Nju Jork, një libër mbi historinë frymëzuese të veprimtarit shqiptar Skënder Thaçi

Nju Jork, një libër mbi historinë frymëzuese të veprimtarit shqiptar Skënder Thaçi

22:36, 02/10/2022
A+ Aa A-

Dje në qytetin e Nju Jorkut u prezantua për publikun libri me titull ‘Skënder Imer Thaçi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi’. Ky libër është ndërtuar duke u bazuar në historinë e pazakontë dhe frymëzuese të Skënder Thaçit, një veprimtar dhe humanist shqiptar që rrjedh nga një familje patriotike. Ai përjetoi shumë vuajtje në jetë, por sot është një biznesmen i suksesshëm dhe aktivist i madh i çështjes shqiptare.

Në këtë fotografi të vitit 1961 shihet Skender Thaçi me vëllain binjak Nerimin në një burg në Nikshiq të Malit të Zi.

Image

Ata u burgosën në moshë të re sepse ishin bijtë e nacionalistit dhe patriotit Imer Thaçi, i vrarë dhe i zhdukur nga UDB-ja Jugosllave kur ata ishin vetëm dy vjeç.

Historia e pazakontë e familjes Thaçi nuk mbaron me kaq. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, aktivisti dhe humanisti shqiptar Skënder Thaçi thotë se megjithatë sfidat që e përcollën gjithë jetën, ishin tre shtylla që e mbajtën në këmbë.

‘Babain tim që dha shumë, që nga pushtimi i Shqipërisë në vitin 39 e deri në çlirimin e atdheut, Shqipërisë. Burgosjet, arratisjet, pastaj Komiteti ‘Shqipëria e Lirë’ që ai drejtoi në ish-Jugosllavi, sa e lau edhe me kokë. Ato ishin pasojat familjare që ne u burgosëm si dy vjeç, unë me vëllain tim, me nënën time, me gruan e xhaxhait dhe është një rast unik tjetër që gruaja e xhaxhait ka lindur djalin në burg në Nikshiq të Malit të Zi dhe nëna ime e ka pagëzuar me emrin Burge. Forcën tjetër unë e kisha Cucë Avdylin në Gygysen, si një heroine që në atë kohë ishte përleshur me sllavo-malazezët në Tropojë, në Gygysen. Ato ishin të gjitha motivet dhe vuajtjet që më shtynë për të qenë ky që jam’, tha zoti Thaçi për Zërin e Amerikës.

Heroina e zotit Thaçi është nëna e tij, Bade Thaçi. Ajo kishte arritur që pavarësisht vuajtjeve të mbajë familjen e bashkuar drejt synimit për t’u ringritur.

 ‘Unë kam punuar që fëmijë, për të kontribuar për të ndihmuar nënën time për t’u ushqyer. Ajo ka punuar arave dhe tokave të Gucisë në atë kohë me dy fëmijë jetim, me burrë të zhdukur nga UDB-ja, pa asnjë përkrahje. Rikthimi jonë në Kosovë prapë ka qenë sfidues, nga zero pa asnjë mbështetje, pa asnjë ndihmë. Dhe e gjithë kjo është konsoliduar në zhvillim, intelektual dhe profesional. Në fund të viteve 90 ne ishim me biznes. Dhe unë isha në Shqipëri për të përcjell atë amanetin e babait tim që duhet të bëj diçka për vendin tim’, shtoi aktivisti Thaçi.

Sot, Skënder Thaçi është pronar i disa resorteve turistike dhe drejtues i shoqatës që mbështet turizmin në Kosovë, një filantrop dhe një nga kontribuuesit më të mëdhenj të çështjes shqiptare.

Kjo histori frymëzuese është pjesë e librit me titull ‘Skënder Imer Thaçi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi’, e cila u promovua edhe në Shtetet e Bashkuara në një ceremoni të organizuar nga Federata Panshqiptare Vatra në Bronks të Nju Jorkut.

‘Është historia që çdokush nga ne ka një copëz që e gjenë veten. Ose ka humbur prindërit, ose ka përjetuar persekutimin e familjes ose janë dëbuar nga vendi për arsye të ndryshme. Të gjithë ne duhet të marrim mesazhet e këtij libri dhe t’i shohim me një sy tjetër dhe të mendojmë që edhe ne mundemi të bëhemi njerëz më të mirë, të kontribuojmë për vendin në forma të ndryshme’, tha autorja e librit Leonora Laçi.

Kryetari i shoqatës Vatra, Elmi Berisha tha se ngjarje si kjo ndihmojnë në lidhjen edhe më të madhe të brezit të ri të shqiptaro-amerikanëve me rrënjët.

‘T’i joshim edhe më shumë gjeneratat e reja që të jenë pjesë e Vatrës, pjesë e proceseve të mëdha, por mbi të gjitha që të mishërohen me patriotizmin, me veprën, me luftën dhe sakrificën e kombit shqiptar dhe disa familjeve në veçanti’, tha zoti Berisha për Zërin e Amerikës.

Pjesëmarrësit në këtë ceremoni shprehën mirënjohjen e tyre për librin.

‘Është një vepër e një punë fenomenale Ju falenderoj për udhëtimin tuaj këtu. Ju falenderoj që na sollët këtë histori që ne do ta lexojmë dhe kujtojmë njerëzit që kontribuan për atdheun tonë’, tha aktivisti shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari.

‘Të emocionon aq shumë dhe të mbush me aq shumë dhimbje por edhe me një lloj force shpirtërore se si njeriu edhe i ballafaquar me gjithë këto vështirësi kaq të mëdha, jen një moment kur i përballon ato, ia del mbanë dhe bëhet njeri i shquar’, tha ish Ambasadori i Shqipërisë në Britani, Mal Berisha.

Në të ardhmen, planet janë që libri të botohet edhe në gjuhën angleze. /VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco