Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

Më 15 mars 1925  u themelua Banka Kombëtare e Shqipërisë

Më 15 mars 1925 u themelua Banka Kombëtare e Shqipërisë

10:58, 15/03/2023
A+ Aa A-

Më 15 mars 1925 u themelua Banka Kombëtare e Shqipërisë

Më 15 mars 1925, u dekretua nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Ahmet Zogu, pranimi i konventës për themelimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e nënshkruar prej Ministrit të Financave, Mufid Libohova, njëkohësisht zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në përfaqësim të Shtetit Shqiptar, nga njëra anë, dhe Grand Ufficciale Mario Albertit, nga ana tjetër, si përfaqësues i grupit financiar të rekomanduar nga qeveria italiane.

Në bazë të marrëveshjes, banka do të kishte një kapital nominal prej 12,5 milionë frangash ari.

Ky kapital do të përfaqësohej nga 595 mijë aksione. Çdo aksion mbartte me vete të drejtën e një vote, por vlera e tyre monetare nuk ishte e barabartë. Aksionet do të ndaheshin në: aksione themeltare dhe aksione ordinere.

Banka do ta fillonte veprimtarinë e saj financiare sapo të kishte depozituar në një nga bankat më të rëndësishme të Zvicrës nga kapitali i saj nominal një shumë prej 2,5 milionë fr. ari.

Në bazë të konventës, shtetasit shqiptarë kishin të drejtë të merrnin pjesë në kapitalin e bankës deri në masën 49% të kapitalit aksioner, pra më pak se gjysma.

Drejtoria qendrore e Bankës do ta kishte selinë në Tiranë. Konventa do të ishte në fuqi 50 vjet dhe do të përsëritej sipas marrëveshjes që do të bënin të dyja palët në mbarim të afatit. Banka do të ishte në harmoni me ligjet e shtetit shqiptar dhe do të çelte degë si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë.

Ajo fitonte të drejtën ekskluzive të nxjerrjes së kartëmonedhave; të kryente çdo veprim financiar e bankar; të caktonte kursin ligjor të monedhës dhe t’i siguronte asaj një vlerë të pacenueshme për pagesat në Shqipëri. Banka gëzonte të drejtën të ruante në depozitë fondet e Shtetit Shqiptar; të kryente shërbimin e thesarit; të hynte në bisedime për huatë qeveritare dhe bashkiake. Në mbarim të konventës, nëse ajo nuk përsëritej, materialet dhe ndërtesat e bankës do të kalonin në pronësi të Shtetit Shqiptar.

Sasia e kartëmonedhave që banka do të vinte në qarkullim duhej të kishte një mbulesë në ar ose argjend (në shufra ose në monedhë) të paktën sa 1/3 e vlerës së kartëmonedhave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco