Ndahet nga jeta Monica Vitti, Ikona e kinemasë italiane

Ndahet nga jeta Monica Vitti, Ikona e kinemasë italiane

13:37, 02/02/2022
A+ Aa A-

Aktorja italiane Monica Vitti, një ikonë e njohur më së miri për rolet prej protagonisteje në filmat e Michelangelo Antonioni, u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare, bëri të ditur të mërkurën Ministria e Kulturës.

‘Lamtumirë Monica Vitti, lamtumirë mbretëreshë e kinemasë italiane. Sot është një ditë vërtet e trishtuar, kemi humbur një artiste të madhe dhe një italiane të madhe’, tha Ministri i Kulturës Dario Franceschini.

Vitti fitoi famë ndërkombëtare me filmin dramatik Aventura më 1960, ku ajo luan rolin e një gruaje të trazuar e cila kishte marrëdhënie me të dashurin e shoqes së saj të humbur gjatë një udhëtimi në Mesdhe.

E lindur në Romë, më 3 nëntor 1931, Vitti – emri i vërtetë i së cilës ishte Maria Luisa Ceciarelli – e zbuloi pasionin për teatrin gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur argëtonte familjen me kukulla për të thyer mërzinë.

‘Ndërsa bombat binin, kur na duhej të strehoheshim në bodrum, unë dhe vëllai i vogël improvizonim pjesë të vogla për të argëtuar ata që kishim rrotull’, tregonte vite më vonë.

Pas mbaroi studimet në Akademinë Kombëtare të Arteve Dramatike në Romë më 1953, ajo nisi karrierën në teatër, ku u dallua për talentin komik.

Ajo u vu re nga Antonioni, me të cilin krijoi shpejt një marrëdhënie artistike dhe sentimentale.

‘Isha me fat që e nisa karrierën me një njeri me talent të madh’, por që ishte edhe ‘spiritual, plot jetë e entuziazëm’, thoshte Vitti në një intervistë me televizionin italian më 1982.

Ish-Ministri i Kulturës Walter Veltroni dha lajmin e vdekjes së Vittit me një tweet. Ai shkroi se ia kishte kërkuar ta bënte Roberto Russo, burri i artistes, dhe shprehu ‘dhimbjen, afeksionin e keqardhjen’.

Aktorja, e cila vuante nga një sëmundje degjeneruese, ishte tërhequr nga jeta publike vitet e fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco