EMRAT/ Rebelimi enverist te Shkolla e Bashkuar në vitin '91, të ndaluarit dhe të vrarët

EMRAT/ Rebelimi enverist te Shkolla e Bashkuar në vitin '91, të ndaluarit dhe të vrarët

18:38, 23/02/2020
A+ Aa A-

Nga Kastriot Dervishi

Pas rrëzimit të shtatoreve të diktatorit, lëvizja më e rrezikshme në Tiranë ishte ajo në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve” Enver Hoxha”, sepse këtu individët e dalë jashtë kontrollit ishin të armatosur. Ishte një situatë e ngjashme me kohërat kur armatoset budallai. Ushtarakët, përgjithësisht një masë e verbër, tejet e politizuar, u armatosën, krijuan “komisionin nismëtar të lëvizjes për mbrojtjen e interesave të popullit” me kryetar Agim Bajraktarin dhe filluan të kërcënojnë në mbrojtje të emrit të diktatorit. Ata i drejtuan thirrjen partive politike, presidentit e popullit shqiptar, duke kërkuar vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës me referendum. Tirana në të vërtetë, iu nënshtrua një shtetrrethimi dhe në rrethe të tjera filloi mobilizimi i rezervistëve. Nuk munguan as vrasjet e njerëzve të pafajshëm në Tiranë. rebelimi i ushtarakëve brenda shkollës, shoqërohej me breshëri të pakontrolluara, ndërsa në muret e shkollë elementi antikomuniste ishte tejet i irrituar me masën e verbër enveriste.

Por kulmin ngjarjet e patën më 22-23 shkurt 1991 në kompleksin e shkollave ushtarake në Tiranë të përcjella me aq përkushtim nga televizioni i vetëm shtetëror në vend. Nga mjediset e brendshmet shkollave ato filluan të qëllojnë në ajër për të mbjellë frikë e terror. Pamjet e ushtarakëve që vringëllonin armët përpjetë në ritmet e këngës “Enver Hoxha tungjatjeta”, apo “Shqipëri-Enver, jemi gati kurdoherë”, të transmetuar nga televizioni i shqiptar, nuk mund të shqiten kollaj nga kujtesa. Kërkesa kryesore e ushtarakëve mbeti vlerësimi i figurës së E.Hoxhës me referendum.

Rebelimi i datës 22 shkurt 1991 ishte organizuar me 3 shtabe drejtuese që i përkisnin: oficerëve të rinj, komandantëve të shkollave ushtarake dhe Ministrisë së Mbrojtjes Popullore që shpërndanin armë. Në Tiranë kishin lëvizur trupa e mjete ushtarake. Nga rrethet nostalgjike komuniste pritej të vinin forca për të realizuar grushtin e shtetit. Por ajo i shkurajoi forcat e diktaturës ishte fakti se në qytetet kryesore të vendit, Tiranë, Shkodër, Krujë, Vlorë, Korçë, Elbasan, Berat, opozita e djathtë ishte në pozita shumë të forta dhe çdo veprim nuk ishte aq i lehtë të realizohej.

Në komunikatën nr.44, datë 23.2.1991, thuhej për ngjarjen në Tiranë: “Më 22.2.1991, një pjesë e grupimeve të errëta të armatosura, u kundërvunë forcave të rendit dhe të shkollës së bashkuar “Enver Hoxha”, ku gjetën vdekjen ushtari polic Lulzim Sulollari, efektiv i Repartit 326 dhe dy shtetas. U plagosën 27 persona nga forcat tona dhe 13 shtetas. Pretendohet se numri i tyre të jetë më i madh. nga forcat kundërshtare u ndaluan 62 persona. Më datën 22.2.1991 u ndalua Fatmir Braush Meta, i cili u paraqit si anëtar i Partisë Demokratike dhe donte të hynte me forcë në selinë e kësaj partie. Në këtë kohë ai goditi policin e shërbimit”.

Sipas komunikatës nr.46, datë 25.2.1991, më 24.2.1991, “për arsye se kanë marrë pjesë në demonstratat e organizuara dhe kanë goditur forcat e rendit me gurë e shishe benzine” u ndaluan këto persona që lidheshin me ngjarjet e Shkollës së Bashkuar:

-Shpresim Nuredin Deliu, 18 vjeç, punëtor

-Adem Bajram Morina, 22 vjeç, D.13388

-Arian Sadik Hyka, ushtar në Pogradec

-Gjergji Gridor Morçi

-Myrteza Hysen Xhunga

-Shpëtim Ferra

-Eduard Bajram Duraliu

-Pëllumb Hasan Tare

Për arsye se “kanë marrë pjesë në përleshjen me forcat e rendit duke i goditur me gurë”, u ndaluan:

-Altine Dine Fejzullai, ushtar i Repartit 3225 Tiranë

-Sami Mustafa Dede

-Ilir Gani Shemshiri

-Mustafa Ibrahim Hoxha

-Shkëlqim Qazim Sallaku

-Artur Sallaku

-Fatri Kanani

Sipas komunikatës nr.48, datë 27.2.1991, një ditë më parë në qytetin e Tiranës ishin ndarë trakte në nderim të kujtimit të viktimave të pafajshme:

Ismail Çapali 22 vjeç,

Lulzim Sulollari 20 vjeç,

Artan Lenja 20 vjeç,

Pëllumb Tahiri 31 vjeç.

Partia e Demokratike dënonte vrasjen e tyre dhe i bënte thirrje popullit që në ora 21.00 të asaj dite të fikeshin dritat e të ndizeshin qirinj në përkujtim të tyre.

Po më 26.2.1991 ishin ndaluar Sokol Petrit Alia 17 vjeç, Ahmet Shaban Jaupi 25 vjeç, Eduard Kasem Isaku 20 vjet ushtar në Repartin 1155 Korçë, sepse kishin qëlluar me gurë “efektivin e shkollës së bashkuar “Enver Hoxha”.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco