Në gjurmët e Kalit të Qyqes

Në gjurmët e Kalit të Qyqes

17:58, 07/05/2020
A+ Aa A-

Nga Eni Shehu - 

Shumë prej jush, mund ta dini që vitin e fundit jam angazhuar në një fushatë sensibilizimi për mbrojtjen dhe promovimin e jetës së egër në Shqipëri. Mund të mbani mend maratonën e Tiranës vjet, ku unë vrapova për kauzën e Kalit të Qyqes, një shpend që deri dje me ç’kisha shfletuar më sugjestiononte pamasë. Por kësaj here emocioni ishte i vërtetë, real.

Planet për ekspeditën në pjesën malore të jugut ishin shtyrë disa herë për shkak dhe të situatës së karantinës. Megjithatë më në fund ishim në terren për të vëzhguar shpendin e rrallë.

Në disa kultura, Kali i Qyqes njihet si lajmëtari i pranverës ndaj dhe kjo vizitë ishte fiks në kohë. Në vendin tonë, kjo specie mbetet e rrezikuar dhe deri vitin e kaluar numëroheshin rreth 6 çifte, të cilët kthehen nga Afrika dhe çelin zogjtë e tyre në malet shqiptare.

Image

U ndamë në dy grupe. Së bashku me partnerin tim Joni Vorpsi, një i ri jashtëzakonisht i pasionuar dhe studiues i këtij shpendi, anëtar i Protection and Preservation of Natural Environment in Albania, u drejtuam në dy territore të cilat vitet e fundit raportoheshin të braktisur. Thënë kjo, misioni ishte edhe më i vështirë.

Ditën e parë qëndruam me orë të tëra, përballë një faqemali, në një fshat diku në Delvinë, me dylbi dhe teleskop pa i hequr nga syri. Kali i Qyqes nuk u duk, vetëm foleja bosh, ashtu siç e kishte lënë.

Teksa dita kalonte, u argëtova me çdo gjë që ofronte fshati. Më kish marre malli. Vëzhguam kukuvajkën, gargullin, një kope lopësh, i hipa gomarit. Aventurë e paparë.

Image

Të nesërmen ndaluam përballë platformës së lejlekut në Gjirokastër. Një çift i rikthyer për të katertën vere radhazi në folenë e tyre mbi liqenin e Viroit, ishte mrekulli! Janë në periudhën e inkubacionit dhe për disa ditë ata do të bëhen prindër!

Image

Lugina e Vjosës në zonën ku planifikohet HEC-i, është magjia vete! Ky territor, sërish në pikëpyetje sa i takon pranisë së Kalit të Qyqes. Disa orë të tjera qëndruam duke vëzhguar çdo lëvizje në faqen e shkëmbit. Nga shqiponja gjarpërngrënese tek lejleku i zi apo skifteri kthetrazi, i pash në dylbi. Kali i Qyqes, ndoshta ka ndjerë rrezikun (jo tonin) dhe as në këtë territor nuk u shfaq.

Image

Kështu, me keqardhje, këtë herë nuk pata fatin ta shoh nga afër e ta përjetoj praninë e “shkabës së fundit folezuese në Ballkan”. Ama radhën tjetër, e sigurt që do zgjedh të vizitoj ato territore ku Kali i Qyqes është duke vazhduar jetën normalisht, nën kujdesin e organizatave dhe mbështetësve të tij.

Shkurt, do i bashkohem grupit tjetër të cilët e “takuan” shpendin e rrallë në një zonë tjetër përgjatë Vjosës, ku rreziku për momentin duket më larg.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco