Më 3 shkurt të vitit 2017 u shua Dritëro Agolli

Më 3 shkurt të vitit 2017 u shua Dritëro Agolli

08:17, 04/02/2022
A+ Aa A-

Më 3 shkurt të vitit 2017, u shua poeti, prozatori, publicisti dhe politikani, Dritëro Agolli.

Agolli lindi më 13 tetor të vitit 1931 në Menkulas të rrethit të Devollit, ku do të merrte edhe mësimet e para. Vijoi edukimin në Gjirokastër e më pas u zhvendos drejt Shën Petërburgut, për të ndjekur studimet e larta në Fakultetin e Arteve.

Që prej vitit 1973, Agolli ka qenë kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Për vjet me radhë, ka ushtruar profesionin e gazetarit në të përditshmen “Zëri i popullit” dhe për disa legjislatura ka shërbyer si deputet. Krijimtaria letrare që ai la pas përfshin një laryshi gjinish, si: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Disa prej veprave më të rëndësishme të shkrimtarit janë përkthyer anekënd.

Vepra e tij poetike më e shquar është “Nënë Shqipëri” (1975), ku përvijohen traditat heroike të vendit. Në këto tone, ka shkruar romanin “Komisari Memo” (1969), si edhe një sërë vjershash dhe poemash, në të cilat pasqyrohet fryma heroike e periudhës së Luftës Nacional-Çlirimtare (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj.).

Mes krijimeve të tij satirike, romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973) veçohet për një kontribut letrar të pamohueshëm. Në këtë kronikë të karrierës së palavdishme të një zyrtari, Agolli ironizon skematizmin dhe konfirmizmin e burokratëve.

“Hapat e mia në asfalt” (1961), “Zhurma e erërave të dikurshme” (1964), “Shtigje malesh dhe trotuare” (1965), “Mesditë” (1968), “Njeriu me top” (1975); “Fjala gdhend gurin” (1977), “Kalorësi lakuriq” (1996), “Arka e djallit” (1997), “I përndjekuri i dashurisë” (2013) etj, janë vetëm disa nga titujt e veprave të shumta të Agollit.

Agolli u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare pas një sëmundjeje kronike në mushkëri. Krahas angazhimeve të lartpërmendura, pena e tij arriti të depërtonte në “terrenin” e tingujve, pasi qe edhe tekstshkrues këngësh. Në dokumentin më poshtë, gjendet partitura e këngës së titulluar “Kush më njeh mua”, prezantuar në festivalin e 11-të të këngës në RTSH, me tekst të përgatitur prej Agollit.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco