Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Droga e Xibrakës

VIDEO/ Panairi i Librit, botuesja: Sjellim tituj jo vetëm për zbavitje, po për hapje mendore, ngritje shpirtërore

VIDEO/ Panairi i Librit, botuesja: Sjellim tituj jo vetëm për zbavitje, po për hapje mendore, ngritje shpirtërore

12:22, 17/11/2021
A+ Aa A-

Vrasja makabre e vëgëlushit Mateo Vasiu në fshatin Grecalli të Fierit ka tronditur shqiptarët brenda dhe jashtë vendit dhe ka mjegulluar të gjitha zhvillimet e tjera, politike, ekonomike sociale etj. Ngjarja e dhimbshme dhe e përzishme ka zënë vendin kryesor në emisionin “Kafe Shqeto” mëngjesin e së mërkurës, ndaj moderatori Flavio Qarri ka tentuar të ndryshojë pak atmosferën e rëndë.

“Jo çdo gjë është zi në këtë vend, - tha Qarri, duke kthyer vështrimin në një zhvillim kulturor: Hapjen e Panairit Mbarëkombëtar të Librit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

E ftuara e ditës qe znj. Aida Baro, kryeredaktore e Shtëpisë Botuese “Pegi”, pjesëmarrëse në panair, që e nisi fjalën me një lutje për vizitorët: “ I ftojmë të gjithë lexuesit që do të vijnë të jenë të pajisur me maskat mbrojtëse, për veten e tyre por edhe ne që jemi gjatë gjithë kohës në stendat tona, duke i pritur, duke komunikuar me ta, duke mbrojtur njeri-tjetrin në fund të fundit.”  

E pyetur për rikthimin e klasikëve në panair, znj. Baro tha: “Klasikët janë të zakonshëm. Çdo shtëpi botuese ka përgatitur titujt e vet, të rinj, klasikë apo bashkëkohorë apo çfarëdolloj tjetër në bazë të linjës së vet editoriale. Edhe ne kemi përgatitur tituj të rinj, janë disa, rreth 4 tituj të rinj për të rritur dhe 5 tituj të rinj për fëmijë. Kështu që kemi pasur një prodhimtari të bollshme për t’i sjellë lexuesit edhe autorë që tashmë janë të konfirmuar si  Margaret Atwood apo Kazuo Ishiguro po dhe autorë të rinj si është Camillo Jose Sela - një nga librat e rinj që kemi prezantuar në këtë panair; “Kosherja” është titulli i librit. Është një autor spanjoll që ka fituar Çmimin Nobel në 1989-ën dhe një nga ata libra që flasin për një Spanjë apo Madrid të viteve ‘40 ku ne gjejmë atmosferën e Tiranës së viteve 2020 – 2021. Sidomos, pjesa e margjinalizuar e shoqërisë, pjesa e njerëzve që i ka mbytur trishtimi dhe dëshpërimi por që gjejnë forcën dhe kurajon për të vazhduar përpara.

Flavio: Po për autorët shqiptarë, si janë të përfaqësuar ata tek “Pegi”?

Aida Baro: Ne kemi autorin tonë tashmë, Tom Kukën, me titullin më të fundit të botuar në mars: është “Flama”, që fitoi dhe çmimin europian të këtij viti, të 2021-it. Tom Kuka do të jetë në stendën tonë. “Flama” është bërë tashmë e njohur për shumë lexues prej më shumë se 5- 6 muajsh dhe shpresojnë që lexuesit të vijnë sërish, të takojnë Tom Kukën. Ai do të jetë në stendën tonë ditën e premte dhe ditën e shtunë në orën 18:30.  Shpresojmë të vijnë, të marrin një autograf, të shkëmbejnë dy fjalë me autorin, sepse panairet për këtë shërbejnë në fund të fundit, që të lidhet autori me lexuesit dhe të marrë informacionet, opinionet, mendimet për atë që shkruan, se një krijues ka vërtet nevojë që të dijë dhe opinionin e atyre që e lexojnë.

Flavio: Po për autorët shqiptarë nga Mali i Zi, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, me etni e përkatësi kuq e zi?

Aida Baro: Besoj se shtëpitë e tjera botuese kanë sjellë titujt e tyre përkatës nga autorë të tjerë. Shtëpia Botuese “Buzuku” kam parë që është e pranishme dhe është një nga ato shtëpi botuese të Prishtinës që ka qenë vazhdimisht e pranishme në Shqipëri. Ata kanë autorët e tyre, patjetër që i kanë sjellë për lexuesit shqiptarë por e bukura e kësaj shtëpie botuese është se ata botojnë edhe autorë shqiptarë.  Pra, në njëfarë mënyre mblidhen autorë nga treva të ndryshme të Shqipërisë. Patjetër që Panairi i Librit i Tiranës pothuajse është i gjithë shqiptarëve. Duke qenë i tillë mbledh botues dhe mbi të gjitha lexues siç ka ndodhur vitet e e tjera, nga Prishtina nga Tetova. Vitet e tjera kanë ardhur lexues nga Prishtina, nga Tetova Ulqini, Shkupi dhe kanë marrë tituj shqiptarë sepse e ndjekin shumë letërsinë që botohet në Shqipëri, qoftë shqiptare qoftë e huaj. Shpresojmë që pandemia këtë vit të mos i ndalojë lexuesit.

Flavio. Pra, jeni në orët e fundit për rregullimin e librave dhe të titujve. Si veproni, sipas ngjyrave, madhësive, cilat janë rregullat për ju?

Aida Baro: (qesh) Jo, nuk i rregullojmë sipas ngjyrave dhe madhësive. I rregullojmë sipas koleksioneve. Kemi koleksionin “Lotus”, që është letërsia feministe. Kemi koleksionin “Mozaik”, kemi koleksionin më të ri që është koleksioni “Skandal”, për të cilin prezantova pak më parë “Kosheren”. Kemi tituj më të rinj si Margaret Atwood me “Kënga e Penelopës” dhe Kazuo Ishiguro me “Klara dhe Dielli”. Kështu që sistemimi bëhet sipas përmbajtjes, jo sipas ngjyrave.

Flavio: Për ta përkthyer pak dhe për ata që nuk janë shumë ndjekës të literaturës, nëse do ta trajtonim Panairin e Librit si një kampionat botëror futbolli, ti Aida,  tek stenda e “Pegit”, tek cili titull do të vije bast se do të ishte “bestselleri” i këtij edicioni?

Aida Baro: Atëherë, “golashënuesi “më i mirë  mendoj se do të jetë “Vajzat e fshatit” nga Edna O’Brien dhe “Kiara dhe Dielli”. Është një titull i ri që sapo e kemi nxjerrë i koleksionit “Skandal”. Mendoj se do të jetë një nga tituj më të shitur dhe më të kërkuar, është një letërsi e jashtëzakonshme, sepse vetë Edna O’Brian ka qenë një grua, një personazh i jashtëzakonshëm dhe është, sepse është 93 vjeçe dhe jeton ende, në Londër. Rrëfen dhe është histori shumë e ngjashme me mbytjen patriarkale që përjetojnë vajzat në Shqipëri dhe lirinë, dëshirën e mirë për të realizuar vetveten. Është një nga ata libra që mendoj se do të ecë jashtëzakonisht shumë.

Libri i dytë është “Kiara dhe Dielli”. Këtë libër do të mundohem që ta shtyj sa më shumë në një farë mënyre; është një nga autorët e mi, por dhe nga ata libra që tregojnë se teknologjia po përparon, njerëzit mund të zevendësohen me makineri por ndonjëherë makineritë kanë shumë më tepër ndjenja dhe janë shumë më njerëzore se ne që pretendojmë të jemi njerëz. Pra, janë tituj që do t’i japin lexuesit jo vetëm zbavitjen që pretendohet të ketë një letërsi, por edhe një hapje mendore, një ngritje shpirtërore shumë të madhe./ar.sh/SYRI.NET  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco