Kur u liruan 31 mijë të burgosurit nga kampi i përqëndrimit nazist në Dakau, Gjermani

Kur u liruan 31 mijë të burgosurit nga kampi i përqëndrimit nazist në Dakau, Gjermani

09:04, 29/04/2021
A+ Aa A-

Më 29 prill 1945, forcat amerikane lirojnë 31.601 të burgosurit nga kampi i përqëndrimit nazist në Dakau në Gjermani.

Në kujtesë të kësaj dite, ju sjellim disa dokumente shumë interesante që ruhen në fondet e AQSH-së. Një letër e sigluar nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Dakaut që mban datën 8 korrik 1964 dhe që i drejtohet Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Mehmet Shehu.

Njoftohet shteti shqiptar se do të ngrihet një monument në kujtim të të internuarve të kampit. Ky është një kamp ku vuajtën edhe shqiptarë ndaj edhe për ngritjen e tij, kërkohet ndihma financiare e Shqipërsë, sikurse edhe të shumë shteteve të tjera, shtetas të të cilave vuajtën aty.

Në letër shkruhet:

“Monumenti i ish t’internuarve do të ngrihet në bazë të një financimi ndërkombëtar i cili do të sigurohet në radhë të parë nga kuotat vullnetare të popullsive të vendeve tona të ndryshme. Por ne e pamë të udhës z. Kryeministër për një kontribut zyrtar të Qeverisë suaj”.

Komiteti i Veteranëve të Luftës i drejton kërkesën Kryeministrit të Shqipërisë për akordimin e një shume prej 500 dollarësh nga buxheti i shtetit shqiptar për ndërtrimin e këtij memoriali. Në përgjigje të kësaj kërkese, me firmë të Zv/Kryeministrit, udhëzohet Ministria e Financave për akordimin e 500 dollarëve nga fondi i rezervave në valutë, si kontribut për ndërtimin e këtij memoriali.

I krijuar në mars të vitit 1933, kampi i përqendrimit Dakau (Dachau) ishte kampi i parë i rregullt i ngritur nga qeveria Nacional - Socialiste (naziste) gjermane për të burgosurit politikë.

Kur trupat amerikane hynë në kamp, ata gjetën më shumë se 30 vagona treni mbushur me kuforma, shumica të dekompozuara. Numri i personave të burgosur në Dakau mes viteve 1933 dhe 1945 llogaritet të ketë qenë mbi 188,000. Numri i përgjithshëm i viktimave të cilët vdiqën në Dakau nuk dihet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco