Dalliu dhe komunistët

Dalliu dhe komunistët

22:14, 19/08/2020
A+ Aa A-

Prifti atdhetar Irine Banushi ishte bashkëvuajtes i hafiz Ibrahim Dalliu dhe ndanin të njëjtën qeli. Në formë tallje komunistët i vendosnin Hafizit kamillafin e priftit Irine Banushi dhe këtij të fundit i vendosnin mbi kokë çallmen e Hafizit.

Për më tepër artikulli nga studiuesi Roald Hysa.

Shkruar nga Roald Hysa

Hafiz Dalliu sipas një bashkëkohësi

Ja se si e përshkruan poeti dhe bashkëkohësi Ibrahim Hasnaji punën e Hafiz Dalliut dhe paralajmërimet që i bëri ai popullit tiranas dhe atij shqiptar asokohe. Gjithashtu ai përshkruan edhe shpirtin rezistent të Hafiz Dalliut dhe opozitarizmin e tij që e bëri të përfundojë nëpër burgje, sepse e deshi të vërtetën dhe këtë vend, saqë askush nuk mundi t’ia mbyllë gojën atij.

“Mbas ardhjes në fuqi të pushtetit ateist-komunist, Hafizin, ashtu si të gjithë vargun e pafund të patriotëve të ndershëm –e burgosën dhe e torturuan me akuzën e dhimbshme dhe të turpshme “Armik i Popullit”.

Hafiz Ibrahim Dalliu pati një meritë të madhe, sepse evidentoi shpirtin e madh demokratik e paqedashës të tiranasve autentikë, në kundërshti me pushtetin ateist-komunist, që i mohoi vlerat e popullit të këtij qyteti. Akuza kryesore që i vihej Hafizit ishte se në dhjetorin e vitit 1918 kishte shkruar në poemën “Grenzat e kuqe të Tiranës” strofën ku sulmonte pansllavizmin (si pasojë edhe Partinë Komuniste Shqiptare që nuk ishte tjetër, veçse një pjellë e pansllavizmit). Hafizi në strofën e tij të përfolur, në dhjetorin e vitit 1918, pati thënë:

Zot, kuçedrës së pansllavizmit,

Pritja kryet sa më parë,

Shueje racën e barbarizmit,

Këtij kombi të mos i mbesë farë!

 

Këto katër vargje mjaftonin për gjyqet komuniste, që t’I shkonte deri edhe koka Hafizit veteran.

Hafiz Ibrahim Dalliu ka meritën e madhe në arsimin shqiptar, se figuron si një nga mësuesit e parë të shkollës Normale të Elbasanit.

Në janar të vitit 1949, në burgun e Tiranës shkroi vargjet e titulluara “Drejtësia e sundimtarëve të sotshëm”, të cilat i ruajti dhe i fshehu me kujdesin më të madh. Ndër këto vargje ai thotë:

Po kërkove bukën të japin urinë

Po kërkove jetën të japin patërdinë

Po kërkove nderin të japin llaftarinë

 

Po kërkove shokun të japin pabesinë

Po kërkove besën të japin tradhëtinë

Po kërkove mëshirën të japin gjakësinë

Po kërkove njëriun të japin kafshërinë

Po të jesh shenjtor të bashkojnë me qenërinë

Po kërkove dritën të japin errësirën

Po deshe shijen të japin të vështirën

Po kërkove fenë të japin mundimin

Po kërkove dhimbjen të japin acarimin

Po të duash paqen të bashkojn’ me krimin

Po të duash familjen të japin burgimin

Po kërkove rregullin të japin kukudhin

Po kërkove Zotin të japin të paudhin.

Kisha pak ditë që isha në një kaush –dhomë të burgut të Tiranës, së bashku me Hafiz Ibrahimin dhe Irine Banushin, një prift i urtë e shumë njerëzor i besimit ortodoks, kur hapet dera dhe futet oficeri i Sigurimit e hetuesi i birucave, i tmerrshmi dhe sadisti i madh, Muço Saliu. Ky, porsa hyn në kaush i afrohet të dy klerikëve që ishin afër njëri-tjetrit, dhe pasi ia hoqi çallmën Hafizit ia vuri në kokë Irine Banushit, kurse kamillafin e Irineut ia vuri në kokë Hafizit. Duke iu drejtuar në fillim priftit ortodoks i tha:

- Hë, si të duket? U bane hoxhë.- Irine Banushi me zgjuarsinë dhe inteligjencën e tij të rrallë, i përgjigjet:

- Të jam shumë mirënjohës, që më vune çallmën e një kleriku musliman, i cili asht dënue me vdekje dhe e ka kalue jetën në burgje dhe internime, veçse për Atdheun e popullin.- Oficeri gjakatar në çast i kthehet hoxhës veteran:

- Po ty, a të pëlqen që u bane prift?- Hafizi me sinqeritetin që e ka shoqëruar gjithë jetën dhe me gjakftohtësi krenare i thotë:

- Më pëlqen, se e kam vëlla.- Oficeri kafshëror, kur e shikoi se nuk ia arriti qëllimit për t’i shqetësuar shpirtërisht u largua me “bisht në shalë”.

Si përfundim, do të jetë vetëm historia ajo që do t’i japë tërësinë e peshës së vet figurës së patriotit të madh Hafiz Ibrahim Dalliut[1].

Figura e Hafiz Dalliut është pak e njohur për publikun e gjerë të sotshëm, si dhe për kontributin e tij shumëplanësh në dobi të komunitetit tiranas e më gjerë. Në një botim të fundit mbi Historinë e Sigurimit të Shtetit 1945-1991 në një raport të Muço Saliut flitet se si i detyronin “të burgosurit të këndonin si hoxhë”. Po ashtu aty rrrëfehet se si hetuesit si pjesë të torturave kishin edhe talljet e ofendimet për t’i thyer shpirtërisht e moralisht të burgosurit politikë, që më pas të kishin mundësinë për t’i manipuluar më lehtë dhe për t’ju nxjerrë dëshmitë apo deklarata të rreme. Por Hafiz Dalliu, gjithashtu edhe shumë hoxhallarë të tjerë që kaluan nëpër qelitë e Sigurimit të Shtetit nuk u dorëzuan, duke treguar karakter të fortë dhe një integritet të lartë moral, gjë që iu mungon të gjithë drejtuesve të lartë të sotëm.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco