'Me top do të qëlloja mbi regjimin tuaj': Përkujtohet poeti pa varr, Trifon Xhagjika

'Me top do të qëlloja mbi regjimin tuaj': Përkujtohet poeti pa varr, Trifon Xhagjika

08:15, 29/04/2021
A+ Aa A-

Përkujtojmë sot poetin pa varr, ushtaraku dhe disidenti, Trifon Xhagjika (1932 - 1963).  Në dhjetorin e vitit 1963 u pushkatua. Mjaft nga poezitë e pabotuara kanë humbur dhe vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”. Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij.

Xhagjika lindi më 29 prill 1932, në Peshtan të Tepelenës. Në Muzeun Historik Kombëtar janë të ekspozuara katër dorëshkrime origjinale të tij.

Nuk mundem,
…nuk mundem,
nuk mundem.

E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.

Atdheun e dija të uritur!
Por sa i vogël qenka!
E mora për dore
ta rrit në zemrën time…

Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!
...1963

“Po të më jepni një top do të qëlloja mbi regjimin tuaj”

Trifon Xhagjika lindi në Peshtan të Tepelenës, në vitin 1932. Bashkë me familjen e tij u sistemua në qytetin e Tiranës në vitin 1941. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, u diplomua në 1954 në Shkollën e Bashkuar si oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite e ushtroi profesionin në zonën e Rrapit të Treshit në Tiranë. Në këtë kohë bëri një kurs për gazetari e histori dhe kërkoi të vazhdonte fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë.

Qysh në vitet e para të punës u bë i pranishëm në shtypin e kohës me krijime në fushën e poezisë. Në vijim, u transferua nga reparti i artilerisë dhe filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”.

Dy herë rresht kërkoi të shkonte në Moskë me studime për Gjuhë-Letërsi, por nuk e lejuan.

Kishte një pasion të fshehur për muzikën dhe së bashku me Kostandin Trakon ka bërë himnin e Shkollës së Bashkuar.

Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikati me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj.

Në vitin 1959 botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”. Qysh në fillesat poetike do të tërhiqte vëmendjen për frymën rebeluese në krijimtari dhe diçka e tillë do e çonte në një disidencë të hapur. Kjo do ta çonte në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit.

Në dhjetorin e vitit 1963 u pushkatua.  Mjaft nga poezitë e pabotuara kanë humbur dhe vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”.

Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco