'Ndez miliarda qirinj në xhami e në kishë...' Dita e përkujtimit për Vehbi Skënderin

'Ndez miliarda qirinj në xhami e në kishë...' Dita e përkujtimit për Vehbi Skënderin

07:57, 07/05/2020
A+ Aa A-

Përkujtohet sot dita e lindjes së shkrimtarit dhe poetit Vehbi Skënderi (maj 1927 - 13 qershor 2011).

NDEZ MILIARDA QIRINJ NË XHAMI E NË KISHË
Ti kaq sa ishe grua ishe dhe lule shege.
Ros’e lumenjve t’egër dhe shkrepëtimë rrufeje.
Posi rrëkel’e shpejtë ike edhe u ktheve.
Me fluturimin e bletëve në Malin e Sherbeleve.
Si kambanat festive në Bazel një të diele.
Ike edhe u ktheve!
Më vëren që prapa flokëve e huaj dhe këndellëse.
"Nga jeni," pyes kot. "Nuk e di," më thua.
Unë të vërej ty e shikoj qiellin: Gruaja çdo prangë do ta këputë.
(Qoftë dhe zinxhir i artë.) Hyn në çdo labirinit skutë më skutë.
Shtron çdo stuhi të çmendur e zbut çdo bishë.
Ndes miliarda qirinj në xhami e në kishë.


Vehbi Demir Skënderi ka lindur në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939. Në vitet 1941-1943 vazhdoi studimet fetare ne Medresenë e Lartë në Tiranë. Në vitin 1944 pranohet në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Në vitet 1953-1956 kryen shkollën e mesme profesionale (dega rusisht). Në vitet 1956-1961 kryen Fakultetin e Histori-Filologjisë me rezultate shumë të mira.

Veprimtarinë si gazetar do ta fillonte në gazetën “Arma e Mbrojtjes”. Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Më 1953 botoi librin e parë poetik, Këngët e para. Prej atëherë ka botuar librat poetike “Vjersha” (1958), “Fletë nga ditari im” (1964), “Vjershat dhe poemat e Drinit” (1969), “Vdekja e Ofelise” (1971), “Shqiponja e Vermoshit” (1972), “Përsëri mëngjes” (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura- “Kolana e poezisë shqipe” (1973), “Nxitoj” (1987), “Hëna e vjedhur” (2000), “Zvicra, Shqipëria ime” (2004). Për “Fletë nga ditari im”, në vitin 1966 Vehbi Skenderi mori Çmimin e Republikës. Po atë vit, me një grup të shquar intelektualësh, ai përgatiti një pamflet dhe e dorëzoi për botim në Zërin e Popullit. Në këtë pamflet kritikoheshin rëndë Instituti i Historisë dhe Instituti i Gjuhësise. Pamfleti nuk u botua nga Zëri i Popullit, i cili ia dorëzoi dorëshkrimin sekretarit të parë të Tiranës dhe me të u mor Byroja Politike.

Në Komitetin Qëndror, gjatë seancave të terrorit të gjyqit politik e akuzonin për veprimtari anti-parti sepse sipas tyre sulmonte institucionet e diktaturës dhe nacionalist meqë kishte deklaruar se Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë. Më 1967, për pesë vjet rresht Vehbi Skënderi, tashmë autor i ndaluar, u dërgua në Vaun e Dejës i dënuar me punë korektuese.

Më 1974 Sigurimi, nën udhëzimet e Sekretarit të Parë të Tiranës, sajon të tjera raprezalje kundër Vehbi Skënderit, i cili përjashtohet nga partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga puna, i digjen librat dhe i ndalohet botimi. Më 1975 internohet në Shkodër, por vendimi anullohet nga organet e rrethit të Shkodrës. Më 1976 internohet në Zall-Mner të Tiranës, por edhe ky vendim anullohet. Pas katër vitesh pa punë, ai caktohet punëtor transporti në Kombinatin Poligrafik.

Del në pension ne vitin 1987 teksa kryente funksionin e korektorit në repartin e dispensave ne Kombinatin Poligrafik. Prej 15 qershorit të vitit 1996 Vehbi Skënderi jetoi dhe krijoi në Zvicër ku ndërroi jetë në 13 qershor 2011.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco