Dr. Luan Topçiu dekorohet me gradën e lartë 'Kalorës për Merita Kulturore' nga Presidenti i Rumanisë

Dr. Luan Topçiu dekorohet me gradën e lartë 'Kalorës për Merita Kulturore' nga Presidenti i Rumanisë

23:26, 14/01/2022
A+ Aa A-

Më 13 janar, dita e lindjes së poetit kombëtar të Rumanisë, Mihai Eminescu, e cila është dhe Dita Kombëtare e Kulturës Rumune, Presidenti i Rumanisë, Klaus Werner Iohannis, dekoroi shtatë personalitete në fushën e kulturës dhe të artit. Ceremonia e dhënies së dekoratave u zhvillua në Pallatin Presidencial Cotroceni në Bukuresht, në sallën qëndrore të ceremonive.

Ndër të dekoruarit ishte edhe studiuesi, kritiku letrar dhe përkthyesi shqiptar Dr. Luan Topçiu, i cili u dekorua me Urdhrin “Merita Kulturore”, me gradën Kalorës, me motiviacionin “Në shenjë vlerësimi për talentin letrar dhe kontributet e rëndësishme në promovimin e kulturës dhe qytetërimit rumun”.

Ndër të dekoruarit ndodheshin edhe personalitete të njohura botërisht, siç është kompozitori, interpretuesi dhe dirigjenti i mirënjohur, Gheorghe Zamfir, akademiku Mircia Dumitrescu etj.

Në ceremoninë e dekorimit, presidenti Klaus Iohannis deklaroi se: “Dita Kombëtare e Kulturës Rumune është edhe një rast që shoqëria rumune të shprehë mirënjohjen e saj ndaj kontributit të artistëve bashkëkohorë për pasurimin e thesarit të kulturës rumune. Ne shprehim mirënjohjen tonë për rolin e personaliteteve kulturore rumune në modernizimin dhe demokratizimin e Rumanisë, për aderimin në vlerat europiane Perëndimore... Në këtë kontekst, ju keni marrë përsipër, përmes aktivitetit dhe veprës suaj, misionin për të pasuruar kulturën rumune dhe për ta promovuar ballë botës mbarë.”

Të pranishëm në këtë eveniment ishin Ministri i Arsimit të Rumanisë:  Prof. Dr. Sorin-Mihai Cîmpeanu, Ministri i Kulturës, Lucian Romascanu, Nënkryetari i Akademisë së Shkencave të Rumanisë, Akademik Victor Voicu, këshilltari për kulturën pranë presidentit rumun, Sergiu Nistor, Presidenti i Institutit të Kulturës Rumune, Liviu Sebastian Jicman si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit rumun.

Lajmi është transmetuar nga të gjitha kanalet televizive më të rëndësishme dhe nga mass-media rumune.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco