Një kafe në Montreal me shkrimtarin shqiptar Luan Rama

Një kafe në Montreal me shkrimtarin shqiptar Luan Rama

10:55, 02/03/2020
A+ Aa A-

Nga Blerina Ruka

Montreal, Kanada - E shtuna e fundit e shkurtit dhe mjaft e ftohtë, Montreali u vizitua nga shkrimtari, publiçisti dhe diplomati shqiptar Luan Rama.

I ftuar nga Komuniteti shqiptar, shkrimtari pranoi modestisht të takonte të gjithë ata që ishin të interesuar të dëgjonin nga afër për fjalën, librin, mendimin dhe kujtimet e tij. 

Dhe duke respektuar orarin, prezencën dhe objektin e takimit, të gjithë ishin aty, në një prej kafeneve më të famshme të qendrës së Montrealit.

Shkrimtari ish aty për t’i përshendetur të gjithë ata që erdhën për ta njohur nga afër thjeshtësinë e tij, për t’u prezantuar edhe me botimet e tij, përkthimet apo edhe për të mësuar më shumë për frymëzimin e tij.

Pas falenderimeve për prezencën, shkrimtari Luan Rama e nisi prezantimin e karrierës së tij që me fillimet e veta. Pas përfundimit të studimeve për Gazetari në Universitetin e Tiranës, fusha e medias nuk do t’i mjaftonte për të derdhur krijimtarinë e tij ndaj pa humbur shumë kohë mbështetja e tij u bë kinematografia. Si skenarist i katër filmave në Kinostudio ‘Shqipëria e Re’  Rama njihet dhe për kontributin në filmin ‘ Vajzat me kordele të kuqe’.

Luan Rama është kineast, studiues arti, publiçist, shkrimtar, dhe ka lobuar si ambasador (1991-1992) në Paris, Francë dhe diplomat kulturor i Shqipërisë (1997-2001), duke e përfaqësuar vendin edhe në UNESKO.

Autori ndau me ne historitë e udhëtimeve të tij, territoret e ndryshme që ka përshkuar vetëm për të gjetur muzën. E për të mbetur këtu, Rama tregoi kur në vitet ’80 kish vizituar Tropojën e largët atëherë, vetëm për të takuar një plak 105 vjeçar, i cili përveç jetëgjatësisë së tij karakterizohej për rimën e fjalës në përditshmëri ndaj edhë në mëhallë ishte kthyer në një personazh i cili me këngët e tij ‘nderonte’ bashkëfshatarët në raste vakish apo të tjera. Por si për t’i dhënë nuance të tjera shqipfolëse, shkrimtari na tregoi edhe për botimin e ‘Shtegtari i Portës Sublime’ një monografi e piktorit Abedin Dino dhe saga e kësaj familje çame me mjaft influencë në Greqi për të cilën i ndihej mjaft krenar.

Kujtimet e shkrimtarit s’kishin gjeografi por mjaft histori. Ai na tregoi sesi mjaft tablo pikturash, figura historish, ngjarje apo edhe vende ishin kthyer në personazhet e tij të rradhës. Do të ishte e pashmangshme që edhe poezia, si zhanër pak më i ngjeshur, ‘ta ndihmonte’ të shprehte impresionin e çastit, edhe pse e preferuar e tij mbetej novela.

Parisi është shtëpia e tij e dytë prej pothuaj 30 vitesh. Një qytet që gjeneron kulturë, art dhe shumë frankofoni, mes ngjashmërive dhe diversiteteve, shkrimtari u mundua të gjente të përbashkëtat e saj me Montrealin. Në vizitën e tij të parë në metropolin e Quebec, ai kish rendur për të përfituar pak nga kultura montrealeze dhe të vizituar Katedralen e Notre Dame. Sipas tij, një madhështi e ndryshme nga ajo e Parisit, ku çdo gjë ishte në vendin e vet ku edhe akustika e muzikës tingëllonte ndryshe. Ai e theksoi disa herë shpirtin e tij të lirë për të vizituar vende me histori, thyerje territoresh apo edhe pasuri kulturore. Montreali i plotësonte këto kushte, edhe pse në pak kohë qëndrimi.

Si një njohës i mirë edhe i diplomacisë shqiptare, pati nga ata që ishin të interesuar të na tregonte edhe disa të pathëna si psh; nga miqësia e tij me Jusuf Vrionin. Publicisti Rama kujtoi me shumë dashuri mikun e tij të ndjerë i cili sigurisht kish zënë një vend të sigurtë në jetën e tij. Ai kujtoi për të kur iu ofrua posti si Ambasador i UNESCOS dhe se cila ishte ndihma e tij si misionar zyrtar, apo edhe ditën e fundit të të ndjerit Vrionit dhe amanetin e tij që trupi i tij të pushonte përherë në Shqipëri.

Për kuriozët, shkrimtari shqiptar ndau edhe disa ‘sekrete’ të hershme nga vizitat e para në Paris për javën e filmit, se bashku me regjisoren për fëmijë Xhanfise Keko dhe Kiço Blushin kur panë një film erotik por që kultura dhe censura e kohës do t’ua ndalonin që edhe mes tyre të mos diskutohej asgjë më shumë sesa thjesht gjërat teknike të përbërjes së filmit.

Dhe kështu me mjaft pyetje, e po aq përgjigje dhe me shumë kuriozitet për të ditur disa gjëra më shumë, Luan Rama na dha ndjesinë se ashtu me qetësinë e tij, urtësinë, oratorinë e elokuencën e fjalës ai kish fituar vëmendjen jo vetëm tonën, por edhe të të gjithë atyre e njohin nga afër.

Ne u ndamë mjaft të kënaqur në takimin me të, dhe shkëmbyem me shkrimtarin foto e përqafime, pa harruar edhe nga një autograf në librin e tij si shënim prej autorit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco