Letra,1956: Si e bleu komuniteti shqiptar në Amerikë, truallin për teqe

Letra,1956: Si e bleu komuniteti shqiptar në Amerikë, truallin për teqe

13:16, 20/07/2020
A+ Aa A-

Teqeja e parë bektashiane shqiptare e Amerikës u ndërtua 66 vjet më parë, ajo ndodhet në Tejlor të Miçiganit dhe u themelua nga Baba Rexhepi, i cili për komunitetin bektashian, por edhe për shqiptarë të tjerë ka statusin e një shenjti. Baba Rexhepi në një letër dërguar Mustafa Krujës rrëfen me entuziazëm blerjen e një trualli për ndërtimin e teqesë.

Letra/1956

Rrëfimi i Baba Rexhepit: Si u ble në Amerikë trualli për teqe, kostoja 25000 dollarë

Teqe, më 12 – 9 – 956

Shkëlqesi, Z. Kruja !

Gëzohem q’i mbrrijtët qëllimit të kaq dëshiruar dhe erdhët pranë Bashkimit, të rroni pesë ditë rehat, që thotë fjal’e popullit. Ju uroj mirseardhjen me frazën popullore të Shqiptarëvet t’Amerikës: Ju marrtë Amerika për mirë! Lutem këtë urim i a njoftoni dhe zojushës Haxhire. Tash ju njoftoj dhe lajmet e mia, pse e di që mjaft i dëshironi.

Deri në Tetuer 953 qëndrova në New York, pranë motrës. Kisha qejf të ngrihja ndonjë furik të vogël atje, por mjerisht Shqiptarët atje janë shumë të prekur nga sëmundja e së majtës dhe s’mund të bëhej gjë.

Nga nëntori i atij viti erdha këtu në Detroit, ku u prita shumë mirë nga populli shqiptar i kësaj kolonie. Një pjesë e konsiderueshme, e frymëzueme me tradita Bektashjane më çfaqën dëshirën se donin të kishin një Teqe këtu dhe menjëherë hapën një fushatë dhe mblodhën në një ditë shtatë mijë dollarë.

Fatkeqësisht, kur u hap propaganda e Teqes, me një herë u vu në lëvizje propaganda e kuqe, qysh nga Tirana e Parisi dhe filloi luftën me trakte, gazeta e çdo mjet tjetër. U luftova keqas më të djathtë e më të mëngjërt, aq sa m’u larguan dhe shumë shokë. Nuk m’erdhi keq për luftën e të majtës, pse atë e prisja, por për atë të së djathtës, të organizuar nga një hoxhë i papjekur që kemi këtu, i quajtur Vehbi, nga Shkodra, pse kjo ishte e pajustifikuar. Kjo luftë ishte mjaft e fortë. Shfrytëzonte propagandën komuniste, duke u thënë popullit : mosni, mos bëni Teqe, se keni njerëz në Shqipëri dhe ju a dëmtojnë ata pastaj. Nuk kishte arsye tjetër veç ambicje e monopolizim. Me gjithë këtë, me ndihmën e Zotit dhe me mjaft vështirësi mundëm t’i bënim ballë situatës dhe të vendosim këtë çerdhe të vogël Shqiptare. E blemë 25000 dollarë dhe kemi paguar deri tashti 20000.

Ka një godinë me 8 të ndara, me dy kate; ka dy kasolle të mëdha, një garazh automobili, kotec pulash dhe një vênd me xhame, për lule e filiza zarzavatesh. Ka një tokë prej 20 ekrash amerikane, me pemë t’egra e të buta, midis të cilavet 200 drunj mollë e dardha. Kam 1000 pula. Tokën e kam mbjellë misër për pula. Kam mbjellë dhe disa zarzavate, me të cilat bëjmë një jetë modeste. Vëndi është gjysmë orë lark nga qendra e Detroitit, dmth. 16 mila.

Marrim ajrin e pastër të fushës, të pemvet dhe jemi bërë gjysmë bujk. Vizitorë shqiptarë na vijnë mjaft, sidomos për piknikë dhe kur kemi ceremonitë fetare, si Ashuren,  Nevruzin e tjera. Këtë vjet për Ashure ishin  më se 200 veta.

Besoj ju dhashë mjaft lajme, të cilat e di q’i dëshironit. Nxjerr dhe një të përkohëshme  fetare me emër “Zër’i Bektashizmës”, të cilën, po nuk e kini parë, ju a dërgoj. Për shkak buxheti e nxjerr dy herë në mot. Për Haxhiren mirë e keni menduar. Po ju a jap drejtimin dhe në qoftë se s’e keni dhe të merret vesh me të. Kur t’i shkruaj i them dhe un të kujdesohet, për t’a sistemuar në punë. Tash s’kam më. Ju përqafoj dhe ju uroj mirës’ardhjen.

Adresa : Z. Çuçi   141 Ludlov str. Neë York 2, NY.

Baba Rexhepi

Nuk di Agua ku gjëndet? A këmbeni letra ?

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco