Mbushen 78 vjet nga genocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek

Mbushen 78 vjet nga genocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek

09:26, 27/06/2022
A+ Aa A-

Sot përkujtohet 78-vjetori i masakrave ndaj popullsisë çame. Çamëria përbën grupin e katërt të krahinave etnografike, që formojnë Toskërinë, e cila sot në territorin grek korrespondon me prefekturën e Thesprotisë. Në kohërat antike thesprotët, së bashku me fiset Molose e Kaone përbënin fiset kryesore të Epirit.

Çamëria shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë, nga lumi i Pavllës e deri në gjirin e Prevezës, ku bëjnë pjesë rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margëlliçit, të Paramithisë, të Pargës e të Prevezës, njofton Muzeu Historik Kombëtar.  

Çamëria zë një sipërfaqe prej 4 000 km katrorë, me një vijë bregdetare prej 107-108 km. Ajo ka një popullsi prej më shumë se 75. 000 frymësh, e cila është tërësisht shqiptare.

Trojet shqiptare të Çamërisë u zaptuan nga Greqia gjatë Luftërave Ballkanike dhe u aneksuan nga Konferenca e Ambasadorëve me vendimin e 11 gushtit të vitit 1913.

Vija përfundimtare e kufirit u vendos në Traktatin e Firences, më 17 dhjetor 1913. Traktati i Lozanës i vitit 1923 iu dha shkas qarqeve drejtuese të Athinës, që të dëbojnë me dhunë çamët nga trojet e tyre.

Masakrat ndaj popullsisë çame nisi më 27 qershor të vitit 1944, nën udhëheqjen e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva. Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë në rajonin e Paramithisë.

Forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (EDES) hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë. Popullsia e Parathimisë u kap në befasi. Numri i civilëve të vrarë ka qenë: në Filat 1286, në Gumenicë 192, në Pargë 620 dhe gjatë periudhës 27 qershor 1944 deri në mars 1945, u vranë 2771 civilë.

Si pasojë e këtij genocidi, rreth 25.000 e pjesës së popullsisë myslimane së Çamërisë, u shpërngulën dhe u vendosën në qytetet shqiptare.

Gjatë shpënguljes së tyre e ikjes së tyre drejt Shqipërisë, rreth 2400 njerëz kanë humbur jetën gjatë rrugës, për shkak të mungesës së ushqimit dhe vuajtjeve.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datë 30 qershor 1994 e shpalli 27 qershorin si “Dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Shumë pjestarë të komunitetit çam, më 27 qershor të çdo viti, përkujtojnë në Qafë-Botë të afërmit e tyre që u masakruan nga shteti grek gjatë viteve 1913-1944.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco