Paqja që më shpëton nga ankthi i librit të ri - Nga Flutura Açka

Paqja që më shpëton nga ankthi i librit të ri - Nga Flutura Açka

11:08, 12/09/2020
A+ Aa A-

Shënime të nxituara nga një rrugë e beftë.

Për t’i shpëtuar orëve të pritjes dhe ankthit për ta shtënë në duar kopjen e parë të librit tim të ri “Biri”, graha ku të më çonin trotst. Si një dikush që ka probleme me drejtimin, hall nga i cili nuk e shpëtojnë as teknologjia, hartat e së ciles e njohin sot botën symbyllur, në të dalë të Beratit ngatërroj kodrën e rrugës sime, dhe pas ca peripeciah e me ndihmën e nja dy shqiptarëve të mirë, i hyj rrugës sime, që shpejt zbuloj se është e parrugshme.

Në të majtën time më ndjek Tomorri me një faqe kah dielli që poshtë nga gryka nuk ke nga e sheh. Aty në të hyrë të Drobonikut, zëri i guidës sime më kthen nga rruga “kryesore” e më çon shtegun për në mes të fshatit, ku ca djelmosha që luanin në një pllajëz, më flasin anglisht se më pandehin të huaj. Në të hyrë të Zhitomit të Madh ka një tabelë qarkullimi për këmbësorë.

Shkretia dhe rrënimi i ndërtesave përbri ankohen për një jetë të dikurshme. Ikin, ikin shqiptarët. Në të dalë të fshatit një tabelë tjetër, por këtë radhë jam e bindur se është për të vdekurit që prehen në varrezën përbri. Kushedi se si ngrihen natën ta popullojnë e ta vajtojnë atë shkreti. Them natën, por mundet edhe ditën, por ne nuk i shohim dot. Ata na shërbejnë të mbajnë gjallë kujtesën e kësaj bote të trazuar.

Në një lëndinëz ca më tutje një shpjegon se aty po eksperimentohet për të kultivuar shafran. Gjë e shtrenjtë që mund t’i ndihmojë këto zona, aty nja dy zonja, të vetmet që ndesh asaj rruge më thonë se deri në Gllavë, ku dua të shkoj unë, duhet të grah drejt atij mali, një miniaturë Fuji, që më josh të mbërritja, por deri atje do të më duhen edhe nja dy orë. Izeti, shoferi që bie gjendjen rrotull e lidh ndalesat, që më shumti janë trumba të vogla shtëpish, më flet për Tërpanin, se si do të bëhen a s’do të bëhen nja njezet fëmijë për shkollën, e vetja ndërtesë që shquhet e plotë.

Në kohën e tij kishte çdo vit shkollor kishte nga dy klasa: po flasim për kohën para shpopullimit. Shpopullim që vjen me shkak edhe rrugën e parrugshme, edhe pse dikur një arterie shumë e rëndësishme. Karburantet, bizneset e “të mëdhenjve”, i zhvendosën rrugët asisoj që të kalojnë pranë tyre. Edhe një farë tërpanasi “të madh të vogël” që kanë, na e kanë shitur neve që të betonojë Tiranë.

Dua ta heq nga mendja atë tmerr që ndesha për të dal nga Tirana, ku me dhjetëra betoniere, ishin nuë festival i llahtarshëm vizual, akustik, dhe mjerisht shpejt edhe historik. Tiranën nuk do ta njohim më. Izeti, miku ynë tërpanas nuk na lëshon pa raki, pa llall? dhe nja dy duar nga rrushi që po viel për raki. Pas ca kthesash nëpër një grykë, duket mali i gjelbëruar i Komarit dhe në të majtën time fushat okër të Rehovës.

Më në fund si një ishull, pas një të lehure miqësore qeni që më kujton se jam e huaj aty, pas nje vërtime rrotull një teqeje krëk e re, çuditërisht me dy çati të bardha borë e me nga një kaçirubë të blertë në majë, mbërrijmë në Gllavë, në vila “Sofia”, një oaz i ri paqeje.

Një bujtinë shumë miqësore ku një raki e përgjakur me manaferra, nën degët e bajames që shkujdet mbi ty, ku fle me zëzërimën e gjinkallave dhe bulkthave, zgjohem me gazmime zogjsh, është paqja ime.

Edhe pse kisha kaluar nëpër një aventurë të beftë prej rrugës së “gabuar” (nga Memaliaj do të kisha vetëm pak kilometra të vështirë), ia kishte vlejtur: kisha hyrë në zemër të vendit, në zemër të s? vërtetës.

Fundjavë të mbarë, miq!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco