Dita për të përkujtuar lindjen e poetit martir, Havzi Nela: 20 shkurt 1934

Dita për të përkujtuar lindjen e poetit martir, Havzi Nela: 20 shkurt 1934

13:32, 20/02/2024
A+ Aa A-

Sot përkujtohet në ditën e tij të lindjes, poeti Havzi Nela: 20 shkurt 1934 - 10 gusht 1988.

Lindi më 20 shkurt të vitit 1934 në fshatin Kollovoz të Kukësit. Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme, nisi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Për shkak të bindjeve, u përjashtua nga instituti si element destruktiv.

Mes shumë vështirësish, filloi punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë në Mat. U dëbua nga ky fshat për shkak të dyshimeve që ishin ngritur rreth tij: mendohej se u lexonte nxënësve poemat e tij.

Më vonë arriti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë. Punoi si mësues në fshatra të ndryshëm, si në Krumë, Lojma dhe në Shishtavec deri në vitin 1967, vit kur u transferua në Topojan.

Aty kontrollohej vazhdimisht dhe u mor në paraburgim shumë herë. Ndaj tij nisën një sërë kufizimesh mbi llojin e punës që mund të bënte dhe ku mund të jetonte.

Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, Lavdien, kaluan kufirin me Kosovën. Gjatë kalimit të kufirit, u arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit.

Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB-së.

Më 22 maj 1967 u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri. E gjithë pasuria e tij u konfiskua.

E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg. Më 8 gusht 1975, dënimit ekzistues iu shtuan edhe tetë vite të tjera. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, u internua në fshatin Arrën. Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës, dhe ai u dënua me varje.

Është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë”.

* Marrë nga Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist, ISKK, Tiranë,2017
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco