VIDEO-SYRI TV/ Traditë dhe kulturë shqiptare, promovohet 'Dasma e Zadrimës' në Lezhë

10:16, 28/06/2022
A+ Aa A-

Ruajtja dhe promovimi i traditave dhe kulturës,  kanë nxitur institucionet lokale në Lezhë, të promovojnë dasmën e Zadrimës.

Nga SYRI TV

Në fshatin Mabë të Lezhës, u mbajt një aktivitet i veçantë kushtuar promovimit të të gjitha vlerave të dasmës së Zadrimës.

Që nga kostumografia, por edhe ndjekja e ritualeve për marrjen e nuses, aktiviteti u konceptua si një dasmë tradicionale, i cili ngjalli kureshtjen e të pranishmëve. E veçantë ishte se te burra e gra si dhe te vajza të zonës mbizotëronte veshja tradicionale zadrimore, një ndër veshjet me të vjetra dhe më të bukura shqiptare.

Ajo që spikaste në këtë ditë ishte padiskutim nusja, e veshur në cdo detaj si nuset e shumë brezave më parë dhe që transmetonte vlera të rralla të ruajtjes së veshjeve e stolive që nusja zadrimore mbante në ditën më të rëndësishme të saj.

Më shumë se 200 këngë tipike zadrimore i këndohen nuses në ditën e dasmës,  ndërsa nuk mungon edhe sofra e shtruar me petullat dhe mjaltë e të tjera produkte tradicionale, të cilat “dasmorët” patën mundësinë t’i shijonin.

Taze Ndoci, fituese e disa mimeve të para në festivalet folklorike kombëtare, shprehet së është shumë kënaqësi të këndosh në vendlindje duke kujtuar dhe rikthyer në vëmendje 'Dasmën Zadrimore'.

Shaqe Ndreca, një tjetër banore e Zadrimës thotë se po rikthehet në dasma veshja e Zadrimës, ndërsa shumë gra po i ruajnë me fanatizëm këto veshje tradicionale.

Brezi i ri e sheh të pamundur rikthimin e dasmave në Zadrimë më këtë lloj rituali, pavarësisht se  për ta veshja  Zadrimore mbetet  më e bukura.

Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë, Paulin Zefi, tregon detajet sesi dikur bëhej një dasëm zadrimore me të gjitha ritualet e saj.

Studiusi Frano Kulli shprehet se dekada më parë ka përjetuar një dasmë të tillë, ndërsa edhe sot u soll me të gjitha detajet nga organizatorët

Në rolin e mikpritëses, administratorja e njësisë administrative Dajç, Majlinda Miloti, vecoi faktin se vitet e fundit po përdorën disa nga ritualet të vjetra nga dasma e Zadrimës.

Fokusi kryesor i aktivitetit nëpërmjet improvizimit të "Dasmës zadrimore”,  kishte për qëllim promovimin dhe ruajtjen e traditës e të vlerave kulturore dhe artistike si dhe mbajtjen gjallë të traditës dhe përcjelljen e saj tek brezat e rinj.

Zadrima është një pararojë e kësaj tradite të shkëlqyer, pasi është i vetmi vend që përdor ende masivisht veshjet tradicionale të trashëguara nga të parët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco