Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Droga e Xibrakës

Kur CIA dehte me alkool dhe 'milte' diplomatët shqiptarë në Nju Jork

Kur CIA dehte me alkool dhe 'milte' diplomatët shqiptarë në Nju Jork

19:58, 28/06/2020
A+ Aa A-

Nga Ferdinand Dervishi/ Abc News

Edhe pse CIA (Agjencia Qendrore e Inteligjencës) e ka pasur të vështirë të rekrutonte njerëzit e besuar të Enver Hoxhës, sërish, agjencia më e madhe në Botë e spiunazhit, e ka pasur të plotë informacionin që i duhej.

Kjo sepse agjentët e CIA-s, në raste të tilla përdornin mënyra alternative të vjeljes së të dhënave.

Në rastin tonë, në pamundësi për të rekrutuar të dërguarit e Enver Hoxhës, CIA, sa duket, ka rekrutuar miqtë e tyre –  shqiptarë me banim në Amerikë.

Viktimat e këtij kombinacioni janë dy diplomatë shqiptarë në Misionin e Kombeve të Bashkuara.

Njëri është Bashkim Spaho – në dokument i cilësuar si “Subjekti A”, ndërsa tjetri Ilia Zhulati – në dokument i cilësuar si “Subjekti B”.

Lidhja agjenturore e CIA-s, sipas këtij dokumenti, në takimin me dy diplomatët shqiptarë, fillimisht i ka joshur ata të konsumojnë sasi të mëdha alkooli.

Më tej, nën efektet e alkoolit, dy diplomatët shqiptarë kanë nisur të “cicërojnë” të dhëna e sekrete për të cilat CIA ishte e interesuar.

Informacionet, e marra në këtë mënyrë, bëjnë fjalë për situatën politike në Shqipëri, për pasuesit eventualë të Enver Hoxhës, për ndëshkimin e të quajturit “grupi armiqësor i Mehmet Shehut” të akuzuar nga Enver Hoxha si agjentë të huaj e armiq të Partisë e të popullit si dhe për mundësinë e hapjes së Shqipërisë ndaj Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

DOKUMENTI

NËNTOR 83

PËR: DREJTORIN SUBJEKTI: (fjalë e fshirë) TAKIMI ME BASHKIM (SPAHO) DHE ILIYA PERMET ZHULATI REF: UASHINGTON 687596

(paragraf I fshirë, red.)
SA MË POSHTE I ËSHTË KALUAR (fjalë e fshirë, red.) /NEW YORK VIA BIX- 0411 8 NENTOR 1983

MEMORANDUM

SUBJEKTET:

A: BASHKIM SPAHO, MISIONI I SHQIPERISE NE OKB, NJU JORK.

B: ILIYA PERMET ZHULATI,

SEKRETARI I PARE I MISIONIT SHQIPTAR.

Në orën 14:00, më 4 nëntor, një nga aktivët tanë, që ju e njihni, u takua me subjektet A dhe B në një kafe në që gjendet mes bulevardit të dytë dhe Rrugës 70.

Takimi zgjati 2 orë e gjysmë. Subjekti A është një mik i vjetër i asetit tonë.

Të dy janë takuar në Nju Jork në fund të viteve ‘70 kur Subjekti A ishte në misionin shqiptar në Nju Jork.

Takimi mes të treve ishte mjaft miqësor dhe subjektet A dhe B konsumuan një sasi të madhe alkooli, sidomos Subjekti A.

Subjekti A i tha asetit tonë se misioni është duke parë mundësinë të zhvendoset në një tjetër zonë, për shkak se ata nuk do ta rinovjnë kontratën e qerasë, pasi paguajnë 4000 USD në muaj.

Subjekti B tha se ai do të largohet për në Shqipëri më 7 nëntor për t’iu nënshtruar një operacioni të hemorroideve dhe do të kthehet në Nju Jork në dhjetor.

Kur aseti ynë e shpotiti subjektin duke e pyetur se përse duhet të kthehej në Shqipëri për një operacion kaq të vogël, të dy subjektet, A dhe B, duke u dorëzuar mblodhën supet sikur të ishin dakord se ky ishte një masë e domosdoshme për përkujdesje.

Subjekti do të udhëtojë për në Romë me linjën ALITALIA dhe nga andej me TAROM, shoqërinë ajrore rumune, për në Tiranë.

Subjekti A e ftoi asetin tonë në pritjen me rastin e ditës kombëtare të Shqipërisë, që do të zhvillohet në OKB në dhjetor. Data e saktë nuk është vendosur.

Të tre diskutuan për Shqipërinë dhe Subjekti A deklaroi sa më poshtë:

A: Gjyqet për njerëzit e implikuar në puçin anti- Hoxha u zhvilluan këtë verë dhe 90 për qind e tyre u ekzekutuan. Njerëzve që kishin një implikim më të vogël iu dhanë dënime me burg.

B: Në përgjithësi supozohet se Kryeministri Adil (Çarçani) është trashëgimtari i dukshëm i Enverit (Hoxha), por nuk është kështu. Njeriu më i fuqishëm në Shqipëri sot është ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai dhe ai do të marrë drejtimin e vendit kur Enver Hoxha të vdesë.

C: Shqipëria do të donte t’i përmirësonte marrëdhëniet me Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara. Asgjë nuk është bërë për sa më sipër, por në të ardhmen e afërt Subjekti A pret të marrë instruksione se si do të veprohet. Shkaku i kësaj linje të re kushtëzohet nga situata në kufijtë e Shqipërisë, sidomos në kufirin me Greqinë. Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë kanë qenë gjatë gjithë kohërave të nivele të ulëta për shkak të propagandës intensive greke në kufirin jugor shqiptar. Shqipëria është nervoze edhe për shkak të marrëdhënieve të ngushta jugosllavo-greke, të cilat Shqipëria i sheh si një rrezik serioz për sigurinë e saj.

Aseti ynë dha impresionin e mëposhtëm për Subjektin A: Është një duhanpirës dhe pijanec i madh, i mbushur me një sasi të pafund energjie nervore.

Në fund të takimit, Subjekti A shprehu dëshirën që ai dhe aseti ynë të jenë së bashku në dhjetor, pasi mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të ketë përfunduar.

(paragraf i fshirë, red.)

FUNDI I MESAZHIT.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

tom28/06/2020 22:24

Te q... CIA-n qe paska informata se pasardhesi i Enverit do te ishte Hekuran Isai apo Adil plakarush Carcani.

Shto koment

Denonco