Rrëfimi i veçantë i Fatos Kongolit në ‘Odeon’: Lexuesin e kam frikë, fatkeqësia më e madhe për një autor është mos të lexohet

21:06, 27/01/2024
A+ Aa A-

Një prej zërave më të fuqishëm në letrat shqipe, shkrimtari i mirënjohur Fatos Kongoli rrëfeu në emisionin ‘Odeon’ me Egla Xhemalaj në SYRI TV veprimtarinë e gjatë e të vazhdueshme në kanonet letrare në Shqipëri, marrëdhënien me lexuesit, raportet me shkrimtarët e tjerë, si dhe muzën e frymëzimit nga e cila pati dallgët e pashtershme të krijimit.

Shkrimtari i tha gazetares Egla Xhemalaj, se e ka frikë lexuesin e sotëm, ngase burimet e informacionit janë të gjithanshme.

‘E konsideroj veten me fat sepse që në fillim kam pasur lexuesit e mi. Unë lexuesin e kam frikë, po në ç'kuptim e kam frikë? Që në fillim kur ulem që të shkruaj, synimi im kryesor është që ta përthith që në faqet e para, mundësisht që në rreshtat e para sepse siç e thashë e kam frikë lexuesin e sotëm ngase është edhe pak i tërhequr. Ai lexon faqen e parë, faqen e dytë dhe po s'i pëlqeu e mbyll librin e s'të lexon fare. Kjo është fatkeqësia më e madhe e shkrimtarit sot, që të mos lexohet’, tha Kongoli.

Shkrimtari ndau me shikuesit e ‘Odeon’ edhe një prej momenteve më emocionuese, kur u botua vëllimi me tregime ‘Shqetësime të ngjashme’ dhe reagimet e kritikës, në veçanti asaj në Kosovë.

 ‘Atëherë punoja në shtëpinë botuese ‘Naim Frashëri’. Vjen një ditë ky zotëria që s'është më dhe thotë pse nuk i boton këto shkrime. Bëri çbëri i mblodhi ato. U bënë 100 faqje daktilografike, me një titull kot. Atë gjeta ‘Shqetësime të ngjashme’, ky ka qenë vëllimi im i parë me tregime që botova. Më vonë, kur ka qenë sërish koha e diktaturës e pritën mirë librin, ndërsa në Kosovë u prit në mënyrë shumë kritike. U botua asokohe një artikull me titullin ‘Shqetësime që nuk shqetësojnë’ (qesh).

Mua më mbeti në mendje. Në fillim, u mërzita shumë, por atëherë isha në fazën e talentit të ri si me thënë dhe ai artikulli më ka bërë shumë mirë’, tregoi shkrimtari.

Shkrimtari foli në ‘Odeon’ edhe për raportin e veçantë me Nobelisten polake Olga Tokarçuk, me të cilën qe takuar në vitin 2020 në një rezidencë shkrimtarësh në Paris. Ai zbuloi se nobelistja pati dashur, që librat e tij të botoheshin në Poloni. Përveç bisedave për letërsinë shqipe e botërore, shkrimtari krijoi një miqësi të çmuar me nobelisten.

Një kohë që e pati vuajtur edhe shkrimtari qe ajo e diktaturës, megjithëse ai s'u bë kurrë palë e pushtetit.

‘Në kohën e diktaturës problemi më i madh me këdo që fillonte të shkruante ka qenë autocensura. Duhet të botoje në përputhje me kornizën e kohës. Në atë kohë ka pasur shumë shkrimtarë, në veçanti poet, ata ishin viktimat e para. Përgjatë regjimit dikatorial poezia ka qenë më e godituara, ndërsa poetët paguanin haraçe shumë të mëdha’, u shpreh Kongoli.

Nga historitë e shumta që ndau me shikuesit e ‘Odeon’, Fatos Kongoli rrëmoi në kujtime, ndërsa zbuloi se subjekti i romanit ‘Bolero në Vilën e Pleqve’ ishte ngacmuar nga një letër që e ëma e përkthyesit Edmond Tupe i dërgonte të atit (të përkthyesit). Mes emocionesh Kongoli tha se këto kanë qenë çaste që kanë shënjuar në jetën e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco