Avokat Josif Kedhi, kryeministri i harruar i Shqipërisë, dhe nevoja për njohjen e historisë

Avokat Josif Kedhi, kryeministri i harruar i Shqipërisë, dhe nevoja për njohjen e historisë

11:16, 28/11/2023
A+ Aa A-

Nga Nikola Kedhi/

Shqipëria kremton sot 580 vjetorin e ngritjes së flamurit në Krujë nga Gjergj Kastrioti, 111 vjetorin e Pavarësisë me ngritjen e flamurit ne Vlorë dhe 79 vjetorin e Çlirimit në përfundim te L II Botërore. Shqiptarët mbeten ende në pritje të një 28 Nëntori te katërt, kur të arrijnë te largohen nga mentaliteti dhe zinxhirët e komunizmit, e të përqafojnë kapitalizmin e tregut të lirë, meritokracinë, punën, prodhimtarinë, pronën, traditën, historinë e vërtetë, familjen, liritë e individit, institucionet e forta e shtetin ligjor. Nderimi që mund t’i bëhet datës 28 Nëntor është të punuarit për këtë Shqipëri të mundësive, kapitaliste dhe patriotike. Ka pas një kohë, kur shteti shqiptar ishte në fillimet e tij dhe punohej realisht për nje Shqipëri të tillë. 

Që Shqipëria të ngrejë një të ardhme, me të tërë elementët e mësipërm, nuk mund të harrojë të kaluarën. Në fakt, ka nevojë therrëse të rikujtojë të kaluarën, të mësojë prej saj, dhe të mos harrojë sidomos gabimet e kryera. Komunizmi në gati gjysmë shekulli kreu një nga krimet me të tmerrshme, deformimin e fillit historik, duke dëmtuar një nga aspektet më të rëndësishme të individit, raportin me të kaluarën, pa të cilën nuk ndërtohet e ardhmja. Ajo që mund të bëjë secili prej nesh, në një kohë kur ende historinë e keqshkruajnë po të njëjtët ithtarë të komunizmit është të ndihmojë në rekuperimin e këtij filli historik, me aq sa mundet, e duke e nisur nga vetja. 

Ndaj në këtë ditë, që përkon dhe me 79 vjetorin e vdekjes së tij, si çdo vit unë do doja të përkujtoja dhe avokatin Josif Kedhi, deputet i Republikës së Shqipërisë (1923-1925), më pas Ministër i Drejtësisë (1926-27), dhe de fakto Kryeministër i vendit në kohën kur Ahmet Zogu ishte President dhe Ministri i Drejtësisë drejtonte qeverinë e paraqiste programin qeverisës përpara Kuvendit. Historiani Kastriot Dervishi e quan atë kryeministri i harruar i Shqipërisë, pasi si me shumë të tjerë, historiografia komuniste e çoi drejt harresës.

Ai vjen nga një familje patriotike e Vlorës, dhe me hershëm e Beratit, të cilët i kanë dhënë sipas mundësive atdheut, si në shërbimin publik, dhe në sektorin privat. Kujtoj këtu jo vetëm punën e Ministrit Kedhi, por dhe veprimtarinë e Stefan Kedhit, sekretar i Ismail Qemalit e më pas nënkryetar i Bashkisë Vlorë, apo Tol Kedhin, një prej sipërmarrësve të parë të Vlorës dhe anëtar i Odës së Tregtisë. Josif dhe Tol Kedhi vinin nga një familje tregtarësh prej disa brezave, dy nga katër fëmijët e Kozmait, një tregtari nga Berati, dhe Katerinës, të bijës së një konsulli shqiptar në Austri. 

Ndërsa i vëllai Toli e zhvilloi veprimtarinë tij në sektorin privat, si një sipërmarrës i suksesshëm në Vlorë, në disa sektorë, Josifi e dha kontributin e tij në arenën publike.
Kedhi, i shkolluar jashtë dhe me një veprimtari në fushën e jurisprudencës, është hartues i kodit të parë penal në shtetin e ri shqiptar, sipas praktikave më të mira europiane, i ngarkuar nga Ahmet Zogu për të reformuar sistemin e drejtësisë. Ka dhënë kontributin e tij dhe në Asamblenë Kushtetuese, me rikthimin e legalitetit në vend, pas revolucionit të qershorit ’24.

Njëkohësisht me përpjekjet për vendosjen e qetësisë, dhënies së koncesioneve, zbutjes së problemeve ekonomike, Zogu në veprimtarinë e tij i kushtoi një rëndësi të veçantë krijimit të një kuadri ligjor të ri, i cili do ta ndante përfundimisht shtetin shqiptar nga trashëgimia shumë shekullore osmane. Në vitin 1926 në mesazhin që i dërgoi Josif Kedhit, me rastin e emërimit si ministër Drejtësie, Zogu i bëri të qartë platformën për të ndryshuar sistemin ligjor që kishte Shqipëria, pasi shumica e ligjeve që vepronin, ishin të trashëguara nga Perandoria Osmane. Për këtë arsye, me vendim të Këshillit të Ministrave më 5 gusht 1926 u krijua Komisioni ligjpërgatitës, me detyrë krijimin e një kuadri ligjor modern për shtetin shqiptar. 

Ai së pari, arriti në përfundimin se, duhej hartuar një Kod i ri penal, pasi çdo modifikim që mund t’i bëhej të vjetrit, jo vetëm që do të ishte i kotë, por edhe i pafrytshëm. Në nëntor 1926, në përgjigje të kërkesës së deputetëve, ministri i Drejtësisë, njëkohësisht kreu i Këshillit të Ministrave, Josif Kedhi deklaroi se për Kodin penal, do të merreshin pjesë nga kodet e Italisë dhe të Francës dhe ishin duke u parë të gjitha kodet penale moderne, por do të merreshin ato pjesë që i përshtateshin zakoneve dhe traditave të vendit.

