U nda dje nga jeta/ Rrëfimi i Edi Luarasit për vitet e dënimit

U nda dje nga jeta/ Rrëfimi i Edi Luarasit për vitet e dënimit

12:49, 04/12/2021
A+ Aa A-

Dje i gjithë arti shqiptar ishte në zi.

Emblema e Festivalit XI në Radio Televizion Shqiptar, Edi Luarasi u shua në moshën 81-vjeçare.

Lajmin e vdekjes e ndau djali i aktores, Eldon Luarasi, i cili njofton po ashtu edhe orarin dhe vendin e ceremonisë mortore.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë se sot, më datë 3 dhjetor 2021, ndërroi jetë nëna jonë e shtrenjtë, Edi Mirdita Luarasi”.

Edi Luarasi nuk ishte një nga ata njerëzit që preferonte daljet mediatike.

Në një nga intervistat e saj të pakta, ajo do të tregonte për vitet e vështira pas dënimit të të shoqit dhe largimit nga Teatri Kombëtar, asokohe Popullor.

“Ishin ditët nga më të bukurat, por dhe ditët që po përgatitej skema e goditjes ndaj Mihallaqit. Kishte vite që Sigurimi i Shtetit po kërkonte ta dënonte gjoja për prirje liberale. Dhe rasti erdhi në Festivalin e njëmbëdhjetë. Ai Festival që bëri bujë. Unë isha prezantuese. Kisha veshur një fustan të bardhë, të gjatë deri në fund të këmbëve. Orkestra në disa raste kur luante çohej në këmbë. Emocionet ishin të mëdha. Dy herë prezantuese, kur dihet që të gjithë sytë i kishin në Radio Televizion, pasi Festivali ishte ngjarja më e madhe kulturore e vitit. Festivali bëri bujë. Këngët e Festivalit këndoheshin në rrugë. Mua më përshëndesnin kudo. Pa u shuar gëzimi, erdhi goditja. Mihallaqi u gjykua për tendenca të huaja, pikëpamje në kundërshtim me vijën e Partisë. Pra, ajo që Sigurimi e priste, erdhi. Mihallaqi u dënua me 8 vjet burg”.

E paskëtaj pasoi largimi nga Teatri Kombëtar dhe një jetë e vështirë: Nga skena në punë krahu.

“Nuk kishte rrugë tjetër. Një jetë tjetër më priste. Një jetë larg skenës. U futa në punë në rrobaqepësi. Ishte një punë e re, por që e kapa shpejt. Atëherë unë, për të marrë gjysmë pension, më duhej të punoja punë si hamalle që të plotësoja 15 vjet punë të vështirë. Më duheshin 6 muaj për të plotësuar kaq vite punë. Pra, kjo punë mund të ishte e barasvlershme vetëm në qoftë se punoja si hamalle. E provova, por s’e përballova. Ngrija arka me domate. Vetëm një muaj munda. Kaq, u bëra kockë e lëkurë”, shton ajo. Bashkë me largimin nga teatri, nisi edhe izolimi.

“Disa miq nuk na flisnin më. Ndoshta kishin të drejtë. Dhe unë u shmangesha. Bile në shtëpi kisha vendosur perde të errëta që të mos dukesha nga jashtë. Doja të isha sa më larg realitetit”, tregonte dikur Luarasi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco