Lamtumirë Timo Lule! Ndahet nga jeta prej Covid-19, mjeshtri i këngës qytetare fierake

Lamtumirë Timo Lule! Ndahet nga jeta prej Covid-19, mjeshtri i këngës qytetare fierake

08:47, 26/01/2021
A+ Aa A-

Ndërron jetë mjeshtri i këngës qytetare fierake Timo Lule në moshën 95-vjeçare . Ai Ishte i prekur nga Covid 19 dhe prej nje periudhe kohe ishte i shtruar ne nje spital ne Como te Italise. Lajmi u dha nga të afërm në rrjetet sociale.

Karrierën muzikore Timo do ta niste në Ansamblin e Ushtrisë ku nën drejtimin e mjeshtrit Gaqo Avrazi do të këndonte krahas mjeshtrave Mentor Xhemali, Ibrahim Tukiçi, Xhoni Athanas, Maliq Herri, etj. Më pas do të vijonte në Fier si mësues, inspektor arsimi, këngëtar në trupën e estradës profesioniste dhe drejtues artistik i shtëpisë së kulturës.

Timo Lule u shqua veçanërisht në interpretimin dhe përpunimin e këngës qytetare e popullore, duke i qëndruar besnik tabanit dhe traditës lokale. Këngë të interpretuar prej tij gjenden sot në arkivat e fonotekës kombëtare.

Disa prej arritjeve të tij ndër vite ishin edhe ngritja e grupeve artistike dhe ansambleve amatore të Semanit, Cakranit, Gorishovës, Hekalit, si dhe arkivimi në Institutin e Folklorit të një korpusi prej 240 këngësh të regjistruara të Fierit dhe Myzeqesë.

Në vitin 2009, Timo Lule, botoi edhe librin “Fieri dhe Kënga”, një studim me vlera jo vetëm në fushën e folklorit muzikor por edhe atë të historisë. Për kontributin e tij në fushën e arsimit dhe të kulturës, Timo Lule është nderuar me titullin ‘’Qytetar Nderi i Qarkut Fier’’.

Kryebashkiaku i Fierit Armando Subasho tha se "kënga qytetare fierake humbi bilbilin dhe mjeshtrin e saj, Timo Lule! Artisti në shpirt e karrierë të gjatë i dha jetë jo vetëm këngës, por edhe artit në Fier si drejtues artistik i shtëpisë së kulturës.

Timo është ndarë fizikisht prej nesh, por ka lënë pas një pasuri të madhe artistike si në interpretim, ashtu dhe në përpunimin e këngës qytetare e popullore, duke i qëndruar besnik tabanit dhe traditës lokale.

Libri i tij, "Fieri dhe Kënga", botuar më 2009, është një tjetër dëshmi që do të transmetojë ndër breza, bashkë me studimin në fushën e folklorit muzikor e historisë, edhe emrin e bilbilit të këngës qytetare fierake, besnikut të traditës, Timo Lule. Lamtumirë brilanti Timo! Ngushëllime familjes!"

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco