Nderim për klerikët myslimanë, dënuar deri në vdekje nga diktatura: Hafiz Ali Korça me dy djemtë e tij

Nderim për klerikët myslimanë, dënuar deri në vdekje nga diktatura: Hafiz Ali Korça me dy djemtë e tij

09:21, 13/05/2021
A+ Aa A-

I dënuar që në 1945 e deri sa vdiq, Hafiz Ali Korça u vu në survejim të Sigurimit të Shtetit deri pas të tetëdhjetave, kohë kur u vendos që dosja të mbyllej. Dy djemtë e tij po ashtu u dënuan si armiq, njëri me vdekje, tjetri me burg e përndjekje deri kur mbylli sytë.

Sot, në këtë ditë reflektimi, Autoriteti për Informim sjell në vëmendje klerikët myslimanë të survejuar, të dënuar politikisht dhe të përndjekur në vite, dhe kontributin e tyre të çmuar për atdheun, shoqërinë dhe vlerat njerëzore.

Studiuesi Msc. Denis Qosja ka vlerësuar herët se Hafiz Ali Korça "luftoi gjithmonë me armë, me dituri dhe me penë për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, si dhe për bashkimin e shqiptarëve kundër shovinistëve grekë e serbë, dhe jo për ndonjë ideal të veçantë si ai i komunistëve.

Duke iu kundërvënë bolshevizmit dhe duke parandjerë ardhjen e një “reje të zezë” për Shqipërinë dhe shqiptarët, ai e godet fort atë qysh para instalimit të diktaturës komuniste, kur shprehet:

Bolshevizma s’pajton kurrë

Me dinin e Muhammedit

Çelët do ta kenë luftën

Gjer ditën e Kijametit.

Ndërsa për vuajtjet e veta, në pak rreshta, ai i përmend shumë bukur në një nga strofat e shkruara në manifestin e tij të rëndësishëm “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”, ku thotë:

Për Shqipërinë u përpoqa

rezikova jetën t’ime

Nuk rëfehet se sa hoqa

se shteti m’i njihte krime.

Veprimtari tjetër e rëndësishme atdhetare e Hafiz Ali Korçës është pjesëmarrja e tij në Kongresin e Dibrës, më 23 korrik 1909, ku merrnin pjesë edhe shumë atdhetarë të tjerë të shquar, si: Aqif Pashë Elbasani, Abdyl bej Ypi, Dervish Hima (të cilit Hafiz Ali Korça i ka dedikuar një poezi në kohën që ndërroi jetë).

Fjala e Hafiz Ali Korçës në këtë kongres ishte kryesorja, ndërsa për vendimet e tij kanë folur gjerë e gjatë Abdyl Ypi në librin e tij “Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça” (1918), si dhe Haki Sharofi në librin “Kongresi i Dibrës”, të lënë dorëshkrim, por të botuar në vitin 2009, në Tiranë, nga djali i tij, Islam Sharofi.

Për veprimtarinë e tij të shquar patriotike dhe për përkrahjen që ai jepte për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe, kanë shkruar edhe gazetat e njohura të kohës në gjuhën osmane në Stamboll, si gazeta “Sabah” (30 maj 1311 [1894]) dhe gazeta “Aksham” (9 korrik 1318 [1903])."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco