Shën Tomas Mori, dijetari që shpiku utopinë, vendin që nuk ndodhet askund!

Shën Tomas Mori, dijetari që shpiku utopinë, vendin që nuk ndodhet askund!

12:33, 22/06/2021
A+ Aa A-

Më 22 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Tomas Morin. Katolik i flaktë, Tomas Mori refuzoi betimin ritual përpara Henrikut VIII dhe kundërshtoi pozitën, që mëtonte mbreti i Anglisë si kryetar i Kishës Anglikane, për t’u shkëputur nga Selia e Shenjtë, pas divorcit nga Katerina e Aragonës e bashkimit me Ana Bolenën, që natyrisht, Papa nuk e pranoi asnjëherë. Libri i tij, “Utopia”, përveçse e shpiku këtë fjalë, që i qëndroi kohës, ngrinte pyetje serioze për lumturinë e njeriut dhe vendin e tij në botë, kujton Radio Vatikani.

Tomas Mor (1477-1535), lindi në vitin 1477, në Angli. Ishte filozof, burrë shteti, utopist, vizionar. Në kohën e mbretit Henriku VIII, Tomas Mori ishte deputet në Parlamentin anglez. Më 1529 arriti kulmin e karrierës si Lord Kancelar i Anglisë.

Katolik i flaktë, Tomas Mori refuzoi betimin ritual përpara Henrikut VIII dhe kundërshtoi pozitën, që mëtonte mbreti i Anglisë si kryetar i Kishës Anglikane, për t’u shkëputur nga Selia e Shenjtë, pas divorcit nga Katerina e Aragonës e bashkimit me Ana Bolenën, që natyrisht, Papa nuk e pranoi asnjëherë. Henriku VIII e paditi për tradhti dhe e ekzekutoi. Më vonë, Tomas Mor u shpall martir i Kishës Katolike. Në vitin 2000, Papa Gjon Pali II e shpalli Pajtor të qeveritarëve e të politikanëve katolike.

Tomas Mori ishte dijetar i madh. Njihte Platonin, Piko Dela Mirandolën… I ndikuar nga Aristoteli, mendonte seriozisht për të ardhmen njerëzore të shtetit. Ishte miku më i madh i Erazmit të Roterdamit. Erazmi e shkroi pikërisht në shtëpinë e Tomas Morit, kryeveprën e vet, “Lavdërimi i marrëzisë”. Madje titulli, “Encomium Moriae”, një lojë fjalësh greke-latine, mund të kuptohet si “Lavdërimi i Morit”, ose “Lavdërimi i Marrëzisë”. Erazmi shkruan për Tomas Morin: “Demokriti i ri, sodit dhe trajton me të qeshur punët e jetës njerëzore, sepse Mori, falë gjenisë dhe talenteve të tij të shkëlqyera qëndron mbi gjithë njerëzit e tjerë”.

Por, Tomas Mori nuk pati nevojë natyrisht, për Erazmin e Roterdamit, që të bëhej i famshëm. Libri i tij, “Utopia”, të cilin e botoi në vitin 1516, përveçse e shpiku këtë fjalë, që i qëndroi kohës, pati një sukses të jashtëzakonshëm e shpejt u përkthye në të gjitha gjuhët. Ishte hera e parë në historinë e Evropës, që dikush ngrinte pyetje serioze për lumturinë e njeriut dhe vendin e tij në botë. Utopia, që do të thotë “vend, i cili nuk ndodhet askund”, është një ishull në formë gjysmëhëne me 54 qytete të mrekullueshme. Nuk njihet prona private, nuk pranohen lojërat e fatit, qeverisja i takon popullit. Aty përçmohet floriri e punohet vetëm gjashtë orë në ditë. Ka një begati të paparë. Luftohet jeta e plogësht. Është virtyt të ndihmosh të tjerët. Utopianët mendojnë se morali është prirja më e mundshme dhe më e mirë e njeriut. Çdo gjë gjykohet nga arsyeja. Tomas Mori dha një model qeverisës, që bazohet mbi arsyen e kulturën, vërtet i paarritshëm, por ideali drejt të cilit është mirë të priret çdo shoqëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco