Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Rama arreston drejtorët e Veliajt

'Luba', një dashuri që vërvitet mes kohërash dhe zhvesh sistemin diktatorial

'Luba', një dashuri që vërvitet mes kohërash dhe zhvesh sistemin diktatorial

16:37, 18/03/2023
A+ Aa A-

Nga Alessia Selimi

Sot, gjithçka njeh kompromis. Edhe dashuria, substanca më e qenësishme për njeriun. Duket se ajo përdhoset, blihet e zëvendësohet lehtësisht me një tjetër dashuri. Me një tjetër fytyrë e tipare, tjetër buzëqeshje e shikim. Sepse sot, të dashurosh është akt dobësie. E të qenit i dobët, askush nuk ta fal. Përjashtohet nga kjo gjyqësi forcash thuajse çdokush: gërnjari, lakmitari, madje edhe i pabesi, po kurrsesi i dashuruari. Nuk është aspak panoramikë e re apo surprizuese, por padyshim më e plotë, ku, në lëmin e së keqes, veçohet e mira se gjithçka vërvitet rreth individit e jo kolektivit.

Në Tiranën nevrastenike, silueta e zëra të ’60-’70 bëhen bashkë për të na folur pikërisht për më të shtrenjtën gjë, që duket se mbijeton edhe mbi tokë e qiell të përbaltur. Mbi podiumin e Teatrit Eksperimental është Luba ajo që rrëfen e para, edhe pse si të ish e fundit. Por kush është Luba, përveçse një grua e damkosur vetëm sepse është e huaj? Ajo është gjithçka përpos asaj studenteje të re dhe të bukur që në vendlindje, Kiev, njeh bashkëudhëtarin e saj besnik. Atë që nuk zgjodhi ta linte pas krahëve, por ta merrte në Shqipëri dhe të krijonte një familje. Atë që nuk hoqi dorë prej saj edhe nën represionin komunist, kur u detyrua të mendonte për jetën e tij. Dragush Gjerko është emri rreth së cilit Lubës i rrotullohet jeta, kësaj gruaje të regjur e të mbytur në lot, që evokon mbi skenë sekuenca makabre të së shkuarës.

Gjerko s’ishte veçse një bashkëshort e familjar i devotshëm, që punonte në fabrikë në një nga fshatrat e thella të Veriut, pa e ditur se një gjyq kolektiv e priste, paradoksalisht për ndikim dhe shfaqje të huaja borgjeze e revizioniste. Ai gjithashtu nuk e dinte se do të merrej në një mbrëmje të vonë, krah Lubës, për t’u dërguar në një nga qelitë e Hetuesisë dhe për t’u torturuar deri në pikën e një ulërime therëse. E si të ishte në dijeni, kur dashurinë e kishte parë të mëkuar nga dëlirësia e larg komplotit e paranojave së një shteti të tërë kriminal?

Image

Shpejt do të kthjellohej në burgun famëkeq të Spaçit - mes të vdekurish në botën e të gjallëve – se terrori i regjimit komunist është çka të shemb themelet. Jo dashuria. Se dashuria i jepte frymë edhe përmes letrash dhe se e ushqente si asnjë gjellë e gatuar. Në të njëjtat konkluzione do të dilte edhe Luba, ndërsa mundohej për të siguruar lejen e vizitës. Terrori i regjimit komunist të shemb themelet dhe PIKË. Të kruspullos gjymtyrët e të bën të njohësh edhe kafshërinë në trupa njerëzish mbi ty.

Dragushi ndërroi jetë e la pas vetes Lubën, fare fillikat. Pa një atdhe për t’u rikthyer, duke u kacafytur me të sajin fat të zi, sepse do t’i lëshoheshin të njëjtat akuza, ato të agjentes së huaj. Por Dragushi ndërroi jetë dhe mbajti me të qeshura edhe një grusht njerëzish të panjerëzishëm. Ishte një prej tyre – gardian burgu – që do ta njihte autorin Ylljet Aliçka me këtë histori tragjike.

Ai e ftoi për një shëtitje në qytetin e Matit, asokohe kur shkrimtari ishte mësues i zonës, me premtimin se do t’i tregonte një histori që do ta shkrinte së qeshuri; historinë e Lubës dhe Dragushës, dy të rinjve të shkërmoqur nga zemra kriminale e diktaturës.

Ylljetit nuk i qeshi asnjë pore në lëkurë, megjithatë, një reagim pati. Ylljeti solli për publikun e gjerë shfaqjen teatrale “Luba”, si dhe nxiti një pyetje që ndoshta përgjigje konkrete nuk kanë. Për dritën, dashurinë, errësirën e komunizmin.

*Shfaqja teatrore “Luba” vjen në skenën e Eksperimentalit nga autori Ylljet Aliçka, regjisori Armand Bora, koreografja Veroniki Chatzopoulou, kompozitori Enis Mullaj e aktorët Xhoana Karaj, Kristian Koroveshi, Igli Fusha, Livion Aliaj, Klaudio Gega dhe Eno Basha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco