'Bejkë e bardhë': Ndahet nga jeta Lefter Çipa, autori i mbi njëmijë këngëve të polifonisë shqiptare

'Bejkë e bardhë': Ndahet nga jeta Lefter Çipa, autori i mbi njëmijë këngëve të polifonisë shqiptare

09:31, 18/02/2021
A+ Aa A-

Është ndarë nga jeta Lefter Çipa, poeti i dhe autori i 1250 këngëve të polifonisë shqiptare. Familja Çipa ka njoftuar se ai ka ndërruar jetë në orët e para të së enjtes, 18 shkurt 2021, pas vuajtjes dhe lëngatash fizike. Familja Çipa iu drejtua me një mesazh, qytetarëve shqiptarë që e kanë vlerësuar maksimalisht poetin e shquar:

Te nderuar miq e dashamires!

Sot rreth ores 01.15, babai ynë Lefter Çipa pas vuajtjesh dhe lëngatash fizike ndërroi jetë në moshën 79- vjeçare.

Ceremonia mortore zhvillohet sot në orën 15.00 në vendlindjen e tij Pilur.

Duke respektuar protokollet e pandemisë japim mirëkuptim për çdo të afërm e miq të babait tonë për mosprezencën në ritin e përcjelljes.

Pritja për ngushëllime bëhet në shtëpinë tonë në lagjen Stefanel, Himarë. Për të mira e në gëzime u takofshim! Familja Lefter Çipa.

 

Lefter Çipa është një ndër poetët më të shquar shqiptarë në vitet 1970-2021. Autor i 18 librave të botuar me poezi dhe një kolane në proces redaktimi për botim. Shumicën e librave të këtij autori tipologjik i ka botuar Shtëpia e njohur botuese "TOENA" në Tiranë.

Ndër librat më të qarkulluar të këtij autori me poezi janë : "Bejkë e bardhë", "Bilbilat e vendit tim", "Shqipëri moj ballëhapur", " Këngët e Ruzanës", "Dheun tim përsipër mbaj", "Për Kosovën prapë do të ngrihem", "Kënga që tret lotin", "Këngët e Akroqeranit","Princi i Dashurise", " Flet princi i polifonise", " Engjej te polifonise", " Vij nga drita", "Endrra neper duar", " Njerez me drite" etj.

    Konsiderohet "princi i sotëm" i polifonisë shqiptarë. Autori më kreativ i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit. Njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve më këmbëngulës të poezisë orale popullore në trevat jugore të vendit.

    Autor i mbi 1250 këngësh të interpretuara nga grupet e famshme polifonike si ai i Pilurit (udhëheqës artistik i të cilit ka qenë për mbi 40 vjet, grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.

    Lefter Çipa konsiderohet si autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore si "Bejkë e bardhë", "Vijnë djemtë nëpër vapë", "Nga kjo baltë e kësaj toke", "Naim Shqipëria", "Shqipëri pse të qan syri", "Zoga kaçake në male", "Këngë kurbeti", "Vito Pëllumbesha", "Hënëz e qiellit të gjerë", "Moj unaza gur jeshile", "N sokak të ngushtë", "O shokë vdekça nga kënga", "Lundroj në lundrën e këngës", "Kënga e manushaqes", " Zonjë e bukurisë", etj.

    Ky autor ka qënë pjesmarrës me krijimet e veta në 6 Festivale Folklorike Kombëtare të zhvilluara në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë duke qënë i lauruar në çdo Festival Kombëtar.

    Lefter Çipa ka botuar një numër të shumtë artikujsh për autorë dhe përfaqësues të shquar të letërsisë kombëtare shqiptare. Ka një arkiv të pasur me dokumente që flasin për fondin autentik të vlerave polifonike shqiptare në Bregdetin e Himarës dhe zonat e tjera arbërore. Shumica e personaliteteve më të shquara të kulturës, mendimit dhe kërkimit shkencor kulturologjik kanë përcjellë vlerësime dhe publikime të rralla vlerësuese për veprën, kontributin dhe vlerat shumëplanëshe të këtij autori dhe organizatori të shquar të veprimtarive polifonike dhe folklorike shqiptare në gjithë hapësirën.

    Lefter Çipa mbahet mend si bashkëorganizatori dhe autor i teksteve te trios së famshme Vlonjate. Ai është burimi ku ushqehen shumica e këngëtarëve dhe kompozitorëve të sotëm modernë shqiptarë dhe ku shumica e këngëtarëve kanë preferuar që në repertorin e tyre të kenë të kryerenditur poezitë dhe lirikat befasuese të këtij autori.

    Eshte nderuar me çmime dhe dekorata, nder te cilat me me te larten "Nderi i Kombit"

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    tirana18/02/2021 15:14

    Ngushellime familjes , te afermve , miqve e shokeve te ketij GJIGANDI te folklorit shqiptar .

    Shto koment

    Denonco