Pasunarët e rinj dhe ‘Egërsia’ e Nicola Lagioia

Pasunarët e rinj dhe ‘Egërsia’ e Nicola Lagioia

09:43, 29/11/2021
A+ Aa A-

Nga Enkel Demi

Zvetënim.

Nëse do dëshironim që ta përblidhnim vetëm me një fjalë romanin “Ergërsia” të Nicola Lagioia, e vetmja që më shkon ndër mend është “zvetënim”.

Ky është një nga romanet më të rëndësishëm të shkrimtarit të mirënjohur italian, i cili vjen për publikun e gjerë shqiptar, falë publikimit të Shtëpisë Botuese “Toena”. Në vitin 2015 me këtë vepër Nicola Lagioia fiton çmimin më të rëndësishëm për letërsinë italiane, “Strega”. Bëhet fjalë për një nga shkrimtarët më të vlerësuar në vendin përballë, nga më të përkthyerit në shumë gjuhë të huaja. Nuk ka çmim letrar që Lagioia nuk e ka marrë, por të gjitha këto janë të dhëna, shenja që të çojnë tek ai. Në fakt, kur lexon romanin “Egërsia” kupton arsyen e vërtetë përse është kaq i çmuar ky autor.

Ta nisim sërish aty ku e lamë, tek zvetënimi. Në këtë libër, më e drejtë të themi në këtë sagë familjare kemi rënien e një familje të rëndësishme ndërtimtarie në jugun e Italisë. Një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të botës së çuditshme të Pulias duhet të përballet në të njëjtën kohë me shpërbërjen e “perandorisë” së tij kapitaliste dhe me shthurjen po në të njëjtën kohë të familjes, së cilës i këputet filli, kur vajza e shtëpisë, Klara “vret veten”.

Në të gjitha recensionet që mund të lexojmë në shtypin e huaj fillesa e shpjegimeve nis këtu me këtë vajzë, me tragjedinë e saj, nëpërmjet së cilës kuptojmë zvetënimin e një familje të madhe, e cila ka realizuar ëndërrën më të lakmueshme mesdhetare; ka bërë para të madhe.

Autori ka shkruar një sagë klasike, me një stil tejet modern. Është një rikthim i letërsisë së madhe të fundshekullit XIX dhe fillimshekullit XX, ku në qendër të vëmendjes është bërthama e shoqërisë, familja, e cila shkërmoqet si mos më keq nga etja për para, pushteti i parasë, pangopia, varësia që ka robi ndaj “magjisë” së pasurisë.

Kjo nuk është aspak e re në letërsi, përkundrazi. Goethe do të na e tregonte në mënyrë aq mbresëlënëse me “Faustin”, kurse Balzac do të na e rrëfente fort bukur tek “Lëkura e shagrenit”. Në thelb kemi gjithmonë zvetënimin e robit, por në të njëjtën kohë të një shoqërie të tërë që sillet rreth tij. Është “pakti me djallin” që njeriu duhet të bëjë, në mënyrë që të fitojë, të përmbushë grykësinë e tij, pasi do të ushtrojë pushtetin, egocentrizmin, të shpikë një besim të ri, një moral të ri, një shoqëri të re, në bazë të së cilës është fitimi, kërkesë-oferta, por që e than njeriun si një sistem ndjenjash, si një sistem ëndërrash, si një sistem qëllimesh. Njeriu bëhet funksional, bëhet mjet, por mbetet pa shpirt. Kush e kupton këtë ka pak rrugëzgjidhje. Atij i bie të jetë ose mbijetues dhe luftëtar brenda një shoqërie që nuk njeh mëshirë ose të çmendet a të shkojë të “vrasë veten”.

“Egërsia” është një libër i këtillë, ku gjen botën e çoroditur të pasunarit të ri. Ngjarjet janë të vendosura në Bari të Italisë, fare pranë Shqipërisë, por nga faqja në faqe ti gjen vendin tënd, Tiranën, Durrësin, Vlorën. Ti gjen një ndërtues që blen gjithçka, lejet, tenderat, gjykatësit, politikanët, por nuk blen dot dashurinë e bijve të vetë, nuk blen dot qetësinë familjare, pasi për lumturi as që bëhet fjalë.

I ul të tërë në një tryezë për të ngrënë, për të “festuar”, por përherë “detyrohet” të çohet të flasë në telefon, të fitojë, të bëjë business si do ta quante ndonjë i ngjashëm me të në vendin tonë. Dhe ai ka shumë shokë në Shqipëri; janë dallkaukët që ne i thërrasim “pasunarët e rinj”. Janë ata që na qesëndisin, kur kalojnë me makinat e tyre të shtrenjta, kur përlyhen nga koka te këmbët me Moët, tek festojnë zhurmshëm. Janë ata që kanë lënë një grua të larë me ar në shtëpi, e cila është në garë me kohën dhe fryhet si tollumbace prej kirurgut plastik. Është ajo zonja që ia beson fëmijët shërbyeses filipinase dhe kërkon të flasë anglisht me dialektin e katundit të lindjes.

Pasunarët e rinj janë ata që gruan dhe fëmijët i dinë karta krediti, ndërsa bëjnë nga një palë fëmijë të tjerë me vajzën e showbiz-it që i ngjan Kardashianëve. Janë fëmijë që nuk para ua jep atësinë, por i mban me para, me makina luksoze që mbushin hundët, kur janë ende në moshën e pubertetit.

Pasunarët e rinj janë ata, të cilët kur kapin të 60-at ngjyejnë kokën me bojë, mbjellin flokët, bëjnë filler që të zhdukin rrudhat, por u ka dalë gunga që ua fryn teshat e shtrenjta si Quasimodo.

Pikërisht, këtë zvetënim na e rrëfen gjakftohtë Nicola Lagioia, i cili të merr për dore dhe të tregon botën që shembet në sytë e tu. Nuk ka mësime morale, nuk ka mëshirë në këtë rrëfim, teksa sheh se si rriten fëmijët pa vëmendje, pa dashuri, të cilët më të pranishëm kanë në jetën e tyre shoferët e shtëpisë se sa prindërit. Zbulohet bota e do njerëzve që çdo gjë e zbërthejnë në numër. Shkolla pëlqehet sa e shtrenjtë është, biri apo bija me çfarë marke vishet, jeta e humbur duhet kompesuar me një kantier që po na merr në qafë të gjithë punët. Një baba që humb gocën në çastin që mëson kobin ka hall të flasë me avokatët për kantierin që po i bën gropën pushtetit të parasë, pastaj merret me mortin që duhet të gatisë.

Në këtë libër gjen njerëz që kanë harruar të qeshin, të lozin, të jenë të pafajshëm, të jenë të padjallëzuar, të kënaqen nga pika e shiut që bie mbi gjethe. Askush nuk i gëzohet flladit që zbut vapën, nga një libër i mirë, nga një film që po jepet në televizor.

Në këtë roman gjen bijtë që duhet të luftojnë për t’i mbijetuar pasurisë së etërve. Këta djem e vajza ndonjëherë ia dalin, mund të kenë sukses, të bëhen fjala vjen mjekë të dalluar, njerëz, të cilët shoqëria i mban si ujët e pakët, por për fat të keq ata janë të paaftë të dashurojnë, ndaj e gjejnë paqen tek kurvat.

Ka të tjerë që përhumben, janë të dobët, nuk ia dalin dot, ndaj ose çmenden, ose marrin arratinë, ose “vrasin veten”.

“Egërsia” i Nicola Lagioia është një doracak i asaj që po i ndodh dhe do i ndodhë Shqipërisë sonë që po vret gjithçka… e Shqipërisë, të cilës po i groposin lashtësinë, historinë, vetëm që të ndërtojnë kulla për të pastruar para… e Shqipërisë që po humb çdo gjë identitare për ta vjedhur, korruptuar e kurvëruar.

“Egërsia” është doracaku i pasunarëve të rinj, i shkretëtirës që ata krijojnë në kulmet ku fusin kokën, por edhe në monstrën shoqërore që duan të ndërtojnë, në mënyrë që të kënaqin grykësinë e pamatë, të cilën e plazmojnë në pushtet monstër të ngjashëm me një Frankestein.

Në fund të këtij shkrimi duhen thënë dy fjalë për kënaqësinë e leximit. Ky është një roman i arrirë që rikthen letërsinë e angazhuar, letërsinë e vërtetë, e cila ka për mision rrëfimin, që ka subjekt, që ka linja, personazhe, detaje, përshkrime të mrekullueshme. Nga faqja në faqe mjeshtëria e autorit të sjell në mënyrë filmike ambjentin ku zhvillohen ngjarjet, zhurmat, muzikën, veset, njeriun e sotëm, të ashtëquajtur modern. Kemi të bëjmë me një përvojë leximi, e cila nuk të mërzit kurrë, nuk kthehet asnjëherë në monotoni, kurse leximtari shkon e noton në tekst herë në një det të qetë, herë në dallgët e stuhisë, por është gjithmonë i përfshirë sa nuk e lëshon dot librin nga dora.

Në radhë të parë kjo është mjeshtëria e shkrimtarit, por duhet theksuar se një meritë e madhe i takon shqipëruesit Erion Gjatolli, i cili e ka sjellë këtë roman në gjuhën tonë pa i humbur asgjë në leksik, në pasurinë e tij, në kontekst dhe nënkontekst.

Në fund, duhet vlerësuar pa masë Shtëpia Botuese “Toena”, e cila ka prurë për publikun e shqiptarisë një autor, për të cilin ka për t’u folur gjatë kudo që botohet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco