A është vetëm arkeologjia që mund të na e ndriçojë antikitetin?

A është vetëm arkeologjia që mund të na e ndriçojë antikitetin?

17:39, 08/06/2023
A+ Aa A-

Nga akademik Artan Fuga.

A është vetëm arkeologjia, shkenca që mund të na ndriçojë antikitetin?

Nuk mund të jenë vetëm gërmimet arkeologjike që na zbulojnë antikitetin, ashtu sikurse ai është paraqitur në territorin e vendit tonë.

E them këtë sepse shoh që zakonisht në studimet për antikitetin, arkeologjia funksionon sipas një metode monodisiplinare, dhe jo ndërdisiplinare.

Ku e shoh këtë?

Po ja, kur vete të rivizitoj gati çdo vite muzetë antike qoftë në Butrint, në Durrës, në Apoloni, shoh atje vetëm statuja, enë të vjetra, armë, si edhe gërmime, rrënoja muresh, ngrehinash, varre të vjetra etj.

E shoh sepse projektet për antikitetin zakonisht u jepen vetëm arkeologëve si edhe studjuesit e arkeologjisë bashkëpunojnë pak, për të thënë aspak me studjuesit e tjerë të shkencave humanitare.

Për të mos thënë se edhe shoh edhe në monografi apo doktoratura ku përmbyllja vetëm në arkeologji, ndofta edhe në ndonjë citim të vakët historik u është dukur se mjafton.

Kjo është një metodë arkaike, e vjetër, e kapërcyer rëndë. Nuk ka përse i vjen keq kujt për këtë.

Për antikitetin japin njohuri dhe informacione shumë të rëndësishme edhe filozofia, sidomos historia e filozofisë, letërsia, sidomos historia e letërsisë, anatomia e trupit njerëzor, studimi i genomeve njerëzore dhe i ADN, antropologjia e krahasuar, për të mos kaluar në shkencat teknike dhe ato kompjuterike të leximit numerik të kodeve të të shkruarit, etj., etj.

Ja, çfarë më jep historia e filozofisë, a mund të ma japë me kaq hollësi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë arkeologjia me gjithë fuqinë e saj të pamatë zbuluese?

Duke lexuar filozofët e antikitetit grek ose romak, gjej skena habitati shumë të hollësishme. Si uleshin njerëzit që kuvendonin, si ishte organizuar salla, ku ishin kuzhinat, fjetoret e skllevërve, si hapej banesa në oborrin e saj, madje edhe për objekte prej druri që tanimë janë zhdukur nën rrënoja, si ishin vendet e ndejtjes, tavolinat, madje edhe pozicionin e rehatshëm të njerëzve ulur në një darkë, çfarë hanin, pinin, si ngrinin dollitë, si ishin enët që mbanin ushqimet dhe pijet, si ishin ndërtuar rrugët dhe kopshtijet, etj.

Madje edhe monumentet historia e letërsisë dhe e filozofisë apo edhe besimeve fetare na i shpjegojnë në kuptimin e tyre dhe jo thjesht si forma të caktuara trupore.

Pa u bërë arkeologjia një shkencë tepër ndërdisiplinore ne do të kufizojmë shumë njohjen e botës antike në territorin e sotëm shqiptar, do të kemi muze që flasin shumë më pak se ç'duhet, dhe shkalla e interpretimit subjektiv të objekteve të gjetura do të jetë e skajshme.

Në muze ne nuk kemi nevojë vetëm të shohim, por edhe të kuptojmë. Dhe kuptimin nuk e jep vetë objekti, por e jep fjala, koncepti, që vijnë nga analiza e teksteve filozofike, fetare, letrare.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco