Emigracioni politik shqiptar 1944-1990/ Sula: Nxitje e debatit publik bazuar në dokumente dhe fakte

Emigracioni politik shqiptar 1944-1990/ Sula: Nxitje e debatit publik bazuar në dokumente dhe fakte

20:07, 19/02/2020
A+ Aa A-

Në Muzeun Historik Kombëtar u mbajt konferenca shkencore “Emigracioni politik shqiptar 1944-1990”.

Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula në fjalën e hapjes në këtë Konferencë tha se, “objektivi kryesor i kësaj konference është të nxisë debatin publik të bazuar në dokumente dhe fakte, me filtrin e një disipline të fortë shkencore, dhe me qasje europiane, duke iu përgjigjur disa pyetjeve”.

“Cilat janë veçoritë e krijimit të emigracionit politik shqiptar gjatë viteve 1944-1990? Cila qe shtrirja gjeografike e emigracionit politik shqiptar? Kampet e emigrantëve në Europë? Cilat janë disa nga profilet e emigrantëve politikë dhe veprimtaria e tyre? Cila qe veprimtaria e emigracionit politik shqiptar për mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare; veprimtaria e tyre për të luftuar regjimin komunist në Shqipëri; shoqatat e krijuara nga emigracioni politik shqiptar dhe qasja e tyre kundrejt Shqipërisë komuniste? Operacioni “Rollback” dhe përfshirja në të e emigracionit politik shqiptar? Si reagoi shteti komunist shqiptar ndaj emigracionit politik shqiptar? Si ndikoi Lufta e Ftohtë, marrëdhëniet e shtetit shqiptar me jugosllavët, grekët dhe italianët?”, tha Sula.

Për këtë, shtoi ajo, “AIDSSH ka vënë në dispozicion të studiuesve arkivin dhe dëshmitë gojore që ka mbledhur.

Duke përmendur disa statistika Sula tha se, “në vitin 1959 në Shqiëpri u kalua një dekret në formë amnistie, nga i cili u përjashtuan në atë kohë rreth 208 persona, që u cilësuan “kriminelë lufte”. Në fakt, u riatdhesuan gjatë gjithë periudhës vetëm 60 persona, dhe iu hoq stigma “i arratisur” vetëm rreth 190 vetëve.  Për të tjerët dhe familjet e tyre, Sigurimi i Shtetit vendosi një regjim të rreptë mbikëqyrjeje dhe represioni”.

“Rreth 13.600 persona u numëruan të arratisur në raportet e Sigurimit të Shtetit, nga 1944 deri në vitin 1990, pa llogaritur ato të ikur përmes ambasadave. Nga këta, rreth 4784 ishin gra dhe fëmijë. Dominonin këtu të ikurit e vitit 1945 dhe 1948. Rreth 998 të tjerë vdiqën ose u vranë nga regjimi në këtë përpjekje”, tha Sula.

“Ikjet u kryen më shumë nga Gjirokastra (1399),  Shkodra (924), Saranda (859), Korça (729), Kukësi (777), Vlora (436), Dibra (520), Tropoja (402) e më pas Tirana, me 333, Erseka (214), Pogradeci (178),  Puka (184), Durrësi (161).  Rreth 4785 u larguan nga ambasadat, me valën e parë të 2 korrikut 1990. Më tej shteti filloi të emetonte pasaporta dhe të lejonte daljen nga Shqipëria, përmes ikjeve masive, që në fakt janë dhe imazhet më të fuqishme të denoncimit të një sistemi jonjerëzor”, theksoi Sula.

“Kjo histori, për shumë nga ne mund të duket e largët, nëse nuk e lidhim drejtpërdrejt me histori njerëzore. Fakti është që sot ka shumë prej tyre që jetojnë dhe kanë shumë pyetje për të cilat kërkojnë përgjigje për fatet përkatëse, për stigmën “i arratisur”, apo për “futjen në një thes”, si të implikuar me pushtuesit, ndonëse rreth 200 prej tyre ishin kategorizuar si të tillë”, nënvizoi Sula.

Sula shtoi se, “pranë arkivit të AIDSSH-së ruhet dhe administrohet një larmi dokumentesh arkivore të cilat përmbajnë dhe trajtojnë informacione e të dhëna rreth emigracionit politik shqiptar, të arratisurve jashtë vendit, grupeve diversante, organizatave të ndryshme politike të krijuara nga emigracioni shqiptar në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera. Këto dokumente konsistojnë në  raporte, statistika dhe informata mbi veprimtarinë e emigracionit shqiptar në vende të ndryshme, relacione dhe raporte mbi bandat e diversantët që operonin kryesisht në Jugosllavi, etj., relacione dhe statistika për të arratisurit, të dhëna dhe dosje për emigrantët politikë e ekonomikë, etj”.

“Dokumentet e mësipërme përllogariten të jenë afërsisht 90 mijë dosje e fashikuj dhe i përkasin periudhës 1944-1991. Shumica prej këtyre dokumenteve bëhen publike për herë të parë për qytetarët dhe studiuesit”, tha ajo.

Ndërkohë, nënvizoi Sula, “prej një viti Autoriteti ka ndërmarrë projektin e mbledhjes së dëshmive gojore të të mbijetuarve të përndjekjes nga Sigurimi, në bazë të platformës tashmë të mirënjohur “Edhe muret kanë veshe”. Gazetarja Kristale Ivezaj do të na paraqesë punën e saj përmes Skype, pjesë e së cilës është bashkësia shqiptare në SHBA dhe ajo në Belgjikë”.

“Marrëveshja e AIDSSH-së me Zërin e Amerikës dhe bashkëpunimi me Federatën Panshqiptare Vatra ka mundësuar realizimin e intervistave me të arratisur në Shtetet e Bashkuara, të përndjekur nga Sigurimi i Shtetit, dëshmitë e të cilëve janë depozituar pranë arkivit digjital të Autoritetit. I njëjti projekt vijon në Belgjikë, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar atje e do të synojë edhe bashkësinë në Gjermani; në këtë garë me kohën”, tha Sula.

“Në gjithë këtë problematikë komplekse, natyrisht sot do të prekim temat e nxehta, por jam e sigurt që diskutimi mbi këtë temë do të vazhdojë.  Në shifrat e larta të emigracionit të shqiptarëve në shekuj dhe gjatë tranzicionit te zgjatur, kjo përmasë duket vetëm një fraksion. Por ky fraksion është shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Të integruar tërësisht në shoqëritë pritëse, sot ata paraqesin një urë të fortë komunikimi me vendet më të zhvilluara dhe me aleatët tanë. Ato nuk reshtën së dashuri Shqipërinë dhe së qeni aktivë në forma të ndryshme, duke denoncuar shkeljet e të drejtave njerëzore në Shqipërinë komuniste dhe duke ngritur zërin për të drejtat kombëtare”, tha ajo.

Mbi të gjitha, shtoi Sula, “ky komunitet përfaqëson 15.000 familje të mëdha shqiptare, të cilëve shoqëria jonë iu detyrohet heqjen e baltës, qartësimin e fatit, njohjen e kontributeve.  Kaq për tani, meqenëse për krimet dhe fajet e një pjese (rreth 200 individëve) është folur mjaftueshëm nga historiografia moniste, që prej 1944”./Ata.gov.al gj.mima/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco