VIDEO/ Zëri kristal i Mentor Hazirit dhe magjistarët e Irlandës ringjallin këngët epike të shqiptarisë

VIDEO/ Zëri kristal i Mentor Hazirit dhe magjistarët e Irlandës ringjallin këngët epike të shqiptarisë

09:50, 31/12/2021
A+ Aa A-

MË TË MIRAT E VITIT 2021

 

♫  “Sa ta du kët emër Mara,
♫  zanin fort po du me lshu
♫  Me i than krejt botës nuk është marre,
♫  emrin tand çdo vajze me ja vu”

A ju kujtohen këto vargje, ardhur aq ngrohtë dhe ëmbël nga një zë madhërisht i ëmbël e i kristaltë, ai i Mentor Hazirit? Nëse jo, një tjetër ujëvarë e bukur tingujsh shqip është derdhur se fundmi prej tij në tregun muzikor shqiptar nga albumi i ri “U bo gati dashnia”, që ky këngëtar e sjell në bashkëpunim me të madhin Armend Rexhepagiq.

“Unë kam që  fëmijë dhe jam rritur me Nexhmijen Pagarushën, me Vaçe Zelën, me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqiptare, - tregoi Mentori me pasion në një intervistë. -  Çfarë muzike kemi pasur! Po flas për muzikën e Çesk Zadesë! Sa është cunguar ajo muzikë, si me ritmet e saj, si me produksionet e saj. Ç’ndodh?! Ne e marrim muzikën popullore dhe provojmë ta bëjmë si David Guetta. Po pse s’merr David Guetta ndonjë këngë franceze dhe ta bëjë?! Se nuk ka si, duhet të punohet shumë dhe ai nuk i lëndon këngët, si p.sh “Ne me quitte pas”!

Dëgjoni se sa me dashuri edhe foli, përvecse këndon, Menton Haziri, në një intervistë dhënë sot në “Kafe Shqeto”:

Flavio: Po takohemi shumë shpejt pas herës së fundit që promovuan projektin tënd. Duket se e ndave mendjen, e vure kreativitetin në shina, vendose që nuk ka më hapësira për të tjerët po duhet të jetë Mentor Hazirin ë sulm?

Mentor Haziri: Mendoj se ne si artistë pak a shumë kemi borxh që të prodhojmë, kështu që unë po shoh që në Shqipëri dhe në Kosovë po prodhohet kuantitet dhe jo kualitet. Po provoj që të prodhoj kualitet dhe në mënyrën që lojën që po luhet, sa më shumë. Unë do të prodhoj në vazhdimësi edhe pas kësaj kënge që do të bëjmë. Kështu që nuk s’do t’ju lë rehat.

Flavio: Pra, u bë gati albumi nëse do të luajmë pak me titullin “U bo gati dashnia”.

Mentor Haziri: U bënë gati shumë gjëra, prej kësaj kënge po bëhet gati edhe albumi. Po bëhen gati shumë këngë. Albumi është një shtrirje shumë e madhe e muzikës që e kemi në trevat tona duke filluar nga viset arvanitase, tek arbëreshët në Itali , tek malësia në Shkodër, tek jugu në Shqipëri, tek Vuthajt në malësi, Kosova këndej, rapsodia etj. domethënë është një shkëbim i madh i trevave shqiptare. Dhe ka për bazë folklorin e muzikës shqiptare.

Flavio: A është,  le ta quajmë kështu, “një ofendim” që është bërë ndaj gjithë abuzimit  që i është bërë folkut në 30 vitet e fundit, kjo  mënyra jote e dhunshme, por delikate, për t’i thënë kolegëve që kështu trajtohet folku, që kështu duhet dashuruar folku i shqiptarisë?

Mentor Haziri: Shumë mirë e the Flavio, po. Mendoj se është një projekt, është një shuplakë ndaj gjithë abuzimeve që kanë kapluar muzikën shqiptare. Unë kam qenë fëmijë dhe jam rritur me Nexhmijen Pagarushën, me Vaçe Zelën, me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqiptare. Çfarë muzike kemi pasur! Po flas për muzikën e Çesk Zadesë, është rilindësi i muzikës shqiptare. Sa është cunguar ajo muzikë, si me ritmet e saj, si me produksionet esaj. Ç’ndodh këtu?! Ne e marrim muzikën popullore dhe provojmë ta bëjmë si David Guetta. Po pse s’merr David Guetta ndonjë këngë franceze dhe ta bëjë?! Sepse nuk ka si, duhet të punohet shumë dhe ai nuk i lëndon këngët, si për shembull “Ne me quitte pas”?! Pse s’e merr ai një baladë ta bëjë?! Domethënë ata nuk i prekin ato perla.

Tek ne pashë dhe një reklamë që ishte bërë, mos ta përmend produktin, me këngën e Vaçe Zelës dhe aty dilnin të gjithë gjysmë lakuriq! Domethënë është një abuzim goxha i madh i muzikës shqiptare dhe ajo që unë dua të sjell këtu është se ne jemi rritur këtu dhe duhet ta promovojmë muzikën që kemi.

Kur punova me orkestrën në Irlandë, producenti i tyre solli diçka të jashtëzakonshme në këngën “Mara”, solli një orkestër shumë të madhe, me harpë, të gjitha instrumentet live dhe po me të njëjtën orkestër do t’i rishikoj dhe bëj shumë këngë të tjera.

Një nga ato që po e zbuloj është dhe kënga rapsodi e Dervish Shaqes që quhet “Bajram Curri”, një këngë epike e jashtëzakonshme dhe mënyra se si e kemi trajtuar është për t’u lakmuar. Janë këngë që duhet të preken nga profesionistët e jo nga ritmet e... “keybord”-it.

Flavio: Sa është ndërhyrja jote tek këto këngë?

Mentor Haziri: Thjesht jam duke e bërë unë dhe producenti. Jam duke e mbikëqyrur totalisht. Udhëheqjen artistike të albumit po e bëj totalisht sepse jam rritur me muzikën tonë, e thashë jam rritur me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, po ashtu në Ferizaj kemi pasur një ansambël shumë të mirë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët”, që kultivon muzikën shqiptare. E njoh shumë mirë dhe prandaj jam aty për ta monitoruar, për ta sjellë më mirë, normal duke shkëmbyer përvojën dhe atë erën e orkestrës irlandeze.

Flavio: Ashtu duhet, ashtu duhet Mentor, por nuk është mirë kur ke kaq shumë punë thonë!!!

Mentor: Hahaha! Jo, mirë është, se veç shqiptarët thonë “mos qeshni shumë se na del vaj!” Janë totalisht shoqëri e traumatizuar, shoqëri në ankth.

“Mos qeshni shumë se na del vaj?!” – Po qeshni mor, se ne kemi qarë shumë. Historikisht kemi qarë shumë, nga komunizmi Shqipëria, Kosova nga luftërat që nga ndarja para 100 vjetëve. Në vazhdimësi kemi qarë dhe kemi vuajtur, kështu që është koha për të qeshur për të qenë pozitiv dhe për ta dashur njeri tjetrin shumë më shumë./ar.sh/SYRI.NET

Intervista e plotë e Mentor Hazirit në ”Kafe Shqeto”

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco