Ç'më zuri me Shën Valentinin në SHBA! - Tregim humoristik

Ç'më zuri me Shën Valentinin në SHBA! - Tregim humoristik

07:19, 14/02/2020
A+ Aa A-

Gjëja më e çvidhosur për mua kur erdhëm në Amerikë, vite të shkuara, ka qënë Shën Valentini i parë. Atë mbrëmje, im bir më kërkoi 100 dollarë se “reston e kishte vetë”. I a dhashë e vështrova nga vajza. Edhe ajo po pispillosej në pasqyrë, gati për të dalë.

– Po ti moj, ku do vesh? Edhe ti je “Valentinë “sot?
– Jo, nuk jam “Valentinë”, por e kemi lënë të shkojmë në një restorant me shoqet , o Ba!
-Domethënë edhe ti do para.
-E po si thua ti, mos të shkoj? Vetëm një pesëdhjeçe dua… ë të keqen!
Më kërkonte 50-çen çupa sikur të qe 50 lekë me të Shqipërisë dikur, e jo 50 dollarësh me të Amerikës!
Djali e vajza ikën e unë mbeta vetëm me time shoqe.
-Po ne ç’do të bëjmë, o grua?
Thashë se mos ndoshta donte edhe ajo të dilnim në ndonjë lokal jashtë për Shën Valentinin. Po gruaja ime është ëngjëll; gjithmonë m’i lexon mendimet
– Eh, neve s’na duhen para për të bërë dashuri, do të rrijmë në shtëpi. Kam kaq punë këtu rrotull… Të kujtohet ajo shprehja “Sa ditë e bukur sot për të la lëveret?

Doemos më kujtohej. I a kisha treguar sime shoqe atë barcaletë që ditët e para të fejesës tek shkonim lart, nga Kisha. Atëhere, në kohët tona, u kujtohet edhe juve besoj, po të të thoshte dikush “isha tek kisha ” nënkuptohej se kishte qënë në takim. Dmth kishte bërë dashuri. Mendo kur të thoshin në mëngjez herët në punë: Ore, më duket se të pashë mbrëmë andej nga… kisha.-Vërtet ? Pse edhe ti atje ishe?

Në fakt askush s’shkonte tek ‘Kisha e Shën Prokopit’ për te bërë dashuri. Kisha kishte mbetur si godinë e harruar, pa asnje funksion kishërie për njerëzit, por as edhe me ndonjë funksion strehe dashnorësh. Qe thjesht si pikë referimi. Atë kohë kur ne jetonim një jetë pa kisha e xhami, kisha e Shën Prokopit përkthehej si kodra e liqenit ku shkonin rinia. Dhe doemos atëhere s’kishim Shën Valentin e s’na duhej as Valentini, as Valentina. Mund te ishte Drita , Meremja, Zana, Valbona… të gjitha rrezatonin dashuri tek ngjiteshin lart nga kodrat dhe kjo ndodhte çdo dite të bukur me diell a me hënë, behar a dimër se dashuria e ka ngrohtësinë me vete.

Mirëpo, këtu në këtë vend, ku punojmë aq sa s’kemi kohë të marrim frymë, ekziston një ditë në pikë të Shkurtit si për të na thënë: Ej, çlodhuni o njerëz sot, e po mundët kujtohuni edhe për një çikë dashuri.

Kështu fëmijët e mi dolën e ime shoqe, meqë shyqyr që kishte pak kohë, mblodhi gjithë “lëveret” e palara e i futi në thesin e lavanderisë dhe zbriti poshtë në bodrumin e pallatit ku janë instaluar ca lavatriçe.

Atë kohë ra telefoni. Ishte Gaqua, komshiu ynë. Jetonte vetëm me nënën në një apartament , dy kate më lart nga ne. Qe martuar e divorcuar e s’kishte gjë në terezi për t’u martuar së dyti. Fliste nga celulari. Më pyeti se ç’po bënim.

– Hiç,- i thashë, po rrijmë kot. Fëmijët dolën për Shën Valentinin.
-Epo, po ndaloj një çikë aty tek ju.
E mora me mend që do qe duke u kthyer nga puna atë kohë.
“Epo mirë”, thashë me vete, “ja tek po bëjmë edhe një dorë domino”.
Gaqua hyri duke nxjerrë nga një çantë e madhe plastike një buqetë me lule. Unë hapa sytë. Po kjo?
-Është për Shën Valentinin, -tha.

“Gaqoja më së fundi e paska mbërthyer një çupë”, thashë me vete
-Hë.. hajër..
– Jo, mo, jo. I solla për tët shoqe. Ku e ke Dritën?
S’po merrja vesh. Lule nga Gaqua për gruan time në Shën Valentin?

Ai e pa habinë time dhe u nxitua të më tregojë se qe shtrënguar ta blente atë buqetë tek dyqani pranë punës, se të gjithë kolegët amerikanë ashtu po bënin e ky s’deshte të dallohej si dhia në mes dhënve. Tamam, tamam qe pikërisht kolegu i zyrës që bashkë me të tijën kishte blerë edhe buqetën për Gaqon. Gaqua e kishte falenderuar buzë a gaz duke i thënë se edhe ai e kishte atë buqetë për të ëmën. Por kur qenë ndarë, rrugës për në shtëpi nuk ishte i sigurtë ç’të bënte me të. Grua jo, të dashur jo e jo. Kujt t’ja jepte? Nënës 75 vjeçe? T’a kthente? Do ta çudiste luleshitësen. Kështu që mori rrugën për shtëpi me tufën e luleve në duar.
-Kam hall se do habis plakën, o vlla. Do më thotë” Hajt, lipsu, s’je kujtuar të më sillje lule kur kemi qënë në Shqipëri e po më sjell këtu.. Edhe për ç’farë pa? Për Shën Valentinin!Të kanë rrjedhur mor bir?

– Po mirë, o Gaqo, e marrë vesh, po tani do të çuditësh time shoqe? thashë unë.
Gaqua hapi krahët si fajtor.
Unë pashë rreth e rrotull. Mbi tavolinën e mesit Drita mbante një vazo me lule artificiale. I hoqa ato e në vend të tyre futa në vazo trëndafilat e Shën Valentinit që Gaqua , komshiu ynë i mirë, ia bënte peshqesh aksidentalisht gruas sime.

Buqeta bëri efekt të madh tek ime shoqe . Ajo pandehu se i kisha porositur unë, si surprizë për të.
-Uaa! Ti je i mrekullushem. Ty s’të ka kush!- thirri ajo, më zuri për qafe e me puthi në sy të Gaqos!
Jo vetëm kaq, por u kthye me krenari nga ai e tha: Hë mo, thuaj, gjen burrë më të mirë se ky i imi në lagjen e shqiptarëve këtu rrotull?
I ngriti trëndafilat nga vazua dhe i tha Gaqos të na bënte nje fotografi që ta kishim kujtim për Shën Valentinin.
Të nesërmen, Gaqua më bën një telefon e më thotë: Ore, e di ç’më ndodhi mbrëmë me mamanë, mua? Pasi më shtroi darkën më tha: “Po edhe ti more bir, si s’u kujtove t’i sillje nënës tënde ca lule sot, si gjithë bota! Shikoja njerëzit nga dritarja me buqeta nëpër duar. Një tufë lule do na kishte zbukuruar shtëpinë . Ja edhe kjo gjitonia jonë, mosha ime, e mbytën mbesat me lule!”
Mua më mbeti luga në gojë …

Nga Albana M.Lifschin

(Nga libri me tregime “Ura mbi oqean”, 2006) 

Titulli origjinal: "Shën Valentini për mamanë (Tregim humoristik)

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco