Anila Hetoja, artistja prezanton përvojën kanadeze në Tiranë

Anila Hetoja, artistja prezanton përvojën kanadeze në Tiranë

15:43, 14/09/2020
A+ Aa A-

Nga Blerina Ruka, Toronto-Kanada

Me telajon e lidh një miqësi 35-vjeçare, por duket se është nga ato dashuri që nuk mbarojnë deri në fund të jetës. Designer, piktore dhe artiste e mirëfilltë, Anila Hetoja ka vendosur të prezantojë përvojën kanadeze në Tiranë.

Që në moshën 5 vjeç kur mësoi të vizatojë e deri më sot, ajo ndjehet më shumë se kurrë e dashuruar me ngjyrat. Anila ka studiuar në degën ‘Ekonomi-Financë’ në Tiranë, por me pikturën nuk u nda asnjëherë. Falë talentit, shijet e saj artistike i kultivoi më tutje gjatë studimeve universitare pranë Universitetit ‘RÇ Yorkville’, Toronto, Kanada, ku u diplomua me rezultate të larta në profilin ‘Interior Design’.

Me rikthimin në Tiranë, Anila nuk humbi kohë por nisi punën për ekspozitën e parë me tematikë ‘LOVE’, ku publikoi 40 punime të saj. Ekspozita e parë ishte ogur i mirë për artisten e re e cila pas pak kohësh përgatiti ekspozitën pasardhëse. Kjo ekspozitë erdhi më ndryshe për artdashësit, ajo ishte në bashkëpunim me një kolege artiste të re dhe punimet kishin si tematikë veshjet tradicionale.

Pasioni për designer

Interior designer është një profesion që dita-ditës po tërheq mjaft syresh të cilët duan të arredojnë me shije ambientet e shtëpisë apo dhe ato të punës. Në shtëpinë e saj, artistja shkodrane të flet përmes ngjyrave, pikturat në mur dhe arredimi janë në sinkron të përkryer dhe kjo e bën atë të veçantë. Shijen e saj të hollë kërkon ta ndajë dhe me miqtë që e ftojnë herë pas here të japë këshilla se si mund të jetë atraktiv ambienti i tyre dhe si mund të personalizohet ai pa qenë nevoja të kthehemi në imitues të këqij.

Planet për të ardhmen

‘ Në planet e mia është ekspozita e rradhës e cila do të ofrojë një larmi ngjyrash që do të përcjellin mesazhin për jetën, dashurinë. Nëpërmjet artit pamor, atë që s’mund të shprehet me fjalë, artisti e shpreh  erms penelave duke shpalosur talentin e tij në gërshetimin e ngjyrave dhe ku mjeshtëria e përdorimit të ngjyrave evidenton shijet artistike të një piktori nga një tjetër’, - shprehet artistja e re.

Ekspozita ‘Telling Stories’, histori shqiptare në Gjermani

Pak muaj më parë, në qytetin e Bocholt-it, artdashësit gjermanë kanë njohur copëza nga Shqipëria përmes pikturave të dy artisteve Anila Hetoja dhe Edlira Harapi.

‘Telling stories’, ekspozita e piktoreve shqiptare në qytetin Bocholt, mblodhi mjaft artdashës të cilët vlerësuan punimet artistike të tyre. Secila solli pranë publikut tematika të ndryshme, ku më së shumti artistja Edlira Harapi ishte fokusuar tek ndjenja shpirtërore, ndërsa artistja Anila Hetoja u përfaqësua me punime të veshjeve tradicionale ku dominonin ngjyrat, teknika në punimin e tyre.

Kjo ekpozitë u realizua nën vëmendjen e piktorit gjerman Marco Huning. Anila thotë se ky eveniment nuk ishte rastësor. Të dyja artistet kishin kohë që mendonin të prezantonin veten tek artdashësit gjermanë, dhe theksojnë se ky është bashkëpunimi i tyre i tretë. ‘Me Edlirën kishim biseduar më herët mbi mundësinë e një hapje të ekspozitës në qytetin ku ajo banon, në Bocholt. Të dyja artistet folën shqip por secila spikati me individualitetin e tyre.

Pikturat e Edlira Harapit të zhanrit konceptual, përcollën mesazhin e realitetit që na rrethon, ndërsa Anila Hetoja solli realitete të fokusuara tek format e qarta dhe tek loja me ngjyrat. Gjithsesi, punimet e Anila Hetosë kësaj here ishin drejtuar tek tradita shqiptare, ndërsa punimet e Edlira Harapit ishin të fokusuara tek femra e sjellë në një format konceptual. Në total u ekspozuan 15 punime.

Në këtë ekspozitë punimet ishin akrilike mbi kanavace. Ishte kjo një shenjestër e zgjuar për të krijuar përshtypje edhe në median lokale te qyteti ku u mbajt ekspozita. Duke qëndruar e hapur për dy javë, nuk mund të kalonte në heshtje pa u prezantuar edhe në shtypin gjerman. Ishte Marko Hyning, piktori mjaft i njohur qytetit, i cili organizoi aktivitetin për të sjellë një shembull për shoqërinë gjermanë se bashkëpunimi më talentet sjell gjithmonë fryte të mira.

Ekspozita

Pas koleksionit ‘Love’ në vitin 2016 dhe ‘Motivet Tradicionale’ në vitin 2017 (dhe një sërë aktivitetesh ku ka marrë pjesë në bashkëpunim me artistë të tjerë), Anila solli për artdashësit në vitin 2019 koleksionin e tretë të titulluar ‘Natyrë ‘.

Koleksioni përmbante rreth 85 punime të punuar në dy vitet e fundit. Aty, artistja Hetoja zgjodhi të paraqitej para artdashësve me nje qasje dhe stil disi ndryshe nga koleksionet e para, duke eksperimentuar hedhjen në telajo të frymëzimit të marrë në mrekullitë që sjell natyra. Disa nga punimet e saj janë punuar me material të riciklueshme (si komça, bizhu, etj). Anila, si gjithnjë, preferon të luaj me ngjyrat dhe konturizimet që ia mundëson teknika e punimit me gota plastike ‘’work with cups’’, të cilën e njeh dhe e përdor më së miri. Gjithashtu në ditën e luleve të qytetit të Shkodrës, Anila u rikthye pranë artdashësve me rreth 40 punime të cilat ishin një koleksion ndër vite.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco