Takimi i parë me babain/ Polici: Recito një vjershë për Partinë që ta shohësh

Takimi i parë me babain/ Polici: Recito një vjershë për Partinë që ta shohësh

20:31, 02/05/2020
A+ Aa A-

Kishte ëndërruar net me radhë për atë takim, por kur ishte farë pranë të atit, polici i kampit i kërkoi të recitonte një vjershë për Partinë që ta lejonte ta takonte. Dhe kur e pa, ai nuk ishte më djali i ri që i kishin treguar në fotografi, por një burrë i plakur, i veshur me kapotë në mes të verës dhe i mbyllur në kafaz hekuri. Anila Seferi ka rrëfyer traumën e atij takimi që nuk do t’i shlyhet kurrë, bashkë me trishtimin që i shkaktojnë vuajtjet e padrejta të të atit

Anila nuk e kishte parë kurrë të atin. I kishin dhënë një foto të tij kur ishte 32 vjeç dhe jetonte me atë imazh në mendje. Islami kishte tre fëmijë dhe Anilën, vajzën e vogël nuk e kishte parë kurrë. Kish kërkuar dorën e saj të vizatuar që të shihte sa ishte rritur. Bashkëshortja me fëmijët e tjerë shkonin shpesh ta takonin, por Anilën nuk e merrnin sepse ishte shumë e vogël për atë rrugë të vështirë e të paparashikueshme që ndërmerrnin ata sa herë niseshin drejt burgjeve me trasta. Islam Seferi ishte dënuar me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Kastriot Dervishi tregojnë që ishte arrestuar sepse kishte folur mirë për regjimin e Zogut dhe, kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, ishte shprehur para shumë dëshmitarëve që shpresonte që vendi do kalonte nën një regjim perëndimor. Kur e arrestuan në fund të vitit 1963, kishte vetëm 7 vjet që ishte liruar nga dënimi i parë, pasi kishte kryer plot 12 vite burg. Atë kohë, ishte arrestuar në prag të marrjes së Tiranës nga forcat komuniste, më 16 nëntor 1944, gjithmonë për të njëjtin shkak: simpatinë e tij për Lëvizjen e Legalitetit dhe mbretin Zog. Në arrestimin e parë ishte 28 vjeç, bir i një familjeje të pasur tiranase, që merrej me tregtinë e lëkurave dhe riparime penash stenografike. I ati i tij, Aliu, kishte studiuar jashtë, si edhe Islami. Të gjitha këto binin në kundërshtim me forcën e re që po merrte pushtetin, e cila e dënoi me 20 vjet burg Islam Seferin, nga të cilat ai kreu 12 dhe me sekuestrim të pasurisë. As hetuesia, as vitet e burgut nuk e bënë të ndryshonte qëndrimet e tij zogiste dhe as të humbte guximin për t’i shprehur ato me zë të lartë. Ai kishte mbetur i njëjti, vetëm se këtë herë, ndryshe nga më parë, nga dënimi i tij do të vuanin edhe bashkëshortja dhe fëmijët që u rritën pa baba, veçanërisht Anila që nuk mundi ta njohë. Kërkesat e saj për të takuar babanë, familja ishte e detyruar t’i refuzonte, por pas shumë këmbënguljesh edhe të Islamit për të parë vajzën e vogël, vendosën që ta merrnin me vete në takimin e radhës që do të zhvillohej në kriporen e Vlorës, ku Islamin e kishin transferuar bashkë me të burgosurit e tjerë.

Atë ditë, Anila e ka rrëfyer për newsbomb, gati dy vjet më parë, pas një konference për krimet e komunizmit të zhvilluar në Tiranë, që ajo e ndoqi me trishtimin që i shkakton, kujtimi i të atit.

“Njoha për herë të parë babin tim në moshën 7-vjeçare. Çdo fund muaji, mami me fëmijët, pa mua, shkonte në burgjet anembanë Shqipërisë. Shoqërohej nga burri i tezes, nga njerëz që e donin tim atë dhe nga familjarë. Udhëtimet kanë qenë të vështira. Policia kur i shihte me çanta në duar i zbriste nga makinat e mëdha “Skoda”, për t’i munduar pasi e dinin që po shkonin në ndonjë burg për të takuar të afërmin e tyre.

Shpeshherë në  familjen time lexoheshin letrat e babit që i sillte nga burgu. Një ditë m’u kërkua që dora ime e vogël të vizatohej në një fletë sepse duhet ta shihte babi sa isha rritur, pasi do të filloja klasën e parë. Mami fliste me shumë dashuri në familje për babin dhe shumë herë në syrin tonë e bënte hero… për të mos e urryer se pse fëmijët e tjerë kishin baba dhe ne nuk kishim. S’e mbaj mend mirë, kjo pjesë më është treguar nga mami. Unë kërkoja ta shihja me insistim babin tim. Familjarët më tregonin foto të tij të moshës 32-vjeçare. Në atë foto unë shihja një djalë të pashëm me kostum dhe në imagjinaten time ishte ngulitur një djalë i ri me pamje të bukur.

Por ç’ndodhi? Meqë ishte verë dhe babi kishte instistuar nëpër letrat që t’ja sillnin vajzën e vogël ta shihte nga afër. Familjarët e mi më përgatitën një muaj përpara duke thënë që shumë shpejt do të shkojme të takojmë babain. Atë natë që më thanë për takimin me babain tim dhe shumë net të tjera kam fjetur me foton e tij. E ndjeja dhe imagjonja takimin me të, vërtetë e doja… po më thërriste gjaku edhe pse nuk e njihja. Puthja foton e tij dhe në mendjen time u fotografua fotoja e tij. Mbyllja sytë fort dhe shihja foton, përsëri i hapja dhe e ruaja që të mos e përthyeja. Dëgjova nga mami në atë kohë, sepse është gjëja që unë mbaj mend mirë, që do të niseshim për në Vlorë. Dëgjoja fjalën kripore, por nuk kuptoja gjë nga kjo fjalë. Arritëm në atë vend që ka mbetur në kujtesen time si një vend shumë i tmerrshëm. Zbritëm nga një kamion i madh. Shoferi i tij u tregua shumë bujar dhe për hir të fëmijëve, na dërgoi deri në kripore. Zbritëm nga kamioni dhe para syve të mi u shfaq një fushë, e rrethuar me tela me gjemba dhe brenda saj kafazë hekuri ku brenda tyre kishte nga një të burgosur, të cilët flinin në qiell të hapur. Së bashku me mamin afrohemi te rojet, u bënë kontrollet e duhura dhe në një moment një oficer i thotë nënës time: “Po këtë fëmijë pse e keni marrë? Nuk lejohet të hyjë brenda, është shumë e vogël!”

Në atë moment m’u shemb bota, më hyri frika se nuk do shihja babain tim, që kisha shumë net që flija me foton e tij, fillova te qaj. Oficeri më mori për dore dhe më dërgoi në një dhomë duke më thënë që mund të rrija aty dhe të prisja familjarët. Lotët e mi nuk pushonin, i fshija me cepin e mëngës se binin si rrëke. Filloja të qaja me zë, m ngashërim, kërkoja tim atë. Njëkohësisht i thoja oficerit: “Xhaxhi polici, unë dua të shoh babin tim. Unë jam vajzë e mirë. Unë di shumë vjersha për partinë. Ja mund të recitoj. Të lutem më lejo ta takoj babin tim”. U bëra problem, filluan të vinin shumë oficerë të tjerë, të cilët flisnin në telefon në atë dhomë ku unë po qëndroja duke qarë. Në atë kohë, dola me vrull në oborr, fshiva lotët dhe vështrova ata kafazë, të cilat më vonë do t’i quaja të mallkuara, pasi atëhere nuk kuptoja se pse njerëzit rrinin në këto kafazë prej hekuri. Në mes të kafazëve, dy sy me ngjyrën e detit, po më hidhnin vështrime të ngrohta, duke përcjellë  rreze ngrohtësie drejt meje. Oficeri më mori për dore dhe më hipi në kullën e tij, duke më thënë: “Recito një vjershë për partinë dhe xhaxhin Enver, pasi të mbarosh së recituari do të lejojmë të takosh babain tënd”. Fillova të recitoja vjershën dhe vështrimin e hidhja te kafazët. Kërkoja me sy gjithandej për t’u ndeshur përsëri me atë shikim. Sapo mbarova vjershën oficeri më mori përsëri për dore dhe u drejtuam nga kafazët prej hekuri. Kur shkova aty, qëndrova e shtangur, u drodha e tëra. Nuk po u besoja më syve, më hyri më keq frika, përpara meje nuk ishte burri 32-vjeçar që prisja të shihja, por një plak i veshur me një kapotë të zezë në mes të verës. Ai zgjati duart për të më marrë hopa, u fsheha pas fustanit të mamit, të gjithë rreth e rrotull po lotonin nga kjo skenë. Ishte e dhimbshme, nuk doja të pranoja që babi im ishte aq i plakur. Më mori më pas në krahë dhe me puthte, por fytyra e tij ishte engjëllore. Ai ishte kujdesur për pamjen e tij pasi do të shihte fëmijën për herë të parë. Më uli në prehër. Unë rrija para tij duke e vështruar drejt në sy. Dëgjoja familjarët që i thonin: të thamë që është kopja jote. Ai qeshte, qeshte dhe njëkohësisht nga sytë e tij ngjyrë blu rridhnin lot, lot që nuk u thanë derisa vdiq. Edhe sot e kujtoj atë ditë, mbeti në kujtesën time takimi i parë me babin tim”, ka thënë Anila, për newsbomb.

Ajo do takonte sërish të atin, por për pak kohë. Ai ndërroi jetë, pa gëzuar fëmijët dhe pasurinë që kishte vënë familja e tij me punë të ndershme dhe zotësi, pasi kreu 22 vite burg dhe punë nga më të rëndat. Vetëm e vetëm sepse kishte bindje të tjera nga ato të partisë në pushtet dhe nuk pranonte t’i fshihte.

Kujto.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco