Më datë 20 shkurt 1815 lindi Sulejman Vokshi

Më datë 20 shkurt 1815 lindi Sulejman Vokshi

08:02, 20/02/2024
A+ Aa A-

Më datë 20 shkurt të vitit 1815, lindi një prej figurave me më tepër epërsi në zhvillimet e Lidhjes së Prizrenit, Sulejman Vokshi.

Në gjirin e një familjeje gjakovare të spikatur për veprimtari patriotike, u mbrujt i gatitur për t’u flijuar në emër të lirisë së kombit. Qe në vijë të parë të luftës për fitimin e pavarësisë së plotë të mbarë trojeve shqiptare. Themeloi dhe priu, politikisht dhe ushtarakisht, Lidhjen e Prizrenit.

Në një hark kohor të shkurtër, nën drejtimin e tij, pushteti administrativ e ushtarak i Lidhjes së Prizrenit mundi të konsolidohej duke u shtrirë drejt Shkupit, Prishtinës, Mitrovicës, Gucit, Vuçiternës, Preshevës etj. Në cilësinë e kryetarit të shtabit të forcave shqiptare, mori pjesë në luftën e zhvilluar kundër forcave osmane të Dervish Pashës, për mbrojtjen e Lidhjes në Shtimje e Slivovë.

Shfaqi qendresë të patundur ndaj pushtuesit osman, edhe pas shpërndarjes së qeverisë së Lidhjes. Në vitin 1885, organizoi në Kosovë një kryengritje të radhës kundër zgjedhës së huaj. Përpjekjet e tij të palodhura për lirinë e vendit, mund t’i kushtonin edhe jetën. Për aktivitetin e tij atdhetar, Gjykata e jashtëzakonshme e Prizrenit e dënoi me vdekje, vendim ky që nuk gjeti zbatim, pasi Vokshi u lirua nga burgimi.

Vokshi radhitet ndër udhëheqësit e luftëtarët më ngulmues të popullit shqiptar në luftën për arritjen e sigurimit të unitetit kombëtar e shtetëror. Figura e tij u përjetësua jo vetëm në historiografi, por edhe në këngët popullore historike të asaj periudhe.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco