'Fletorka e mesnatës', dorëshkrimi i çmuar i Dritëro Agollit i dhurohet Akademisë së Shkencave nga e bija

'Fletorka e mesnatës', dorëshkrimi i çmuar i Dritëro Agollit i dhurohet Akademisë së Shkencave nga e bija

10:30, 14/10/2021
A+ Aa A-

Një dorëshkrimi i çmuar i Dritëro Agollit i është dhuruar sot Akademisë së Shkencave nga e bija e shkrimtarit Elona Agolli gjatë zhvillimit të konferencës shkencore: Migjeni dhe Dritëroi - dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja, në 90-vjetorin e lindjes së Agollit.

Akademia njoftoi se i titulluar nga shkrimtari “Fletorka e mesnatës” ky dorëshkrim iu dorëzua Kryetarit, akademik Skënder Gjinushit nga vajza e shkrimtarit, e cila u shpreh se nuk e pati të lehtë ta hiqte nga shtëpia këtë kujtim të vyer.

Për gjestin dhe motivin e kësaj dhurate ajo tha se “Ndjehem mjaft e nderuar që në këtë pod të shenjtë të mendjeve dhe shpirtrave iluminues të Akademikëve tanë të nderuar, të dorëzoj e dhuroj një Fletore të dorëshkruar, me poezi të dorëshkruara nga Dritëroi.”

Akad. Skënder Gjinushi e falënderoi vajzën e shkrimtarit dhe u shpreh se ky dorëshkrim me poezi i Dritëro Agollit është vepra më me vlerë dhe meriton që të jetë në shtëpinë e madhe të akademikut Dritëro Agolli, që është Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Përshëndetja e Elona Agollit:

Ndjehem mjaft e nderuar që në këtë pod të shenjtë të mendjeve dhe shpirtrave iluminues të akademikëve tanë të nderuar, të dorëzoj e dhuroj një Fletore të dorëshkruar, me poezi të dorëshkruara nga Dritëroi.

E mendoj që ky dorëshkrim do të përbëjë një vlerë në arkivin e dokumenteve, apo çdo materiali tjetër studimor të Akademisë së
Shkencave.

Nuk e kisha të lehtë të merrja këtë vendim, pasi këto fletore e blloqe të bukurshkruara nga babai im, për mua kanë shumë kuptime e kujtime, krijojnë përjetime e ndjesi të shumta.

Aty ndiej bojën e shkrimit dhe gishtërinjtë e ngjyrosur të babit me bojën blu Pelikan, në fletët e blloqeve ndjej erën e duhanit dhe nikotinës, e cila siç thoshte babi, ia ngjyroste gishtërinjtë posi ajo vjeshta që ngjyros
fletët e pemëve me ngjyrën e verdhë.

Ndjej përpëlitje e zjarrmi të shpirtit kur përfshihej nga muza poetike, ndjej orët e pagjuma, gëzim e trishtim, dashuri të paplotësuar e të padhënë, forcë e dobësi. Duke dorëzuar këtë dorëshkrim, përjetoj ndjesinë e
përcjelljes së një copëze shpirti, transferimit të tij në një shtëpi të re, në shtëpinë ku babai im ka kontributin e tij si atdhetar e patriot, si iluminist dhe mendjendritur, në tempullin, të cilin ai e vlerësonte më shumë se gjithçka, në Akademinë e Shkencave.

I uroj shtëpisë së re të këtij dorëshkrimi shpirti, mbrothësi e sa më tepër suksese të vyera në drejtim të hulumtimit, përçimit dhe transmetimit
të vlerave shkencore e kulturore të kombit tonë.

Falenderoj Kryetarin e Akademisë së Shkencave, prof. Skënder Gjinushin,
dhe të gjithë akademikët tanë të nderuar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco