngës’. E mbani mend atë performancë, atë mbrëmje?

Justina Aliaj: Oh, të lutem! Sa mirë do kishte qenë të mos përmendej më. Ka mbaruar, ishte një destin, ishte një fat.

Egla Xhemalaj: Ishte e shkruar që të ndodhte. 

Justina Aliaj: Kishte ardhur radha, siç ishte në ushtri dhe gjithkund. Ne nuk e ndienim, se kur je i pastër, art po bëj unë. Nuk mundesh me më thënë armik i popullit. Ika 18 vite, nuk munda të dalë më në skenë dhe pastaj, pas 18 viteve dola me këngë të Shpëtim Kushtës  të titulluar ‘Nëna’, tregoi mes emocionesh këngëtarja në emisionin ‘Odeon’ në Syri Tv.

Rikthimi qe momenti që gdhendi mrekullisht në zemrën e artistes një ndjenjë të re, të papërshkuar.

Egla  Xhemalaj: Si e gjetët skenën e si e gjetët publikun shqiptarë, kur u kthyet pas 18 vitesh? Çfarë kishte ndryshuar?

Justina Aliaj: Asgjë. Ishte e magjishme. Unë jam paralizuar. S’e di si nuk jam rrëzuar në skenë, kur kam dalë. Më kanë hedhur lule. Ka qenë gjëja më e bukur që mbaj mend në jetën time.

Egla Xhemalaj: Keni qenë shumë e emocionuar, besoj.

Justina Aliaj: Jashtë mase, veç kam ngelur e mpirë nga duartrokitjet.

Ajo kohë ka qenë e vështirë për artisten, megjithatë Justina Aliaj nuk iu dorëzua kurrë fatit që i shkroi regjimi diktatorial. Këngëtarja luftoi për të qenë sërish nga të parat në udhën e artit, dashuri të cilën e shpërfaq edhe sot, mes Shqipërisë dhe Belgjikës, ku nuk mungojnë as shkëndijat për projekte të reja.

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco