Vëzhgim/ Për një vëmendje më serioze ndaj institucioneve dhe individualiteteve të artit

Vëzhgim/ Për një vëmendje më serioze ndaj institucioneve dhe individualiteteve të artit

20:42, 12/08/2020
A+ Aa A-

Nga Esat Ruka

Në këtë situatë të rëndë pabesie të COVID-19, i cili po na trondit duke rrëmbyer shumë të dashur, artistët ende mendojnë e shpresojnë se jeta kërkon ngadhënjim mbi vdekjen dhe se pikërisht arti ofron rrezatim optimist e frymëzues.

Në sferën e krijimtarisë dhe lëvrimit të artit mund e duhet të punohet edhe kur kontaktet publike e masive zbehen për shkak situatash specifike.

Problematikat që po parashtroj në këtë shkrim nuk janë të reja dhe as të panjohura, por mendoj se heshtja realitivisht e gjatë nga disa zona etnokulturore të vendit, mendoj se kërkojnë të mos pajtohemi me uljen e intensitetit të punës kulturore në përgjithësi dhe mosangazhimin e aseteve të cilat përbëjnë një fond të rëndësishëm, sidomos në zonat me mangësi të trashëguara.

I gëzohemi faktit që shumë qytete janë përfshirë në garë, duke krijuar kalendare të mbajtjes së festivaleve folklorike, ku duhen falenderuar që po e mbajnë të ndezuar flakadanin e lëvrimit të vlerave të tyre artistike e etnografike dhe punën me talentet krijuese e interpretuese. Organizimi e realizimi i një kompeticioni artistik përmasor kërkon funksionimin e shumë segmenteve e hallkave të lidhura. Ky aspekt përbën një analizë më vete, për shkak se garat që promovohen edhe në faqet e medieve ndonjëherë të çudisin edhe me emërtimet e këtyre Festivaleve apo stafet drejtuese të tyre. Por unë e vë theksin në një fenomen që mendoj se ka vend për t’u vlerësuar nga institucionet artistike, Organet e Qeverisjes  Vendore e deri ato Qendrore.

Përvoja e gjatë dhe e suksesshme e mbajtjes së Festivaleve Kombëtare ka prezantuar shumë individualitete, që u kanë dhënë tonin atyre festivaleve me krijimet, interpretimet apo edhe në rolin drejtues. Prej vitesh nuk po shihen më të inkuadruar në ansamblet ku kanë qenë protagonistë të tyre. A është kjo një mospërfillje nga artistët, një rrethanë objektive, apo tjetër gjë …?

Nuk e shoh të nevojshme të listoj emra publikë, pasi janë krejtësisht të mirënjohur, falë mediatizimit të tyre. Nuk mendoj se ka nevojë të përmend as zona të caktuara etnokulturore, për faktin e lavdërueshëm që sapo të thuash emrin e një këngëtari, instrumentisti apo kërcimtari të evidentuar, jo thesht nga Juritë, por drejtpërdrejt nga opinion artdashës, do të bashkëngjitin menjëherë vendorigjinën. Ky fakt flet shumë nga pikëpamja e ruajtjes dhe përfaqësimit të origjinalitetit të trashëgimisë artistike. Le të sjellim në vemendje një fakt administrativisht të konsideruar si një vlerësim e merituar i rëndësishëm.

*****

Veçanërisht, në vitet e fundit ka vërshuar vlerësimi me Tituj Nderi për shumë artistë të zhanreve të ndryshme. Pavarësisht nga ndonjë tejkalim kriteresh apo interpretim subjektiv, të gjithë të Çertifikuarit janë personalitete që kanë lënë gjurmë duke themeluar a përndritur institucione, duke dhënë modele suksesi e duke vendosur në arte kuota e standarte dinjitoze. Vetë fjala ‘vlerësim’ e përmban fjalën ‘vlerë’. A nuk mundet dhe nuk duhet ta shijojmë këtë vlerë sa kohë këto personalitete janë ende gjallë? Por në vend që të ftohen e të japin ndihmesën e tyre, a nuk duket sikur u thuhet atyre: ‘ne e kryem detyrën tonë’ që mund të përkthehet; ‘Çfarë kërkoni tjetër ju’? 

Këto personazhe e personalitete mendoj se nuk kërkojnë ‘qoshe’, sepse atë (qoshen) e kanë fituar që me vlerësimin nga Organizmat Qendrore apo Vendore, por mendoj se ‘kërkojnë’ që edhe kupën e fundit ta ngrenë bashkë me ju, zotrinj të administratave lokale e qendrore.

Ansamblet e sotme që paraqiten në festivalet e pafundme, ngjajnë si ndërtimi i shtëpive model elbasançe në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Uniformizimi i atij modeli shtëpish u kritikua deri në sarkazëm. Fatkeqësisht kështu po ndodh me shumë nga këto ansamble. A dëgjoni apo shihni sot  ndonjë krijim të ri a ndonjë freskim të krijimeve të hershëm në standarte cilësore që i shërbejnë edukimit estetik? A nuk po instalohet mendimi se ‘s’kanë ç’na duhen krijimet e reja, mbasi me këto të vjetrat po marrim çmime’.

Zotrinj drejtues të Bashkive mendoj se është koha të ulni ‘traun’ që pengon rrugëtimin e artistëve drejt vendorigjinës, të cilët kanë vënë shpirtin e tyre duke lënë gjurmë të pashlyera tek komuniteti të cilit i përkasin. Çdonjëri ka të drejtë të vrapojë pas veprave të veta të krijuara me shumë dashuri e përkushtim.

Krijuesit, sidomos ato të fushës së artit, duhet të mirëkuptohen e me ’to duhet të bëhet më kujdes se me disa profesione të tjera. Në profesione të tjera, të cilat padyshim e meritojnë respektin dhe vlerësimin institucional, gjenden edhe rrugë të tjera për t’u shërbyer nevojave të njerëzve. Mjeshtërit e zanateve të ndryshme e kanë të lehtë të ‘ndahen’ nga komuniteti i vendorigjinës, ndërsa artistëve që u kanë kushtuar krijimtarinë dhe interpretimin e tyre vlerave të historisë dhe kulturës së trevës së tyre u mungojnë duartrokitjet dhe fjalët e ngrohta të dëgjuesve e adhuruesve të vet. Vërtet ato (këngëtarët, instrumentistët, mjeshtrit e prodhimit, aktorët, poetët e këngës, etj) ftohen ndokund nga adhuruesit, por protagonistët e krijimeve të tyre ‘pushojnë ‘ më të qetë në ‘dheun e vet’, kur dëgjohen në skenat e institucioneve. Pra në mënyrë më komode, pasi arti është komoditet.

Artistët kanë një tjetër alkimi me ‘elektoratin’ e vet. Muzikantët, koreografët, aktorët, piktorët etj, nuk përdorin stetoskop që ua vendosin ‘pacientëve’. As nuk e nxjerrin nga nëntoka ‘mineralin’  me makineri të rënda. Dhuntia, talenti e puna e tyre buron nga shpirti dhe përkushtimi i shpehur në një sentiment dhe mënyrë krejt të veçantë. Shpirti rebel i tyre nuk është i lidhur me forcën fizike, me muskujt apo megazërin e lartë. Ai është i lidhur me intuitën dhe imagjinatën e tyre krijuese, dhe aftësinë për ta shprehur atë me tingull, me ngjyra, me fjalë, me lëvizje, gjithnjë duke vënë melhemin e tyre krijues në shërimin e plagëve të shpirtit të ardashësve. Për një gram art të vëtetë ndoshta duhet shpenzuar sa për tonelata mineral ….

 Artistët e perceptojnë Atdheun e tyre me densitet shpirtëror të lartë dhe me bukuri dehëse. Ato përkujdesen ta stolisin Shqipërinë me lulet e zemrave të tyre.

Shpirti i artistëve krijues pisket lumturisht e ëmbëlsisht, por jo rrallë ulëret edhe egërsisht e tragjikisht. Yndyra e shpirtit njerëzor derdhet mbi enën e madhe të kombit dhe historinë e bukurinë e tij jo për të abuzuar me  brishtësinë e tyre. Ne duhet të mbajmë ndezur interesin krijues e rritur cilësinë, pasi kështu do të ruajmë edhe origjinalitetin e krijimtarisë dhe do të nxisim punën me talentet e reja.

Kjo kërkon që të mësohemi të njohim temperamentin, vlerën dhe ‘huqet’ e artistëve, pasi ato lidhen me mënyrën se si e portretizojnë bukurinë dhe progresin e vendorigjinës. Nëse veprat e krijuesve me protagonistët e krijimeve dhe interpretimeve mbyllen nëpër sirtare të institucioneve dhe nuk bëhen protagonistë të axhentës së një politike kuturore të mençur administrative, artistët sigurisht nuk mund të lumturohen, përkundrazi.

Artistët janë njerëz publikë pikërisht për veprat e dobishme dhe për këtë meritojnë tërheqjen e vëmendjes së të zgjedhurve për bashkëpunim e pjesëmarrje. Padyshim duajeni sportin dhe mbështeteni atë, por mos harroni se sporti është sot për sot e deri nësër, ndërsa arti, kultura është për shumë gjenerata dhe me tekst e kontekst që mbron e zhvillon vlerën e identitetit dhe krenarinë kombëtare.

Përse të ndodh kjo mospërfillje, kur vihet re rënia e nivelit artistik tek disa Bashki?  Thua, kjo nuk u bie në sy drejtuesve të bashkive apo të institucioneve? A nuk është vonë për të analizuar shkaqet e këtyre lëkundjeve që dëmtojnë rrënjët ë ngrehinës së artit. Padyshim !

Nuk është faji i artistëve nëse ndokush nga drejtuesit e zgjedhur nuk arrin të përcaktojë prioritetet apo të realizojë premtimet për transformimin e vendit. Transformimi nuk kërkohet e nuk pritet vetëm në ekonomi, por edhe në botën shpirtërore e psikosociale.

Nëse ndokush nuk ka krijuar asgjë artistikisht, nuk e meritojnë punësimin nëpër institucionet artistike.  E kundërta mendoj se kompromenton dukshëm lidhjet nepotike, simpatitë personale apo të tjera qëllime. Është e  vërtetë se disa nëpunës kulture e kanë një ‘dhunti’ të forte, atë të ‘kërcimit’ përpara Kryetarëve.  Profesionalizmi i disa ‘trumcakëve’ të kulturës shkon deri aty sa edhe ndonjë project-ide që ju ofrohet kryetarëve të tyre nga artistë me përvojë, anashkalohet me ‘mungesën’ e buxhetit të mjaftueshëm. Është e papranueshme mendoj që, duke qenë se disa drejtues të kulturës nuk e kuptojnë një projekt të hartuar nga profesionistët, u raportojnë kryetarëve të Bashkive vetëm shifrën e fundit të projektbuxhetit. Pra, Kryetari i Bashkisë e shikon dhe e vlerëson projektin duke parë shifrën e projektit si shef llogarie dhe jo si drejtues politik për t’i mbajtur premtimet që i janë bërë elektoratit e akoma më shumë përfitimin që ka komuniteti dhe kultura. Dhe kur themi ‘Projekt’ dmth që ai (projekti) nuk është i palëvizshëm. Çdo projekt duhet të marrë në konsideratë mundësitë financiare, infrastrukturore, apo njerëzore. Të parat që sakrifikrohen pa ndonjë penalitet janë problemet e kulturës. Numri i punonjësve të kulturës, i llogaritur ky si vota të hedhura për subjektet apo për Kryetarët, është i papërfillshëm. Kur bëjnë mbledhjet e elektoratit, kryetarëve u duken të vogla sallat e institucioneve, por pasi garantojnë karrigen e tyre, u bëhen shumë të mëdha për të investuar për infrastrukturën e tyre dhe gjallërimin e punës me talentet e reja.

Fatkeqësisht ishim  kombi më i papromovuar drejpërsëdrejti artistikisht.  

Shembujt e viteve të tranzicionit për artistët shkëlqyen dhe thyen edhe mendësitë atavike duke konsoliduar të vërtetën se populli shqiptar disponon dhe fermenton vlera kolosale artistike dhe qytetare në nivel botror. Ky aset kombëtar padyshim është produkt i atyre institucioneve kulturore dhe individualiteteve, që janë evidentuar edhe në mënyrë protokollare shtetërore më Tituj e vlerësime dinjitoze. Por, a duhet ta quajmë të përfunduar detyrën ndaj titullarëve të skenës vetëm duke i propozuar për Tituj Nderi. Titulli dhe nderimi i tyre merr jetë kur artistët derdhin në skenën e  artit gjithë nektarin e frymëzimit deri në mundësinë e fundit të tyre.

Nuk është folur ndonjëherë që këshilli i Bashkisë të marrë në analizë e të caktojë një plan detyrash për zhvillimin e artit në hapsirën e tij. Nuk dimë që në planin vjetor të buxhetit të Bashkive të deklarohet kuota financiare e vënë në dispozicion të kulturës e artit. 

Vërtetë kopetencat flasin për të drejtën ekskluzive të kryetarëve të Bashkive në vendosjen e strukturës dhe të drejtuesve të institucioneve kulturore, por ‘rubinetin’ e buxhetit duhet ta administrojnë jo sipas shijeve të tyre, por sipas një strategjie dhe politike kulturore që i bën nder trevës, madje edhe pasurimit të vlerave kombëtare.

Por që ky fenomen të vihet në seriozitetin e disiplinimit të punës së një qeverisjeje, është e nevojshme që Ministria e Kulturës si anëtare e Qeverisë të ushtrojë në Bashkitë e vendit ndikimin e saj ligjor.

Ligji për pushtetin lokal është pjesë e Konventës Europiane. Padyshim që do adoptohej edhe në ligjshmërinë e administratës shqiptare në kuadrin e demokratizimit të vendit dhe kjo është një normë e pashmangshme. Ndoshta u abuzua me ligjin për pushtetin local, i cili u jep të drejtë Administratës Vendore që  institucionet e juridiksionit të vihen në dispozicion të vetë qeverisjes së re. Ky abuzim mendoj se ka krijuar një dëm të jashtëzakonshëm në disiplinimin që meriton sektori i kulturës dhe veçanërisht lërvrimi i artit (?).

Përvoja e këtyre viteve në shumë rrethe të vendit konsumoi në mënyrë jo serioze indisiplinimin e institucioneve të linjës. Pavarësisht nga keqpërdorimi që shfaqej me diferencimet klasore, apo politizimin e tejskajshëm, tanimë nuk ka përse të pritet në moskoregjimin e disa shkaqeve subjektive.

Edhe nëse ndihet vakum në norma ligjore në këtë fushë, le të hartojë dhe propozojë amendamente të nevojshme për ndryshimin e situatës.

Në qoftëse ka një tregues i cili është realizuar shumë mirë është mënjanimi i disa specialistëve nga mundësia për të qenë faktor në përcaktimin dhe zhvillimin e politikave në fushën e kulturës e të artit si asete me vlerë fondamentale.

Në se do futeshim në mosinteresimin e disa Bashkive të vendit në përcaktimin e organikës që u kanë destinuar institucioneve kulturore apo akoma më thellë në mungesën totale të objekteve kulturore, apo ndryshimin e destinacionit të mjediseve në shumë institucione, sidomos në bashki të quajtura të kategorisë së dytë, është e pakët të thuhet se vepron indifereca nga ana e drejtuesve të Bashkive.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco