Fjalët ngushëlluese të kolegëve për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj

Fjalët ngushëlluese të kolegëve për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj

09:19, 12/05/2020
A+ Aa A-

Kolegët akademikë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj, i cili vdiq dje në moshën 72-vjeçare. Ata u shprehën në librin e hapur nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë për këtë qëllim:

Akademik Shaban Sinani:

Dhimbje për humbjen e njeriut që aq shumë e deshi Akademinë, që bashkoi tri përmasa të mëdha: shkencore, drejtuese dhe njerëzore. Njeri i interesave të mëdha shkencore, i ftuar për ekspertizë e oponencë në dhjetëra universitete të Francës, Italisë dhe Belgjikës; vlerësues i jashtëm i shumë projekteve konkurrente të BE-së në fushën e matematikës së zbatuar; pasionant në zgjedhje dhe model i modestisë akademike; njeriu që mori përgjegjësi kur duhej dhe lejoi shtigje të lira për të tjerët në momentin e duhur, iku papritur në ditën kur ishim përgatitur për ta uruar!

Akademik emeritus Petraq Petro: Gudari i dashur u nda befas nga ne, por ai gjithmonë do të ketë një strehëz të ngroht? në zemrat dhe mendjet tona.

Akademik emeritus Gjovalin Shkurtaj:

Lajm i hidhur dhe i papritur. Humbje e parakohshme e një akademiku me merita dhe i një miku të mirë e të dashur. Qoftë i paharrueshëm. Ngushellime familjarëve dhe i qoftë e lehtë lëndina e Atdheut.

Akademik Arben Merkoçi: Lajm shumë i hidhur për të gjithë. Ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e profesorit dhe mikut tonë të dashur!

Akademik i asociuar Ilirjan Malollari:

E papritura, e befta është tinzare për fatin e mikut, shokut dhe kolegut tonë të nderuar akademik Gudar Beqirajt! Ende e pabesueshme dhe e pashpirt është ndarja e Tij nga kjo jetë qe ai e donte aq shumë. Priste dhe përcillte me zell ditët e mbushura me entusiazëm edhe në kohë të vështira të shëndetit të tij të trazuar vitet e fundit. Ai diti ti përballë të gjitha me shumë shokë e miq! Asgjë nuk e shluen kujtimin e tij njerezor mbi të gjitha. Ishte dashamirëss dhe mirëkuptues me të gjithë për gjithcka! Ju përcjell familjarëve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen fizike të tij sepse Ai dhe shpirti i tij do të mbeten midis nesh të gjallë dhe frymëzues! U prehte ne paqe dhe Zoti e bekoftë trashëgiminë e tij!

Akademik Nazim Gruda, Gjermani: Lajm tepër i hidhur dhe për mua që jam larg, i pabesueshëm. Prof. Gudari u prehsh në paqe! Uroj që brezat të kujtojnë qenien dhe shpirtin tënd bujar! Ngushëllimet e mia me të thella familjes dhe gjithë të njohurve.

Akademik Jani Vangjeli:

Lamtumirë njeriu i urtë Gudar! Do të kujtoj gjithmonë si miku ynë i dashur.
Ngushëlloj nga zemra familjen.
I përjetshëm kujtimi iTij.

Akademik Beqir Meta: Lamtumire miku ynë i dashur dhe gazmor. Do të ruajmë gjithmonë kujtimin më të bukur për ty, së bashku me vlerësimin e lartë për kontributin si akademik e drejtues i palodhur. U prehsh në paqe. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së mikut tonë të respektuar dhe të shtrenjtë.

Akademik emeritus Bahri Beci:

Ngushëllimet e mia familjes, të afërmve dhe miqve të akademikut Beqiraj.
I përjetshëm kujtimi i Tij.

Akademik emeritus Mark Tirta: Ngushëllimet e mia familjes të akademik Gudarit. Do ta kujtojmë me respekt si njeriu i dijes, njeriu që i dha shumë shkemcës shqiptare.

    Akademik Kosta Barjaba:

    Ike shumë shpejt! I miri, i dashuri dhe i dhimbsuri për të gjithë! Na dhembi shumë ikja jote! Do të jesh i paharruar, i dashur Gudar!

    Akademike Efigjeni Kongjika: Lajm i papritur dhe shumë i dhimbshëm. Do ta kujtojmë gjithmonë mikun tonë të dashur, të komunikueshëm, që ofronte ndihmë të gjithëve dhe që i ka dhënë kaq shumë Akademisë si drejtor i suksesshëm i INIMA-s dhe si kryetar i ASH Ngushëllime të sinqerta familjes. Ju prehte shpirti në paqe!

    Akademik Vasil S. Tole:

    Sot u nda nga ne miku dhe akademiku Gudar Beqiraj!
    Zgjodhi të ikte në ditën që lindi, si për ta kujtuar vetëm 1 herë në gëzim, e jo ndryshe!
    I paharruar do të jesh miku ynë, që e filloje ditën me fjalët: "Ç'farë të mire do të bëjmë sot"?
    Familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, Akademia e Shkencave kolegun dhe akademikun e përkushtuar, bota e sportit shqiptar një sportist dhe dashamirës të madh të saj, dhe ne mikun tonë zemërgjerë, si AI!
     

    Akademik Albert Doja: Një lajm shumë i kobshëm. Një humbje shumë e dhimbshme për të gjithë ne! Do të na mungojë shumë! Ngushëllime për familjen dhe te gjithëve!

    Akad. Emeritus Ethem Likaj:

    Humbja e akad. Gudar Beqirajt është një dhimbje shumë e madhe e ndjerë thellë për një mik, për një koleg, për një human me vlera të rralla. Akad. Gudari nuk harrohet; ai do të jetë për ne një kujtim i çmuar gjurmëlënës.

    Akad. Emeritus Apollon Baçe:

    E di që miku im Gudar do më mungojë shumë dhe do ta kujtoj bashkë me njerëzit që nuk janë dhe që i kam dashur shumë. Do më mungojë e qeshura e tij, këshillat e urta dhe dashuria për jetën. Kush ishte Gudari për mua?: “Një copë diell, e ngrohtë dhe e shndritshme. Nëse ka jetë të përtejme, pastë jetë të mirë dhe të gëzuar, siç ishte vetë.

    Akademik Emeritus Dhimitër Haxhimihali:

    Ky lajm i hidhur na tronditi pa masë! U prehtë në paqe miku e kolegu ynë, ish Kryetari i akademisë sonë prof. Gudar Beqiraj. Të rrojmë e ta kujtojmë ngaherë figurën e veprën e Tij!

    Dr. Sylë Ukshini, Ish-ambasador i Republikës së Kosovës në Tiranë:

    Me pikëllim të thellë mësova lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Akademikut, Profesorit Gudar Beqiraj.
    Ndarja nga jeta të akademik Beqirajt është një lajm trishtues dhe pa dyshim një humbje e madhe për shkencën shqiptare, për miqtë, për kolegët, familjen si dhe për Shqipërinë dhe Kosovën.
    Isha i nderuar që pata rastin ta njihja nga afër akademik Gudar Beqir gjatë misionit tim diplomat në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë. Veçanërisht më ka mbetur në kujtesë takimi ynë në prill të vitit 2015. Kishim një bashkëbisedim shumë të ngrohtë e miqësor, zhvilluam një bisedë të hapur për shumë temave shkencore dhe politike, por të veçanta ishin kujtimet dhe mbresat nga vizitat dhe takimet e tij të punës me akademikët dhe studentët shqiptarë të Kosovës.
    Akademik Beqiraj ishte një burrë i ditur, elokuent, dashur, komunikues dhe shumë miqësor për t'u kujtuar gjithnjë si shembull i urtësisë. Ai do të jetë shembull për brezat e rinj të studiuesve dhe krijuesve nga Shqipëria dhe Kosova.
    Me këtë rast, dëshiroj që t’i shpreh ngushëllime e mija të sinqerta Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe familjes, të afërmve dhe miqve të tij.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco