'Shqiptari duke tymosur' pritet të shitet mbi 2 milionë euro

'Shqiptari duke tymosur' pritet të shitet mbi 2 milionë euro

07:08, 18/11/2020
A+ Aa A-

Sytë e kaltër e depërtues, fytyra e ashpër dhe e përskuqur dhe mustaqet e tij e përkapin edhe sot vëmendjen e secilit. Me fustanellën palë-palë, ai qëndron, pak si nopran, i ulur në minderin me zbukurime gati filigranike, e në të majtë ka nargjilenë të cilën duket sapo e ka tymosur.

E bërë nga duart e piktorit emërmadh francez Jean-Léon Gérôme, piktura “An Arnaut Smoking” (Shqiptari duke tymosur) është vënë në shitje nga më e njohura shtëpi e ankandeve në Britaninë e Madhe, “Christie’s”.

Dita e mërkurë është afati i fundit kur ai që bën ofertën më të majme do ta bëjë të veten pikturën vaj në pëlhurë në përmasa 60 me 73.3 centimetra.

Sipas vlerësimit preliminar të dhënë në faqen e shtëpisë së njohur, vlera e saj fillestare është 1.2 milion funte, ndërkohë që pritjet janë të arrijë vlerën e 1.8 milionë funteve (2.1 milionë euro sipas vlerës aktuale të shkëmbimit).

Ndërsa ka sjellë i pari në vëmendje ofertën e “Christie’s”, historiani dhe publicisti shqiptar që jeton në Londër, Daut Dauti, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook”, u ka bërë thirrje të interesuarve që të “nguten” në rast se duan ta blejnë pikurën e njohur.

“Nuk janë shumë para 2.1 milionë euro. Janë aq sa i vodhi Qeveria dhe të cilat si duket janë avulluar. E tash mendoni ju vetë, se a është më e mirë me vjedh a me ble piktura që sjellin fitime nga vizitorët”, ka shkruar Dauti.

Ndërkohë KOHA gjatë të martës ka kontaktuar edhe shtëpinë e njohur londineze të ankandeve për më shumë detaje rreth pikturës që mendohet të jetë bërë rreth viteve 1880-1882.

“Christie’s”: Informacioni për shitësin është konfidencial

Përveç informacioneve themelore të afishuara për prejardhjen e pikturës, “Christie’s” nuk është në dijeni nëse ka edhe vepra të tjera të Gérômes që për subjekt kanë jetën e ushtarëve shqiptarë në Egjiptin e shekullit të nëntëmbëdhjetë.

“Në këtë kohë, ‘Christie’s’ nuk e ka informacionin të cilin ju po e kërkoni”, ka thënë Meredith Horan nga Shërbimi për Klientë në këtë shtëpi.

Ata gjithashtu nuk kanë dhënë detaje as për ofruesin dhe as për të interesuarit eventualë. “I gjithë informacioni për shitësin është konfidencial, ndaj nuk mund të japim emrin e tij”, ka qenë përgjigjja me shkrim.

Sipas të dhënave të afishuara në faqen e “Christie’s” për proveniencën e pikturës del se ajo ka ndryshuar disa herë duart e pronarëve dhe koleksionistëve.

Një shitës anonim rezulton se më 12 janar 1955 e kishte ofruar atë për “Schweitzer Gallery”, në New York, e cila e pati në posedim atë mes viteve 1960 dhe 1975.

Gjithnjë sipas këtyre të dhënave, “Shqiptari duke tymosur” – ose “Shqiptari duke pirë duhan”, e njohur edhe me titullin “Un Chef Bachi-Bouzouk” (“Një prijës bashibozuk”) – ka kaluar në duart e Andrew Sordonit, në Pensylvania, për t’iu përcjellë më pas Andrew Sordonit III. Ky i fundit si duket e kishte përcjellë në Londër.

“Është marrë nga një koleksion privat, ShBA, nga një traktat privat më 2003 si ‘Un Chef Bachi-Bouzouk’ (Një prijës bashibozuk)”, shkruan shtëpia e njohur e ankandeve.

Nga viti 1882 deri më 2014, “Shqiptari…” del të ketë shëtitur ndër ekspozita të ndryshme si Paris, Dayton, Washington D.C., si dhe Kansas City.

Dauti: Shteti duhet të krijojë fond për vepra të tilla

Për historianin dhe studiuesin Daut Dauti, vlera e veprave të piktorëve francezë, austriakë, italianë, gjermanë e anglezë, ku shihen shqiptarët apo peizazhet e tokave shqiptare, është e jashtëzakonshme.

Në një bisedë për gazetën, ai ka treguar se këto piktura janë mjaft të kërkuara në tregun ndërkombëtar, të tilla që në shumicën e rasteve përfundojnë në shtëpi apo galeri private ku shpesh blihen në kushte anonimiteti.

“Këto piktura sot nuk janë vetëm vepra artistike të zakonshme. Ato flasin edhe për historinë e shqiptarëve”, ka thënë Dauti duke shtuar se në këto punime të bukura pamja, qëndrimi dhe veshmbathja e shqiptarëve janë mbresëlënëse.

“Janë piktura të pakonkurrencë për blerësit të cilëve iu pëlqejnë këto karakteristika të paraqitura në art”.

Dauti ka përkrahur idenë që dy shtetet shqiptare të krijojnë fonde të përbashkëta për blerje të pikturave të këtilla. Kjo, sipas tij, do të duhej të ishte obligim i ministrive të kulturës.

“Në Perëndim pikturat i blejnë galeritë që mbahen nga shteti dhe kështu duhet të jetë edhe te ne. Numri i veprave artistike ku paraqiten shqiptarët është shumë më i madh se që mendohet”, ka theksuar ai.

“Me një angazhim serioz këto do të mblidheshin lehtë dhe me pak harxhime për t’u ekspozuar diku te ne, gjë që do të rriste nivelin kulturor dhe do të zgjeronte edhe aspektin turistik”.

Tutje, historiani shqiptar nga Londra ka vlerësuar se vlera e veprave të tilla kalon shpesh pa u vënë re për shkak të mungesës së interesimit të përgjithshëm.

Sipas tij, në Perëndim këto piktura blihen edhe nga persona privatë, të cilët zakonisht janë miliarderë dhe dashamirë të artit.

“Ne, për fat të keq, nuk kemi miliarderë të këtillë apo nuk kemi njerëz që kanë para dhe dashuri për art. Prandaj, duhet një sensibilizim i iniciuar nga qeveritë tona”, ka shtuar Dauti.

Ai, po ashtu, ka vlerësuar se botimi i informatave rreth këtyre punimeve artistike do të krijonte një vetëdije te qytetarët, ndërkohë që ka sugjeruar se duhet “të ngrihet edhe një lloj presioni që fondet shtetërore e madje edhe ato private të orientohen në blerjen e këtyre veprave”.

Jean-Léon Gérôme del të jetë piktori, i cili në historinë e artit të pikturës franceze e asaj botërore u është drejtuar shqiptarëve me më së shumti pasion e adhurim.

Ky është vlerësimi i ish-ambasadorit dhe shkrimtarit shqiptar në Paris, Luan Rama i cili në vitin 2016 botoi librin “Shqiptarët e Léon Gérôme” (Les Albanais de Léon Gérôme), një album i formatit të madh që gërshetohet edhe me kujtime të piktorit të famshëm, si dhe letrarëve të mëdhenj të asaj kohe mbi “shqiptarët e fustanellave”.

Impresionimi i mjeshtrit francez me shqiptarët

Ishte koha kur artisti i paharrueshëm francez, Eugène Delacroix, përjetësoi suliotët shqiptarë e prijësin e tyre Marko Boçari, Decamps fiksoi “vallen e shqiptarëve”, kurse Louis Dupré tablo jete nga më i njohuri shqiptar i kohës, Ali Pashë Tepelena.

“Më shumë se të gjithë këta piktorë, Gérôme iu përkushtua personazheve shqiptare, arnautë siç quheshin në Egjipt, apo në Turqi. Sigurisht, ai mund të ishte mjaftuar me një duzinë tablosh që pikturoi gjatë, apo pas udhëtimit të tij të parë, në Egjiptin modern të Mehmet Ali Pashës, në vitin 1856, por ato portrete e personazhe, veshur me fustanella të bardha, të hedhura aty si nga një dorë qiellore, midis piramidave, mamlukëve, beduinëve dhe koptëve të vjetër e kishin tërhequr edhe vite më parë, gjithnjë e më shumë, me një fuqi të pashpjegueshme për t’u rikthyer përsëri mes tyre”, kishte shkruar Rama. “Ndoshta ishte edhe vetë enigma, se përse ata njerëz me fizionomi të skalitur dhe të prerë, që qëndronin natyrshëm në sfonde shkëmbore e malesh, gjendeshin tashmë në ato toka rrafshore, mes shkretëtirës dhe duhive të erës, që sillnin vetëm rërë”.

I lindur më 1824 më Vesoul, Jean-Léon Gérôme me pikturat e tij në dekadat e fundit të shekullit të 19-të konsiderohej “si artisti më i famshëm i gjallë në botë”.

Sipas një katalogu të përgatitur nga Emily M. Weeks për shtëpinë e ankandeve “Christie’s”, piktura e stilit orientalist “Shqiptari…” është një prej hetimeve artistike më të paharrueshme në serinë e veprave të Gérômes. Sipas saj, kjo është pikturë “e figurës shumëngjyrëshe të arnautit, ose ushtarit shqiptar, i hijezuar kundër prapavijës së ashpër dhe i vendosur në një akt joluftarak”.

Interesimi i Gérômes për popujt e ndryshëm të Perandorisë Osmane kishte filluar shumë më herët para se të ndërmerrte udhëtimet e tij drejt Lindjes.

Gjatë rikthimeve në po të njëjtat vende, sidomos në Egjipt, piktori francez do të hidhte shikimin edhe drejt arnautëve, siç njiheshin botërisht shqiptarët që në Egjipt i kishte sjellë Mehmet Ali Pasha, edhe ky shqiptar me origjinë nga Kavalla.

Sipas Weeksit, ai do të tërhiqej nga kostumet e tyre, armët e zbukuruara, si dhe qëndrimi plot krenari e përbuzje kundrejt popullatës në Kajron kozmopolitane.

“Mustaqet, që nuk kanë asgjë arabe në parim, janë shenjë e origjinës shqiptare…ato ishte një risim në një tokë ku mjekra vlerësohej më së shumti”, kishte shkruar Paul Lenoir, i cili e kishte shoqëruar piktorin e njohur në këtë udhëtim të paharruar.

Sipas mikut të Gérômes, dukej sikur arnautët ishin në Kajro vetëm nga dashuria për të shfaqur zbukurimet e tyre e për t’i kënaqur piktorët që shastiseshin prej kostumeve brilante shqiptare, aq sa shumë pyesnin se cili ishte synimi i këtyre luftëtarëve.

“Derisa presin një pushtim të ri të Egjiptit nga kushdo, këta ushtarë dekorativë, këta rojtarë të një opere komike, nuk kanë punë tjetër pos të ndalin fotografët të cilët i nderojnë me konfidencën e tyre”.

Njohësja e veprave të Gérômes thekson, po ashtu, se, krahas kostumeve, ai i vuri në pah edhe armët shkëlqimplota të arnautëve në Egjipt.

“Përpikëria e mahnitshme e paraqitjeve të Gérômes sugjeron një njohje të dorës së parë, por edhe shpërfaq librarinë e gjerë të burimeve që artisti kishte përpiluar në kohën kur e krijoi këtë pikturë”, shkruan Weeks.

Edhe albanologu i ndjerë Robert Elsie kishte shkëputur mbi 20 piktura në vaj të Jean-Léon Gérômes. Sipas tij, vizita në Egjiptin e sunduar nga një dinasti shqiptare pati ndikim të madh në suksesin e francezit si piktor orientalist.

Teksa kishte kaluar kohë mes kolonisë shqiptare të vendosur buzë brigjeve të Nilit, “Gérôme ishte mrekulluar nga sqima e tyre, nga shkëlqimi i armëve dhe kostumeve të tyre të mahnitshme, veçmas nga valëzimi i fustanellave të bardha shqiptare”./Marrë nga Koha.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

skender18/11/2020 15:14

ti themi koco kokedhjerit qe futi ne burg koleksionistin e ikonave bashke me edvin pallen ,ku dhe ja vodhen ikonat dhe i varen ne shtepite e tyre ,........

Daj Jaku18/11/2020 09:06

Tashti e kuptova se si i ka bo paret "piktori" i gjatë. E thotë edhe Dauti: " Më mirë me i vjedh paret nëpërmjet qeverisë se sa me shit "piktura" nëpër trotuarë, ku gjindja i shikojnë pa lekë ato shkarravina dhe dhihen gazit".

Shto koment

Denonco