Disa vite pas lënies së detyrës, ai u dërgua si përfaqësues i Monarkisë nga Mbreti Zog, së bashku me Kostandin Kisin, në Stamboll ku u morr dhe përmbylli me sukses negociatat për shpalljen e Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Disa burime që kam hasur thonë se pasi marrëdhëniet me Nolin u përmirësuan, mbreti Zog i kërkoi Kedhit që të bindte Nolin të merrte drejtimin e Kishës Shqiptare, gjë që Noli e refuzoi. 

Mbas mbarimit të detyrave shtetërore, u rikthye ne qytetin e Vlorës ku u morr me profesionin e tij. Ka qenë një ndër juristët dhe gjyqtarët më të njohur të kohës, me detyra në disa qytete të Shqipërisë, dhe gjyqtar për çështjet në lidhje me Luftën e Vlorës. Ka qenë i përfshirë në çështjet gjyqësore më të mëdha të qytetit. Gjithsesi, edhe pas rikthimit si qytetar privat, mbeti një figurë e angazhuar dhe përfaqësuese e qytetit. Sipas dëshmive historike, në vitin 1929 ishte pjesë e delegacionit që priti kryeministrin Kote me makina jashtë qytetit të Vlorës dhe mbajti fjalën përshëndetëse për Mbretin Zog.

Një nga ngjarjet interesante të kohës, që tregon se në thelb nuk kemi ndryshuar shumë prej atëherë, është mosnjohja e zgjedhjeve për Asamblenë e Bashkisë Vlorë, më 8 janar 1929. Zgjedhjet për Asamblenë e Bashkisë përfunduan në gjykatë, me paditës ata që i humbën këto zgjedhje. Këta të fundit pretendonin se në zgjedhje kishin votuar njerëz të paligjshëm që nuk duhet të votonin.

Nga ana tjetër ata që kishin fituar deklaroheshin se edhe nëse hiqeshin ata që kishin votuar në mënyrë të paligjshme, rezultati I nxirrte përsëri fitues. Pala paditëse u përfaqësua në gjykatë nga avokat Josif Kedhi, kurse pala e paditur nga avokat Avdul Kuçi. Seancat gjyqësore u ndoqën nga një numër i madh qytetarësh dhe paria e qytetit. Ngjarja pati jehonë të madhe në qytet, i cili ishte ndarë edhe atëherë, si tani, në dy pjesë.

Në vitin 1937 ka qenë pjesë e Komisionit të kremtimeve të 25 vjetorit të Pavarësisë. Ishte përfaqësues i Vlorës në dasmën e Mbretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë. 
Nëse do të shihen disa prej vendimeve apo fjalimeve të tij vihen re disa koncepte që sot asociohen me të djathtën dhe nga mungesa e të cilave vendi vuan dhe sot: meritokracia, pavarësia e gjyqësorit, administratë efikase, një xhandarmëri funksionale për të vënë rendin e qetësinë, shëndetësia dhe kultura e edukata kombëtare, si dhe nevoja për respektimin e traditës, dhe rëndësia e sipërmarrjeve private. Në politikën e jashtme, vihej theksi te Shqipëria si element paqtues në Ballkan dhe fqinjësi e mire. Mbahet nga shumë studiues si kryesues i reformave të thella në legjislacion.

Një ndodhi interesante qe kur ishte deputet e ishte ndër të paktët që replikoi ne seancën e betimit të qeverisë së Zogut kryeministër, pas shpalljes së prioriteteve të tij, ku pati pakënaqësi nga ana e Kedhit për programin e vakët për sa i përket Ministrisë së Drejtësisë. Deputeti Kedhi tha ndër të tjera:  “Shteti formohet me gjak, me pushkë, po mandej me drejtësi. I lutem qeverisë këtë pikë ta marrë parasysh".

Sot ne ditën e çlirimit nga pushtuesi fashist, duhen kujtuar dhe figurat e vërteta patriotike, ata që vërtet luftuan pushtuesit, si Hysni Lepenica, Komandanti i Përgjithshëm i Ballit për Jugun, një patriot i bindur, i cili luftoi pushtuesit fashistë, dhe ishte një antikomunist i vendosur,  e për këtë u la në harresë nga historiografia komuniste. Është mirë që në ditë të tilla të kujtojmë me dhjetra e qindra figura historike që kanë kontribuar për vendin dhe komunizmi i dënoi me harresë. Nderimi më i madh që mund t’u bëjmë figurave të tilla është të vendosim Shqipërinë të parën, ashtu si ata, dhe patriotizmin ta shprehim me veprimet tona të përditshme, dhe jo kur është e modes per ta bërë. 

E djathta në Shqipëri ka një trashëgimi që nis shumë më përpara vitit 1990. Ne duhet të jemi krenarë për çka është arritur nga ajo, nga rrymat antikomuniste, si në vitet e Mbretit Zog, në vitet 90-të, ashtu dhe në vitet 2005-2013. E djathta në këtë vend ka qenë në anën e duhur të historisë, ka luftuar për një komb të fortë, ekonomi të zhvilluar dhe kohezion social. 

Ndaj, pa njohur historinë, pa marrë nga eksperienca e së kaluarës, nga tradita dhe kultura, dhe pa qenë krenar për çka është arritur më parë, nuk ngrihet dot e ardhmja, as e vendit dhe as e të djathtës.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco