‘Kosovo Threatened by the Greater Serbia’ – libër me interes për politikbërësit

‘Kosovo Threatened by the Greater Serbia’ – libër me interes për politikbërësit

15:11, 05/05/2020
A+ Aa A-

Nga Frank Shkreli

Autori dhe eksperti i çështjeve ndërkombëtare dhe të Evropës jug-lindore, Profesori i shkencave politike dhe i historisë në universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës, Enver Bytyçi, pati mirësinë të më dërgonte kohët e fundit dy librat e tij të përkthyera në anglisht: ‘Kosovo Threatened by the Greater Serbia’ (Kosova e kërcënuar nga Serbia e Madhe) dhe ‘Coercive Diplomacy of Nato in Kosovo’ (Diplomacia e imponuar e NATO-s në Kosovë).

Libri, ‘Diplomacia e NATO-s në Kosovë’ e studiuesit dhe historianit Enver Bytyçi është botuar në anglisht në vitin 2015 nga Shtëpia Botuese Cambridge Scholars Publishing, ku trajtohet, siç sugjeron edhe titulli, diplomacia e NATO-s në Kosovë, duke i ofruar lexuesit një pasqyrë të gjithanshme të ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës.

Por, po përqendrohemi tek libri ‘Kosova e kërcënuar nga Serbia e Madhe’, botuar kohët e fundit, në përgjigje të hedhjes së tezës për korigjimin e kufijve të Kosovës me Serbinë.

Libri ‘Kosova e kërcënuar nga Serbia e Madhe’ është botuar anglisht dhe shqip nga Instituti i Studimeve të Evropës Jug-lindore dhe është promovuar nga fundi i janarit që shkoi në Tiranë dhe në Prishtinë.

Kjo monografi është një përmbledhje e dokumentacionit mbi ngjarjet historike për Kosovën, ku, në thelb, autori e trajton çështjen e kufijve të Kosovës me Serbinë, duke argumentuar se ndryshimi, rishqyrtimi, korrigjimi i kufijve, rregullimi ose demarkacioni ose sido që ta quajnë sot mbështetsit e kësaj teze ndryshimin e kufijve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, është një precedent tepër i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin afatshkurtë dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Profesor Bytyçi me të drejtë e konsideron ndryshimin e mundshëm të kufijve midis dy vendeve si një akt në interest ë Serbisë dhe se ai, si i tillë, shpie drejt realizimit të planit afatgjatë dhe ëndërrës shekullore të Beogradit për krijimin e Serbisë së Madhe.

Autori e ka zgjedhur kohën më të përshtatëshme për të botuar në anglisht monografinë ‘Kosova e kërcënuar nga Serbia e Madhe’, ndërkohë që qendrat kryesore botërore – Washingtoni dhe Brukseli – po përgatiten të rifillojnë bisedimet e planifikuara ose, siç e qujanë ato, ‘dialogun’ midis Prishtinës dhe Beogradit për një marrëveshje ‘gjithëpërfëshirse’, e cila sipas shumë eskpertëve do të përfshijë edhe ndryshimin ose të pakën rishqyrtimin e kufijve midis dy vendeve.

Zëdhënës të ndryshëm, sidomos në Washington, pretendojnë se propozimi për ndryshim të kufijve nuk është në tavolinë, përfshirë edhe të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump, Ambasadorin Richard Grenell, ndërsa evropianët janë shprehur kundër ndryshimit të kufijve midis dy vendeve.  Por, duke parë se diçka po vlon në ketë mes, Kongresisti amerikan dhe miku i kahmotshëm i shqiptarëve në Kongresin amerikan, Eliot Engel, në kapacitetin e tij si Kryetar i Komisionit të Dhomës së Deputetëve për Punët e Jashtme, ditët e fundit ka shprehur shqetësimet e tij mbi politikën aktuale amerikane ndaj Kosovës.

Ndërkohë Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e kryesuar nga ish-deputeti amerikan Joe Dioguardi, i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të largojë ambasadorin Richard Grenell nga detyra e të Dërguari tSpecial të tij për dialogun Kosovë -Serbi.  ‘Meqenëse Ambasadori Grenell ka humbur besueshmërinë e një ndërmjetësuesi të paanshëm’, thuhet në deklaratën e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA).

Kjo organizatë lobiste shqiptaro-amerikane, njëkohësisht, e kritikon ashpër edhe klasën politike të Kosovës, në krye me Presidentin Hashim Thaçi, duke tërhequr vërejtjen se nga ndryshimi i kufijve, jo vetëm që do të humbiste Kosova, por do të fitonte Serbia, madje edhe aleatja e saj historike, Rusia. ‘Pa dyshim, ndarja do të trimëronte si Serbinë ashtu edhe Rusinë dhe aspiratat e tyre hegjemone për dominim në Evropën Jug-lindore dhe hyrjen në detin Adriatik’, thuhet në letrën e hapur të LQSHA-s.

Me fjalë të tjera, punët shqiptare janë ndërlikuar shumë keq dhe, për fat të keq, mund të keqësohen edhe më shumë. Prandaj, libri i historianit Enver Bytyçi ‘Kosova e kërcënuar nga Serbia e Madhe’, e përkthyer në anglisht, është një kontribut i vlefshëm në debatin aktual të këtyre çështjeve madhore në këtë moment të historisë së shqiptarëve.

Do të sugjeroja që të gjithë protagonistët në këtë proces – kombëtarë dhe ndërkombëtarë – ta lexojnë monografinë e Profesor Enver Bytyçit.  Në debatin aktual, Enver Bytyci ofron jo vetëm fakte e dokumentacion të dobishëm për gjendjen e krijuar, por ofron edhe këshilla se si duhet të dilet nga ky qorrsokak i politikës shqiptare në Kosovë, por edhe i politikës së ngatërruar ndërshiptare, midis Tiranës dhe Prishtinës.  E ndaj shqetësimin tim me autorin e nderuar dhe jam dakord me të – ashtu siç kam shkruar edhe disa herë në të kaluarën – se mungesa e këshillimeve dhe bashkrendimeve të qëndrimeve në radhët e udhëheqësve shqiptarë për një politikë aq me rëndësi, siç janë bisedimet Kosovë-Serbi dhe ndryshimi i mundëshëm i kufijve – është një politikë e papërgjegjshme nga e kësaj klase politike, për të mos thënë edhe skandaloze për interesat kombëtare të shqiptarëve. Siç është i papërgjegjëshëm edhe i ashtuquajturi procesi ‘minishengen’, i udhëhequr nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe nga Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, një proces ky që kundërshtohet nga Kosova, pasi në këtë proces nuk merreb aspak parasysh shqetësimet dhe as interesat e Kosovës.

Ku është strategjia kombëtare e platformës mbarëshqiptare për ‘minishengenin’ ballkanik dhe ku janë këshillimet dhe bashkrendimet e politikave me institucionet përkatëse midis dy shteteve shqiptare?  Mungesa e një politike të bashkrenduar midis Shqipërisë dhe Kosovës për parimet e mëdha të interesit kombëtar, jo vetëm që është skandaloze, por mund të konsideorhet edhe kriminale ndaj interesave kombëtare.

Pajtohem edhe me mendimet dhe kritikat e Profesorit Enver Bytyçi, autorit të monografisë, ‘Kosova e kërcënuar nga Serbia e Madhe’, ndaj politikës së gabuar të Tiranës përsa u përket shumë çështjeve të pazgjidhura midis Kosovës e Serbisë – sidomos ndaj procesit ‘minishengen’ të kohëve të fundit, si një politikë e gabuar që, me mbështetjen e Tiranës zyrtare, po e vendos përsëri Beogradin në qendër të politikës ballkanike, si një ‘mini-jugosllavi e re’, e cila i shërben kryekëput interesave të Serbisë së Madhe, ndërkohë që, njëkohësisht, ai hap dyert edhe influencës ekonomike, politike dhe ushtarake të Moskës në Ballkanin Perëndimor. Dikush prej këtyre udhëheqësve shqiptarë që e mbështesin këtë proces duhet të shpjegojë se si një rol i përforcuar politik, ekonomik dhe ushtarak i Rusisë në Balkan dhe në Evropën Jug-lindore është në favor të interesave kombëtare të shqiptarëve?!

Për ata që duan të dinë se pse kjo politikë është e gabuar, le të lexojnë librin e posabotuar në anglisht dhe në shqip të Profesor Enver Bytyçit ‘Kosova e kërcënuar nga Serbia e Madhe’.  Eksperti i politikës dhe i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare bën paralajmërimin e tij se Tirana zyrtare, me politikën e saj, sidomos me projektin për ‘inishengenin’ ballkanik, po e dëmton dhe mund të shkatërrojë pavarësinë e shtetit të Kosovës.  Ai e quan këtë politikë si tërësisht antishqiptare, sepse, siç shkruan autori, ky projekt mbështetet në një politikë që drejtohet nga Beogradi dhe jo nga Brukseli, jo një politikë që shpie drejt integrimeve euro-atlantike të shqiptarëve, ide dhe dëshirë kjo e kahmotshme e shumicës së shqiptarëve.

Tridhjetë vjet pas shembjes së komunizmit dhe pak më shumë se 20 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe 12 vjet pas pavarësisë së Kosovës, kombi shqiptar, si asnjëherë më parë gjatë kësaj periudhe, gjendet përballë një krize dhe një rreziku të përmbrendshëm, një rreziku të shkaktuar nga vetë shqiptarët. Kjo krizë, për të cilën kanë kontribuar vetë me politikat e tyre të papërgjegjëshme nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, fatkeqësisht, i gjen udhëheqësit politikë në Tiranë dhe në Prishtinë krejtësisht të papërgatitur, të zbuluar krejt lakuriq para popullit të vet dhe para opinionit botëror, duke mos ditur se si të merren me këtë situatë përballë të cilës gjenden, pa asnjë ide të re dhe pa asnjë strategji politike kombëtare si të shkohet përpara. Gjithkush në mendje të vet i jep idetë e veta ose i kundërshton idetë e tjetrit, pa ofruar asnjë marrëveshje as vizion të përbashkët se si duhet vazhduar. Presidenti i Kosovës kundër Kryeministrit të Kosovës, opozita kundër pozitës, ndërkohë që Tirana aktualisht kryesisht hesht, pasi ‘e ka ‘hedhur gurin dhe tani e fsheh dorën’.  E njëjta ndodh edhe në Tiranë, pa asnjë politikë bashkërenduese midis forcave politike në Shqipëri dhe as midis Tiranës e Prishtinës zyrtare për këtë çështje kaq të rëndësishme kombëtare. Ekziston pra një kaos i madh mendimesh dhe një mungesë totale e bashkërendimit në politikën kombëtare, përsa u përket interesave afatgjata të kombit shqiptar, siç mund të vihet re nga debati mbi çështjen e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë dhe jo vetëm kërcënimit, por edhe mundësisë së krijimit të një Serbie të Madhe, në kurriz të interesave të Kosovës dhe të shqitarëve në përgjithësi.

Fatkeqsisht, për fatet tona, kriza shëndetsore botërore e shkaktuar nga koronavirusi vdekjeprurës, i ka ndërlikuar edhe më shumë punët e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe interesimin e miqve tradicionalë të shqiptarëve, të cilët, ashtu si e gjithë bota, tani përballen me hallet e veta, si pasojë e kësaj epidemie dhe është vështirë t’i kushtojnë vëmendje një zone të largët të Ballkanit, me të cilën edhe mund të jetë lodhur edhe opinion publik amerikan dhe perëndimor.

Por, para se t’i fajësojmë amerikanët  dhe të tjerët për ngërçin e punëve tona, duhet ta drejtojmë gishtin e akuzës atje ku në të vërtetë duhet ta drejtojmë – drejt Tiranës dhe drejt Prishtinës zyrtare – dhe t’i identifikojmë ata si fajtorë për gjendjen aktuale kaotike kombëtare dhe politike në trojet tona, përfshirë mungesën e një strategjie kombëtare për bisedimet e Kosovës me Serbinë, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme.

Libri i profesor Enver Bytyçit ‘Kosova e kërcënuar nga Serbia e Madhe’ sjell në gjuhën angleze – jo vetëm për lexuesin e thjeshtë, por edhe për protagonistët ndërkombëtarë që merren me punët e Ballkanit Perëndimor – analiza të dobishme, dokumentacion, fakte dhe ide. Prej tyre, sipas ish-presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck, ‘do të përfitojnë edhe politikëbërsit rajonalë që mendojnë dhe veprojnë në mbështetje të demokracisë, paqes dhe sigurisë në rajonin e Evropës Jug-lindore’.

Botuar në illyriapress.com

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco