Lasgush Poradeci dhe Tefta Tashko, dyshja e këngës së famshme 'Kur më vjen burri nga stani'

Lasgush Poradeci dhe Tefta Tashko, dyshja e këngës së famshme 'Kur më vjen burri nga stani'

09:31, 31/01/2022
A+ Aa A-

A e dini cili është autori i tekstit të këngës shqiptare që gëzon shumë popullaritet, “Kur më vjen burri nga stani”? Lasgush Poradeci, liriku i letrave shqipe, ka qenë i besuari i sopranos Tefta Tashko Koço, si vargshkrues i dhjetëra këngëve në repertorin e saj. Në dy letërkëmbime që i përkasin fondit personal të poetit, pjesë e pasurisë dokumentare që strehohet në AQSH, sopranoja e falenderon për bashkëpunimin.

Në letrën që daton në maj të vitit 1937, Tefta Tashko i shpreh Poradecit vlerësime sipërore, si edhe i kërkon përkthimin e një operete franceze që dëshironte ta përfshinte në koncertet e saj.

“Të rite e vitevet të mi”, “Fryn Veriu”, “Foli nëna me vajtim”, “Mall’i vjershëtorit”, “Kroj’i fshatit tonë” dhe “Kush ta fali bukurinë”, janë disa nga poezitë e Poradecit që u hodhën në pentagram për artisten shqiptare.

Në maj të vitit 1937, Tefta Tashko i shkruante poetit nga Roma:

“Romë, 9 maj 1937

Fort i nderuem zotni,

Me anën e vëllait tem Gaqos, mora coupletin e Serenatës të Shubertit që patët mirësinë ta shkruanit dhe ju falenderoj tepër.

Sot mora prapë letër prej vëllait dhe më thotë se i pate propozuar që të bënim me kënaqësi përkthimin komplet të kësaj serenade, si dhe zgjatimin e këngës popullore “Kur më vjen burri nga stani”. Unë nga ana jonë jam fort e prekur prej ofertës suaj dhe ju falënderoj shumë që më parë.

Jam aq e gëzuar se do të jetë e para herë që do të më jepet rasti të këndojë fjalët e një poeti shqiptar, që gjithë atdheu ynë e njeh dhe admiron talentin e tij. Po ky rast është edhe më i pëlqyeshëm për mua, meqënëse poezitë tuaja do t’i këndojë për enregjistrimin e pllakavet që do bëjë fare së afërmi në Milano. Gjë që më duket ngjet për të parën herë në Shqipëri.

Po të jetë se disponon dhe pak kohë më shumë, mund t’u lutesha për përkthimin e operetës lexhere franceze “Le caeur et la main”, ….

Për të gjithë këto përsërit falënderimet e mia, duke i pritur sa më shpejt. Pranoni ju lutem zotni të falat e mia të sinqerta.

Me mirënjohje

Tefta Tashko”.

ImageImageImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco