Noel Malcolm shpallet fitues i çmimit të parë për albanologët e huaj nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Noel Malcolm shpallet fitues i çmimit të parë për albanologët e huaj nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë

11:30, 28/11/2021
A+ Aa A-

Studiuesja e njohur italiane Lucia Nadin dhe David Hosaflook shpallen fitues të vendit të dytë të çmimit të albanologjisë që mban emrin "Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli".

 Pas mbylljes së Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike që u mbajt për tri ditë rresht nga data 25-27 nëntor, tek Akademia e Shkencave e Shqipërisë u bë shpallja e fituesve të çmimit “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli” për albanologët e huaj.  

Sir Noel Malcolm ka fituar çmimin e parë “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli”.

 Ai u vlerësua nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë për veprën për agjentët perandorakë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë në botën mesdhetare "Knights, Corsairs, Jesuits and Spies in the Sixteenth Century Mediterranean World" me motivacionin: “Vepër e bazuar në një njohje sovrane të burimeve arkivore, tregimtare të literaturës së specializuar, në të cilën, me argumente gjithëpërfshirëse, jepet një kuadër impresionues i historisë së botës adriatiko-mesdhetare e i mbarë Europës së shekujve XVI-XVII, me pikënisje e duke ndjekur fatet e anëtarëve të një familjeje fisnike shqiptare, nga e cila dolën luftëtarë, intelektualë, klerikë e diplomatë të shquar e të vlerësuar sa në oborret e Europës aq edhe në ish-perandorinë otomane”, tha kryetari i jurisë akademik Pëllumb Xhufi.

Lucia Nadin ka fituar çmimin e dytë “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli”

Ajo u vlerësua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për veprën "Figura e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (nga historia te miti: shek. XV-XVIII)" me motivacionin:

 “Vepër që finalizon një punë të gjatë e të mundimshme, me një analizë në 360 gradë, në kërkim të gjurmëve që lidhin historinë e Shqipërisë me atë të Venedikut, duke pasur në qendër figurën e Gjergj Kastriot-Skënderbeut dhe receptimin e saj në mjedisin veneto-padovan, mbështetur në dëshmi arkivore, artistike, letrare, historiografike të zbuluara e të vlerësuara drejtpërsëdrejti, që nxjerrin në pah impaktin e jashtëzakonshëm që pati në Venecie dhe në territoret e shtetit të Venedikut figura e heroit të rezistencës arbërore.”, tha akademik Xhufi.

 David Hosaflook ka fituar çmimin e dytë “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli”

 Ai u vlerësua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për veprën "Lëvizja protestante te shqiptarët, 1816-1908" me motivacionin:

 “Vepër në të cilën për herë të parë, në mënyrë të plotë e të thelluar, mbështetur në burime të panjohura, vlerësohet historia e lëvizjes protestante te shqiptarët në periudhën e Rilindjes Kombëtare; roli i kësaj lëvizjeje për njësimin e shkrimit shqip dhe për inkurajimin e përpjekjeve për emancipimin e gruas shqiptare; libër referencial për mjaft aspekte të historisë politike e kulturore të shqiptarëve, që i shton kësaj historie figura dhe ngjarje historike me gjurmë të pashlyeshme.“

 Ceremonia u mbajt me paraqitjen e të nominuarve:  

 1. Noel Malcolm për veprën  “Agents of Empire: Knights, Corsairs, Jesuits, and Spies in the Sixteenth-Century Mediterranean World” 

 2. Lucia Nadin për veprën “Figura e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (nga historia te miti: shekujt XV-XVIII)” 

 3. Roderick Bailey për veprën “Lufta e fshehtë në Shqipëri: Një histori e misioneve britanike 1940-1945”  

 4. Jean-Paul Champseix për veprën “Ismail Kadare, une dissidence litéraire”  

 5. Dhori Q. Qirjazi për veprën “Thimi Mitko, Fjalëtore Shqip-Gërqisht / Gërqisht-Shqip & ndihmesa të tjera leksikografike (Përgatitja e dorëshkrimeve për botim dhe studimi hyrës nga Dhori Q. Qirjazi).”  

 6. David Hosaflook  për veprën “Lëvizja protestante te shqiptarët, 1816-1908” 

 Ceremonia u mbyll me një koncert instrumental nga formacioni Academia Albanica.

 Ceremonia u mbyll me një koncert instrumental, pjesë  e të cilit ishte edhe krijimtaria e akad. Vasil Toles, e titulluar “Valle antike”, interpretuar nga orkestra e harqeve të Akademia Albanica me dirigjimin elegant të maestro Eno Koços . Në finale e Kuvendit të Alabanologjisë janë shpallur katër albanologë anëtarë nderi të Akadmeisë: Sir Noel Malcolm, Brian D. Joseph, José Manuel Floristán dhe Leonardo Maria Savoia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco